Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij të mbajtur në Asamblenë e PS-së, analizoi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke vënë theksin në rritjen e pagave. Teksa u ndalur tek drejtësia e re, kryeministri deklaroi se: “e solli PS-ja, jo amerika me aeroplan”.
Partia Socialiste ka mbledhur dje Asamblenë e Zgjeruar në qytetin e Pogradecit, nga ku ka mbajtur një fjalë edhe kryeministri Edi Rama. Kryeministri është ndalur gjatë në projekt-buxhetin e vitit 2024 duke theksuar se janë rreth 400 milionë euro të planifikuara për rritjen e pagave në disa sektorë të administrratës publike. Ndërsa duke folur për reformën, kreu i qeverisë u shpreh se ka persona që thonë se drejtësinë e solli Amerika, ndërsa shtoi i prerë se e vetmja forcë në tokë që e ka sjellë atë është Partia Socialiste. Ndonëse kjo deklaratë shihet si “mesazh” për drejtësinë e re, duke u kujtuar se janë aty si platformë e vetë Ramës dhe PS-së, sërish Rama ka artikuluar se pas reformës në drejtësi nuk është Amerika, por PS. Ai shtoi më tej se në Shqipëri ka rënë miti i personit të paprekshëm. “Nga ana tjetër është patjetër drejtësia. Drejtësinë e kemi pasur ambicien tonë më të lartë dhe kemi bërë përpjekje për të bërë reformën në Drejtësi që kur ishim në opozitë. Kur kemi qenë në opozitë i kemi propozuar qeverisë asokohe. Ka disa që thonë se ne kontrollojmë drejtësinë, këtë e thonë se nuk është mësuar njeri këtu, sidomos këta që kanë pasur pushtet, që të funksionojë kështu.
Ashtu ka funksionuar kur ishin ata në pushtet, drejtësia ishte farsë, e telekomanduar, sot nuk është. Në Shqipëri ka rënë miti i personit të paprekshëm. Ka disa që thonë e solli Amerika, me ça e solli Amerika, me aeroplan? Këtë e ka sjellë vetëm një forcë në tokë, Partia Socialiste”, tha Rama.
Ekonomia
Kryeministri Rama u shpreh se sipas raportit të FMN, Shqipëria është një nga vendet me ekonomitë më rezistente të rajonit. Kreu i qeverisë theksoi se për vitin 2024 buxheti parashikon 400 milionë euro për rritje pagash, gjë që sipas tij do e vlerësojë pagën mesatare në sektorin publik me 900 euro. “Në vend që të mbash barrën e të punuarit për dikë tjetër në Angli, Itali apo Greqi e çdokund tjetër dhe në fund nuk të ngelet gjë, të investosh kursimet në cilindo fshat, është e sigurt që në fund të muajit të lë me diçka. Këtë sot nuk e them unë, por faktet e atyre që e kanë bërë këtë. Është një kullë në fund të botës, në Bulqizë dhe nëse shihni historinë e kësaj kulle, si është transformuar në destinacion turistik dhe tani ajo nxjerr fitim. Koha kur shkoje në Europë dhe mund të kurseje mjaftueshëm për të imagjinuar për të bërë plot gjëra nuk është më. Krahasimet rrogë më rrogë nuk vlejnë, vlen çfarë mbetet në fund, sidomos për të rinjtë. Çfarë vlere ka të punosh për të tjerët dhe në fund nuk merr asgjë dhe pse kë gjërat e domosdoshme dhe të përditshme. Sot kemi në dorë raportin e FMN që thotë se vendi ka një nga ekonomitë më rezistente të rajonit. Kemi një zbritje të borxhit që nuk e kemi pasur asnjëherë, shkojmë te 60%-ëshi. Ju e dini sa na duhej të përballeshim me borxhin pasi u përballëm me tërmet dhe pandemi që nuk i kishim në dorë. Nëse ekonomia nuk është rezistente nuk zbret borxhi. Fakti tjetër është që në vitin 2024 ne do të kemi 400 mln euro për rritje pagash. Paga mesatare në sektorin publik do të shkojë 900 euro, kemi krijuar mundësi”, u shpreh ai mes të tjerash.
Pensionet
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Asambleja e Zgjeruar e PS-së në Pogradec se numri i pensionistëve është shumë më i lartë se ai i punonjësve të shtetit. Sipas tij kjo ndikon në shifrën që merr çdo pensionist, ndërsa u shpreh se “kaq mundësi ka”, sa i përket kësaj shtrese. Ai u shpreh se nga ana tjetër të rinjtë nuk duhet të ankohen dhe të thonë se “gjyshi apo babai e ka pensionin e ulët”, pasi ata nuk kanë paguar kontributet. “Unë e di shumë mirë që për pensionistët nuk do mjaftojë dot asnjëherë ajo që ne bëjmë në raport me ata që bëjnë. Por në mënyrë transparente këto janë mundësitë dhe këto janë shifrat. Kemi një numër të lartë pensionistësh krahasimisht me numrin e punonjësve të shtetit dhe për këtë arsye edhe rritja e pensioneve është me e ngadalte. Duke pasur parasysh që nëse ka një gropë që ne nuk e kemi mbyllur ende është gropa e krijuar nga mungesa e kontributeve shoqërore. Se kollaj është sot të thuash se gjyshi apo babai ka një pension të ulët, por duhet të pyesësh veten që unë kam paguar kontribute që gjyshi apo babai të ketë një pension të mirë? Përgjigjja është jo”, tha Rama.