Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi dje konfirmimin e tetë masave të sigurisë të marrë ndaj personave të dyshuar në aferën e “sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale”. Zbulohen detaje nga dosja e SPAK, dyshime se ish-ministri dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë kishin njohje me “bosin e konçesionit”. Kompania me kapital 1000 euro fitoi koncesionin 100 milionë euro.
Të tetë personat e akuzuar sit ë përfshirë në aferën e dyshuar të konçesionit në shëndetësi dolën dje para gjykatës ku u konfirmuan masat e dhëna. U caktua masa “arrest me burg” për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, si dhe biznesmenin që ka fituar koncesionin, Ilir Rrapaj. Gjithashtu, janë caktuar masat “arrest shtëpie” për: Saimir Kadiu, Drejtor Ekonomik, dhe Marsela Serjanaj, Drejtoreshë Juridike. Si dhe masat “detyrim paraqitje” për: Arben Gjata, Pertef Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi. Gjatë seancës gjyqësore u zbulua një pjesëe dosjes hetimore e cila rëndon edhe më shumë pozitën e dy ish-tutullarëve të këtij institucioni, Ilir Beqja dhe Klodian Rrjepaj. Ata kanë pasur njohje me Ilir Rrapajn I cili fitoi konçesionin e dyshimtë dhe kjo është vërtetuar me disa udhëtime të përbashkëta dhe mënyra sesi Rrapaj regjistroi një kompani në Kosvë me kapital vetëm 1000 euro dhe vetëm dy muaj më vonë mori në duar konçesionin 100 milionë euro. Nga dosja e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion përmenden njohjet mes ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, ministrit Ilir Beqja dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili zotëronte shumicën e aksioneve në kompaninë Sani Service që iu dha koncesioni 100 mijë euro i sterilizimit. “Ilir Rapaj përfaqësuesi i subjektit “Investital LLC dhe Umbro Staçini përfaqësues i subjektit Tecnosanimed srl dhe U.Jet SRL, që krijuan kompaninë koncesionare Saniservice kanë njohje personale me të dyshuarin Klodian Rjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë dhe z.Ilir Beqja ministër i Shëndetësisë në kohën e përgatitjes dhe përfundimit të procedurës së koncesionit. Njohja fillon prej muajit nëntor 2013, përpara procedurës së koncesionit. Kështu Ilir Rrapaj, Ilir Beqaj, Klodian Rjepaj kanë hyrë në Shqipëri në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas me linjën Ajrore Alitalia Rome në datën 15 qershor 2014”-thuhet në dosjen e SPAK. Më tej, po duke iu referuar hetimeve saktësohet se: “Në dokumentacionin për kapacitetin ligjor të investital LLC rezulton se ky subjekt është regjistruar në datën 17 korrik 2014 në Prishtinë me kapital 1 mijë euro nga Ilir Rrapaj, vetëm një muaj pas udhëtimit së bashku me avion me shtetasit Ilir Beqaj dhe Klodian Rjepaj. Ilir Rrapaj krijon kompaninë Investital LLC pjesë e kompanive që hyri në garë për koncesionin me 40 për qind. Kjo kompani është krijuar vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i ministrit të Shëndetësisë me datë 18 gusht 2014 për ngritjen e komisionit të dhënies se koncesionit. Kompania kishte vetëm një të punësuar, krijuesin e saj Ilir Rrapaj”, thuhet në dosjen e prokurorisë së posaçme. Në materialin voluminoz, renditen disa udhëtime jashtë vendit të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me përfaqësuesit e kompanive. “Admir Daca administrator i shoqërisë saniservice dhe Ilir Beqja me detyrë ministër i shëndetësisë kanë dalë nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar në Rinas drejt Vjenës me datë 25 shtator 2016 Umbro Staçini administrator i shoqërive fituese të koncesionit konkretisht Tecnosanimed SRL dhe U.Jet Srl, dhe Ilir Beqja me detyrë ministër i Shëndetësisë kanë hyrje në Shqipëri ne pikën e kalimit kufitar në Rinas me linjë ajrore Alitalia Romë, me datë 23 maj 2017”, theksohet në dokument. SPAK thotë se Ilir Rrapaj ka mashtruar, pasi nuk ka deklaruar njohjen me Rjepaj, pasi kanë qenë miq në universitet bashke më shtetasin A,LL që është drejtor i kompanisë Saniservice. Prokuroria e Posaçme thekson po ashtu se Ilir Rrapaj ka përdorur për udhëtime edhe makinën e Rjepaj, për të cilin deklaronte se nuk kishte njohje. “Ilir Rrapaj ka hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë me automjetin TR 4112R, e cila ka rezultuar se është në pronësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Automjeti TR 4112R, ka qenë në përdorim të zv.ministrit Klodian Rjepaj”, theksohet më tej. Prokuroria thekson se operatorët ekonomikë fitues kanë patur dijeni të plotë mbi procedurën e dhënies së koncesionit dhe personi që mbante kontakte te vazhdueshme gjatë kësaj periudhe me Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrapaj. Një tjetër shkelje e rëndë e evidentuar është edhe fakti se Brenda QSUT ishte ngritur një qendër e specializuar sterilizimi, e cila mund të ishte vënë në funksionim, me një kosto me të vogël sesa ajo e dhënë me koncesion, por kjo nuk ndodhi edhe pse ish-ministri i shëndetësisë ishte ne dijeni të faktit që reparti i sterilizimit qendror në QSUT kishte të gjitha pajisjet moderne. Kjo qendër me vonë iu la në përdorim privatit. Në lidhje me koncesionin e sterilizimit, janë arrestuar ish zv.ministri Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rapaj, janë dërguar në arrest shtëpie dy zyrtarë ndërsa 4 të tjerë, përfshirë dhe Arben Gjatën, rektor i universitetit te mjekësisë, po hetohen nën masën e detyrimit për paraqitje. Këtë të premte ata dolën para gjykatës dhe u njohën me këto masa./KB