Statistikat e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri vazhdojnë të mbeten të paqëndrueshme, edhe pas kapërcimit të pandemisë COVID-19.
Sipas një raporti të organizatës “Së bashku për jetën”, gjatë vitit të kaluar u shtuan dukshëm vizitat mjekësore, por ra ndjeshëm vaksinimi me dozën e tretë kundër Covid-19, si dhe kontrollet periodike.
Po ashtu u rrit me një të tretën edhe numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike.
Në sistemin shëndetësor të Shqipërisë u kryen vitin e kaluar mbi 8 milionë vizita mjekësore, shumë më tepër nga parashikimi, me të njëjtin fond paraprak shpenzimesh, ndërsa vazhdon paqëndrueshmëria edhe për shumë shifra të tjera, edhe pse pandemia Covid-19 u tejkalua.
Raporti vjetor i organizatës “Së bashku për jetën” mbi shpenzimet e sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale thekson po ashtu se gjatë vitit 2022 u kryen 455 mijë kontrolle shëndetësore periodike, me të njëjtin fond shpenzimesh sa ishte parashikimi për 475 mijë checkup-e, pra 20 mijë persona më pak.
“Sektori i shëndetësisë vazhdon gjatë tre dekadave të fundit të vuajë në mënyrë të jashtëzakonshme cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, korrupsionin e lartë, shkelje të të drejtave të pacientëve, dhe nuk shohim përmirësim në këtë fushë. Edhe fakti që shëndetësia është një sektor i keqfinancuar, ndikon po ashtu në kurriz të pacientëve”, thotë Egla Bardhi, drejtuese e Organizatës “Së bashku për Jetën”.
Programet e vaksinimeve ishin të qëndrueshme gjatë vitit 2022, ku sipas raportit, u vaksinuan 240 mijë fëmijë nga 203 mijë të parashikuar me të njëjtin buxhet të planifikuar.
Por në raport theksohet se gjatë vitit të kaluar u planifikuan 2 milionë vaksinime anti Covid-19, por u kryen vetëm një e katërta, 535 mijë, me të njëjtin fond shpenzimesh, sepse ra ndjeshëm numri i pacientëve që kryenin dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Megjithatë trajtime në shërbimin spitalor kanë përfituar 278 mijë pacientë nga 330 mijë të planifikuar, pra 52 mijë persona më pak.
Pacientë të trajtuar në spitalet psikiatrike ishin rreth një mijë e 500 kundrejt 934 të tillë të parashikuar, pra u shënua rritje me një tretën e parashikimit.
“Ata që e pësojnë janë pacientët, të cilët duke mos patur informimin e duhur as raportimet transparente nga sektori publik, atëherë priren të shkojnë drejt privatit, duke “rënë pre e këtij tregu”, duke çuar përfitime tek privatët, për shërbime, që ata lehtësisht mund t’i marrin edhe në shërbimin shëndetësor publik”, thotë psikologia Redina Çanaku, koordinatore projekti.
Gjatë vitit të kaluar u kontrolluan për kancerin e gjirit një mijë gra më shumë se parashikimi, afro 5 mijë e 500 gra nga 4 mijë e 500 të planifikuara. Ndërsa për kancerin e qafës së mitrës u bënë 10 mijë e 400 kontrolle nga 16 mijë të planifikuara.
Nga pagesa sociale përfituan afro 162 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarë kundrej të 167 mijë të planifikuar.
Raporti veçon se nga skema e ndihmës ekonomike kanë përfituar afro 63 mijë familje nga 67 mijë të parashikuara në buxhetin fillestar për vitin 2022.
U rehabilituan 900 ish të përndjekur politikë nga 800 të planifikuar, ndërsa u kompensuan financiarisht afro 6 mijë e 200 ish të përndjekur kundrejt 7 mijë rastesh për t’u trajtuar.
Shqipëria, thuhet në raport, mbetet e fundit në rajon edhe për vitin 2022 sa i përket shpenzimeve për shëndetësinë publike, ndërsa politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale vlerësohen si të nënfinancuara dhe pa vëmendjen e nevojshme./VOA