Anëtari i Këshillit Bashkiak, Fabian Topollaj, ka deklaruar se Bindja Demokratike u shkëput nga Partia Demokratike pasi kjo e fundit lufton për kryetar jo për ide apo për popullin shqiptar.
Gjatë një interviste, Topollaj u shpreh se si ish-kryeministri Sali Berisha apo ish-kryetari Lulzim Basha janë të ngjashëm pasi të dyve u intereson se kush do të garojë për kryeministër jo për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama apo për të sjellë ndryshimin.
“Ne nuk kemi asnjë interes se kush është zyrtari. Ne jemi të gatshëm që të mbështesim idenë që të hapet sistemi. Ne jemi një forcë politike që jemi shkëputur nga PD-ja sepse e parashikuam se do të ziheshin se kush është kryetar.
Një parti politike nuk ka qëllim kryetarin, por përmbushjen e ideve. Halli i vetëm që kanë është se kush do të jetë kryetar. Ne prandaj ikëm. Le të jetë kryetar dhe roja i godinës, por me rëndësi është të ketë ide të mira dhe të qarta.
Të dyja palët janë të ngjashme, nuk ka rëndësi se kush ka vulën dhe logon.
Qëllimi i partisë nuk është të bëjë kryeministrër një njeri, por të përmirësojë jetën e shqiptarëve dhe popullit. Ata kanë qëllim të bëjnë Bashën apo Berishën kryeministër jo për të rrëzuar Edi Ramën dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri”, tha Topollaj.