Kursi i këmbimit: Çfarë pritet të ndodhë me euron në shtator

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut këtë javë pati një tendencë në rënie, pas rritjes së fortë të javës së kaluar.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 108.42 lekë. Megjithëse shënoi një rritje të lehtë krahasuar me ditën e enjte, në harkun e një jave Euro ka humbur afërsisht 2.2 pikë në kursin e këmbimit me Lekun.

Ecuria e kursit të Euros ngelet përcaktuese edhe për kursin e valutave të tjera.

Dollari Amerikan këtë javë pati një tendencë në rënie dhe të premten këmbehej me 100.73 lekë, në rënie me pothuajse 2.6 lekë krahasuar me një javë më parë.

Edhe kursi i Paundit Britanik regjistroi një korrektim në rënie dhe e mbylli javën në nivelin e 126.68 lekë, 2.3 lekë më pak krahasuar me një javë më parë.

Javën e kaluar, Euro regjistroi një rritje të fortë në afërsisht 5.5 lekë dhe arriti të rifitonte të gjithë terrenin e humbur gjatë tre muajve të verës.

Më datë 25 gusht, Euro arriti në 110.58 lekë, niveli më i lartë që prej fundit të muajit maj. Megjithatë, gjatë kësaj jave një pjesë e rritjes së fortë të javës së kaluar është korrigjuar dhe aktualisht kursi i këmbimit Euro-Lek ndodhet afërsisht në nivelet e muajit qershor.

Sipas agjentëve, këto lëvizje të kursit në një masë të madhe reflektojnë pjesërisht zbehjen e efektit sezonal. Sipas statistikave zyrtare, këtë vit Shqipëria tërhoqi një numër rekord turistësh të huaj.

Kjo besohet se është shoqëruar me flukse hyrëse të valutës më të mëdha se kurrë më parë gjatë sezonit veror. Oferta e lartë e Euros, e gërshetuar edhe me një ofertë më të shtrënguar të Lekut, për shkak të politikave monetare dhe fiskale me natyrë shtrënguese, bënë që Euro këtë vit të binte në nivelet më të ulëta historike, duke u afruar shumë afër kufirit të 100 lekëve më datë 20 korrik.

Megjithatë, tendenca e fortë rënëse e kursit të Euros këtë vit ka sjellë edhe një luhatshmëri më të lartë të kursit të këmbimit. Rënia është ndërprerë, herë pas here, me periudha rritjeje të fortë të kursit të këmbimit, siç ndodhi edhe në fund të muajit gusht.

Lexo edhe :  Kategoritë dhe shuma / Zbardhet akti normativ, shpërblime edhe për administratën

Ekspertët mendojnë se këto luhatje të forta shkaktohen kryesisht nga sjellja spekulative e aktorëve të tregut dhe qëllimi për të përfituar nga nivelet e ulëta historike të kursit për të blerë me çmim të lirë.

Sipas tyre, një fenomen i tillë mund të ketë ndodhur edhe javën e kaluar. Duke qenë se sezoni turistik ka hyrë në fazën përmbyllëse, shumë subjekte mund të kenë nxituar të blejnë Euro, për shkak të pritshmërisë për një rritje të kursit pas muajit shtator.

Kjo rezultoi në një rritje të fortë të kursit javën e kaluar, që, megjithatë, pjesërisht u korrigjua këtë javë.

Duke qenë se këtë vit kursi i këmbimit ka pasur një luhatshmëri të paprecedentë, agjentët mendojnë se parashikimet janë bërë më të vështira.

Megjithëse nga shtatori e në vazhdim pritet një rënie e prurjeve valutore krahasuar me nivelet e sezonit veror, përcaktuese në tendencat e kursit do të jetë kërkesa e ekonomisë për valutë.

Në rast se, siç hipotizohet, shumë subjekte e kanë blerë valutën e nevojshme gjatë verës, kjo mund të përkthehet në një kërkesë të vakët në muajt e parë të vjeshtës.

Në një skenar të tillë, agjentët nuk presin rritje shumë të rëndësishme të kursit të Euros. Megjithatë, tregu mund të ndikohet edhe nga faktorë të paparashikueshëm plotësisht, siç mund të jenë nevojat e importit të energjisë elektrike, që në një masë të madhe do të përcaktohen nga kushtet atmosferike dhe prurjet në basenet e hidrocentraleve.

Më tej, një ndikim në kursin e këmbimit mund të kenë edhe lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe politikës buxhetore të qeverisë.

Në rast se në tetor Banka e Shqipërisë do të rrisë përsëri normën bazë të interesit, në teori kjo do të krijonte presione të reja mbiçmuese për Lekun.

Nga ana tjetër, nëse qeveria do të rrisë ritmin e shpenzimeve buxhetore në muajt e fundit të vitit, kjo mund të ketë një ndikim në kahun e kundërt, duke shtuar gjasat për nënçmim të Lekut, raporton Monitor./  S.M

Të fundit

Atalanta ndalet në barazim ndaj Lazios dhe shpallet kampione e dimrit në Serie A

Laczio dhe Atalanta kanë dhuruar një ndeshje shumë emocionuese në sfidën e kësaj jave të fundit të vitit 2024...

Gëzuar, me valixhe në duar! Ku shkojnë shqiptarët për fundvit?

Nga pushimet dimërore në Alpet e Europës, te qytetet e dekoruara plot drita dhe tradita, deri tek arratisjet në plazhet ekzotike për ata që...

Astrologia zbulon si mbyllet viti 2024 për secilën shenjë Horoskopi: Ka të papritura

Meri Gjini ka bërë parashikimin e Horoskopit për ditët e fundit të vitit 2024, në një studio televzive. “Nesër kemi Mërkurin në katërkëndësh me Saturnin....

Planet e administratës Trump mbi emigracionin

Emigracioni ishte një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Administra e tij po planifikon zbatimin e masave më...

A mund ta tërheqin shqiptarët pensionin në një shtet tjetër?

Zv. ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani ka ndarë në emisionin “Sheshi i Dollarit” detaje nga marrëveshja e nënshkruar për njohjen e pensioneve....

Lajme të tjera

Web TV