Ditën e sotme grupimi Basha do të mbajë zgjedhjet për kryetar, ku në garë janë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani. Megjithëse Basha pritet të shpallet fitues, çështja në PD mbetet e pazgjidhur dhe do kalojë në kalvarë të gjatë gjyqësor.
Grupimi që mbështet Gazmend Bardhin ka depozituar në gjykatë kërkesën për çrregjistrimin e Bashës si kryetar partie dhe nëse do të merret në konsideratë do e bënte nul votimin dhe rezultatin e sotëm.
Edhe pse Këshilli Kombëtar vendosi anulimin e garës për kryetar, pjesa që mbështet Bashën e quan nul këtë vendim dhe po bëhen gati për zgjedhjet e sotme. Gjithçka është gat inga mbështetësit e Bashës që kanë nisur të bëjnë përgatitjet e “pas fitores”. Megjithatë duket se nuk do ketë kohë për të gëzuar asnjëra palë, pasi çështja është paralajmëruar që të shkojë në gjykatë.
Një pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së nën drejtimin e Gazmend Bardhit, aktualisht Sekretar I Përgjithshëm kanë marrë vendimin në Këshillin Kombëtar që zgjadhjet të konsiderohen të pavlefshme pasi sipas tyre janë në shkelje të statutit. Nga ana tjetër Kryesia e PD-së, që në shumicë janë mbështetës të Bashës pretendojnë se nismat e tyre janë ligjore dhe se zgjedhjet që do mbahen sot janë të vlefshme.
Në dy deklarata njëra pas tjetrës, Gazment Koduzi në emër të Komisionit Zgjedhor dhe Orjola Pampuri në emër të grupit parlamentar u bënë thirrje demorkatëve që të marrin pjesë në votime. Sipas tyre, pas zgjedhjes së kryetarit, nis dhe ringritja e partisë.
“Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Informacionin për qendrat e votimit mund ta gjeni pranë Degëve përkatëse ose online në faqen zyrtare të Partisë Demokratike. Është i ftuar të shprehë vullnetin e tij për kryetarin e Partisë, çdo anëtar i Partisë Demokratike.
Nesër është një ditë e rëndësishme për demokratët. Partia Demokratike nis ringritjen dhe riorganizimin e saj, për tu kthyer në shpresën dhe alternativën që presin dhe meritojnë shqiptarët”, u shpreh Koduzi.
“Shqiptarët nga nesër meritojnë një parti demokratike të konsoliduar, të organizuar, një Parti Demokratike, lidershipi i së cilës të jetë në partneritet të ngushtë me ShBA, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.
Është e qartë se shqiptarët janë të lodhur me skena e debate, retorike të përsëritur politike, të cilat i interesojnë vetëm një njeriu: Edi Rames. Shqiptarët duan zgjidhje, duan një opozitë të fortë sot dhe një alternativë qeverisëse nesër. Demokratët duan të rikthehet shpresa. Dhe nga nesër nis rrugëtimi për ndryshimin e shumëpritur”, deklaroi Pampuri.
Këshllli Kombëtar do të çregjistrojë Bashën
Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar dhe mandatimit që të kryejnë të gjitha veprimet në gjykatat e vendit për çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD, deputetët që mbështesin Bardhin nuk kanë humbur kohë dhe e kanë dorëzuar kërkesën. Deputeti Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja dorëzuan në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të hequr emrin e Bashës nga regjistri i partive politike, si një përpjekje e radhës për të ndalur zgjedhjet e 29 Korrikut.
“Ne i kemi kërkuar sot (dje) gjykatës në zbatim të vendimeve të këshillit kombëtar të djeshëm që të vijojë procedurat ligjore sipas ligjit për partitë politike. PD është parti e mijëra anëtarëve dhe sakrificës së tyre për 32 vite. Askush nuk ka të drejtën të privatizojë sakrificën e tyre duke e kthyer PD-në në parti private për interesa personale.
Anëtarët e PD duhet të kenë vetëm një synim; si ta forcojnë dhe ta kthejnë në alternativë qeverisëse. Në këtë dosje janë të gjitha vendimet e marra dje në Këshillin Kombëtar”, u shpreh Nallbati për mediat.
Reagimi pro Basha
Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike Indrit Sefa ka reaguar pas vendimit të grupimit të Gazmend Bardhit për të depoziuar në gjykatë të gjitha vendimet e Këshillit Kombëtar të PD të mbajtuar një ditë më parë.
Duke ironizuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Sefa tha se i urojnë suksese Partisë së parë digjitale në Shqipëri. “Atyre që braktisin forumet e PD dhe i shërbejnë interesave personale të Sali Berishes, i urojmë suksese në iniciativën për të dorëzuar në gjykatë vullnetin e mbledhjes se parë të Partisë së parë digjitale në Shqipëri.
Nesër demokratët do të votojnë për kryetarin e ri të PD. Procesi legjitim i zgjedhjes së kryetarit do të pasohet me riorganizimin vital të Partisë, për ta bërë PD alternativë qeverisëse për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Sefa.