Në zgjedhjet e parakohëshme lokale që do të zhvillohen në Bashkinë Kukës, Sali Berisha kërkoi sërish vulën e Ilir Metës.
A është kjo zgjidhje nga halli apo strategji e kreut të Rithemelimit? I fituari më i madh del sërish Meta, por zërat brenda së djathtës po i bejnë presion Berishës të mos vijojë këtë koalicion i cili u provua me rezultat katastrofik në zgjedhjet e 14 majit.
Edhe për zgjedhjet lokale në Kukës Berisha do të jetë i detyruar ti kërkojë hua vulën e partisë Ilir Metës.
KQZ regjistroi pa Sali Berishën, koalicionin “Bashkë Fitojmë” me të cilin ish-kryeministri do të regjistrojë kandidatin e tij të Kukësit Emri Vata. Vula e Metës shkoi edhe një herë në zyrë të Berishës, por këtë herë nga halli dhe jo nga malli. Koalicioni Berisha-Meta në zgjedhjet e 14 majit nuk solli atë që Berisha priste.
Humbja ishte katastrofike ku nga 61 bashki të vendit fitoi vetëm gjashtë, që të gjitha periferike, me përjashtim të Kavajës që gjithsesi ruajti një lloj shprese, por shumë të venitur. Pas zgjedhjeve të 14 majit jo pak demokratë që iu bashkuan Grupit të Rithemelimit reaultatin e rëndë ia faturuan disi pranisë së Ilir Metës në këtë koalicion.
A ka demokratë me bindje që do votonte të djathtën kur përbri siglës së koalicionit është emri i Ilir Metës?
Një pyetje që Berisha me gjasë e ka menduar gjatë, por nuk është në gjendje t’i japë përgjigje, sepse është i kushtëzuar të falet tek Meta për të përdorur vulën e tij.
Berisha ende shpresonte se gjykatat mund ti kthenin vulën dhe logon e PD-së, por kjo është gati në kufijtë e së pamundurës kur çështja është rikthyer edhe një herë në Shkallën e Parëd he deri në një vendim final do duhen vite. Vula dhe logo e PD-së zyrtare janë në duart e Lulzim Bashës.
Berisha kohën nuk e ka në favor, gjithashtu edhe faktin e madh se është I sanksionuar “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Po a i duhet Berishës Meta, qoftë edhe për vulë? Llogaritë këtë herë duhen bërë ndryshe, sidomos pas dy vitesh kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Nëse Berisha vendos të krijojë një parti të re, duke e konsideruar të humbur përgjithnjë logon dhe vulën e PD-së, atëherë do I duhet të bëjë llofarinë e thjesht: më bie më mirë me Metën në koalicion parazgjedhor, apo secili më vete?
Në këtë pikë pavarësisht dashurisë politike të shprehur Berishës do I duhet të anketojë elektoratin që me shumë gjasë do kërkojnë daljen më vete, pa Metën. Ndërsa Berisha do duhet të mendohet Meta nuk ka pse mendohet fare.
Ai e ka të qartë tkurrjen e madhe të partisë së tij. Ish-LSI-së, sot Partia e Lirisë. Ai do shpresojë që së pari Berisha mos krijojë një parti të re dhe e dyta edhe nëse e krijon të futet nën obrellën e koalicionit, duke synuar të shësë shtrenjt bashkëpunimin me Berishën. Benefitet Meta I ka marrë që tani në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai ka një numër shumë të madh anëtarësh të këshillave bashkiakë dhe shpreson se shumica e tyre të punojnë për ngritjen e Partisë së Lirisë, jo me frymë, pasi ajo ka ikur me kohë, por me metodën e vjetër me farfis dhe ndere.
Dështimi i Berishës në KQZ dhe KAS
Tentative e fundit e Sali Berishës, për t’u përfaqësuar me logon zyrtare të PD-së në zgjedhje, ka dështuar si në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve ashtu edhe në KAS (Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve). Gjithçka do jetë si më 14 maj ku kandidati I Berishës për Bashkinë Kukës do të identifikohet nën logon e partisë së Ilir Metës dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Nga 14 maji, ndryshon vetëm aleati, këtë herë Meta e Berisha kanë zgjedhur jo Dulen por Nard Ndokën. Katër ditë më parë Komisioneri Ilirjan Celibashi regjistroi Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme, duke rrëzuar për të disatën herë të njëjtën kërkesë që ishte bërë nga Sali Berisha. Vendimi i Celibashit u konfirmua këtë enjtë nga Komisioni i Ankimit dhe Sanksioneve në KQZ, duke lënë edhe një herë në fuqi regjistrimin e Bashës.
Edhe në këto zgjedhje e vetmja ‘derë’ e Berishës mbeti sërish Ilir Meta. Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ përmes një kërkese që mban datën 6 shtator të depozituar në KQZ kërkoi regjistrimin në këtë proces të koalicionit të Berishës dhe Metës, që ka për kryetar kryetarin e Partisë së Lirisë. Në kërkesë, u vu re edhe përfshirja e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, kërkesë e cila u rrëzua nga KQZ.
Për këto zgjedhje forcat politike kanë pasur afat deri me datë 1 shtator për t’u regjistruar në KQZ si subjekte zgjedhore, ndërsa kandidatët jo më vonë se data 8 shtator. Tashmë siç dihet opozita do të shkojë e përçarë edhe në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit, duke e ndarë votën mes dy kandidatëve.
PD zyrtare ka kohë deri të premten në darkë për të vendosur nëse do të nxjerrë kandidat apo jo.
Do të pritet edhe lëvizja e Bashës nëse do të dalë ose jo me kandidat të PD-së zyrtare në Kukës. Gjsat janë që Basha të mos “rrezikojë” për të dalë me kandidat, pasi i druhet rezultatit të dobët që mund t’i përdoret nga kundërshtarët si dështim, menjherë pasi u rikonfirmua si kreu i PD-së zyrtare.