Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi dje Këshillin Kombëtar të “Grupit të Rithemelimit” në PD duke kërkuar që qytetarët dhe demokratët të dalin në sheshe dhe rrugë në protesta masive dhe të vendosura.
Berisha është kujdesuar për ta trajtuar “çështjen e tij me drejtësinë”, si një “tentativë të Ramës për të sulmuar opozitën”.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të “PD-së së Berishës” është diskutuar aksioni opozitar pas marrjes nën hetim të Berishës nga SPAK për “korrupsion pasiv”. Berisha ka kërkuar që çdo demokrat të reagojë, pasi sipas tij nuk është “goditur Berisha, por demokracia dhe PD-ja”.
Në mbledhjen e Kryesisë, akuza e SPAK për Sali Berishën ka “shqetësuar” demokratët të cilët po bëhen gati për një përgjigje ndaj sulmit si sipas tyre po i bëhet kryetarit. Grupimi i Rithemelimit duket se në është gati të krijojë një foltore tjetër.
Pasditen e djeshme, Berisha mblodhi Këshillin Kombëtar, vendim i cili vjen pas mbledhjes së kryesisë së partisë. Berisha ka deklaruar se Edi Rama kërkon që të asgjësojë opozitën, ndërsa e krahasoi atë me diktatorit Enver Hoxha. Berisha tha se nëse Hoxha e rrëzoi opozitën me plumba, Rama pavarësisht përpjekje të tij, (jo me plumba), nuk ia ka dalë sipas ish-kryeministrit.
“Kjo histori për të cilën jemi këtu, fillon në prillin e 2021, kur zgjedhjet ishin mbyllur në tavolinë, pavarësisht nga lumenjtë e djersës së popullit opozitar. Kërkoi uratën e Berishës për bashkëqeverisje… Nëse do pranoja atë kontratë sot nuk do isha non-grata, nuk do kisha dhëndrin padrejtësisht në burg. Por si ta pranoja këtë pazar me Ramën?
Pluralizmi është fëmija im, s’mundet kurrë që unë të bëja një kompromis të tillë për të asgjësuar pluralizmin që sollën më ’90. Pasi refuzova këtë propozim, Rama shtiu plumbin e radhës ndaj opozitës”, tha Berisha. Anëtarët e Kryesisë apo edhe të Këshillit Kombëtar kanë ide të ndryshme të reagimit pas ngritjes së akuzave nga Prokuroria e Posaçme kundër Sali Berishës në lidhje me privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Shumë prej tyre pretendojnë se nuk është duke u luftuar Sali Berisha, por Partia Demokratike në tërësi. Për privatizimit e kompleksit Partizani, ndaj Berishës, Gjykata ka caktuar detyrim paraqitje dy herë në muaj para oficerit të Policisë Gjyqësore dhe bllokimin e pasaportës për të mos dalë nga vendi.
Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, sipas SPAK, ka arritur të marrë përfitime të parregullta.Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, ka paralajmëruar se aksioni opozitar i nisur në Kuvend do të shtrihet në sheshe dhe rrugë.
“U bëj thirrje demokratëve që kjo dacibao të mos na shpërqendrojë nga misioni ynë. Misioni ynë është shpëtimi i Shqipërisë. Puna që kemi bërë deri tani, cilësohet e shkëlqyer. Kemi bërë një punë të mirë dhe kjo vërtetohet nga agresioni që na kanë bërë. Nëse nuk do kishin frikë dhe tmerr nga ne, nuk do tërboheshin në këtë mënyrë.
Ne kemi nisur një proces bashkimi që nuk do ta frenojnë me asgjë. Së dyti ne do të bashkojmë çdo shqiptar. Nuk është vetëm opozita e agresuar.
Agresioni i bëhet çdo qytetari që është në mëshirën e bandave sepse gjykatat kanë tarifa për vendimet e tyre”-tha Berisha. Kreu i grupit të Rithemelimit “çështjen e tij” e cilëson si “çështje të opozitës”, duke u kërkuar qytetarëve të djathtë, sidomos atë pjesë të PD-së që të ngrihen në revotë në rrugë dhe sheshe. ”Agresioni u bëhet xhepave të shqiptarë, studentëve, agresioni po i bëhet gjysmës së kombit, shqiptarëve të Kosovës.
Të agresuar sot janë çdo shqiptar që nuk është pjesë e sektit të rilindjes. Strategjia jonë është kjo, opozita e bashkuar. Do nisim dialogun me segmentet e argresuara. Do të shtrijmë betejën në sheshe rrugë, në një rezistencë të pakthyeshme.
Deri në vitin 2025, luani do të jetë i zgjuar dhe do të përballet me hienat që menduan se mund të rikthejnë një diktaturë të dytë”, tha Berisha.
Ndër të tjera, ish-kryeministri u shpreh se ata që nisën procesin ndaj tij, do tëpërballen me “gjyqin e shekullit”. “Për armikun nuk ka kushtetutë dhe ligje që pengojnë luftën kundër tij, ndaj dhe “skapi” dhe gjykata popullore e partisë vendos sankisone të cilat kushtetuta nuk i lejon pa marrë miratimin e parlamentit.
Ju garantoj se ata që nisën procesin e shekullit do të përballen me gjyqin e shekullit kundër tyre. Atë gjyq do ua bëjmë në të gjitha rrugët e sheshet e Shqipërisë. Në atë gjyq ata do të dalin të mundur sikurse janë”, tha Berisha.