Ekipi i futbollit që bashkoi një komb

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër

 Nga ROLAND QAFOKU

Nuk është mësuar Shqipëria me gëzime të këtij lloji në sport. Pjesëmarrja në vitin 2016 për herë të parë në finalet e Kampionatit Evropian ishte një prej tyre. Më pas mund të rendisim dy tre ballkaniada të fituara në futboll dhe volejboll për femra pa ndonjë vlerë ndërkombëtare dhe kaq. Por, nga e premtja, kombëtarja e futbollit shqiptar shënon për herë të dytë emrin e saj në një finale evropiani. E ndërsa e para ishte edhe si pasojë e fatit të fillestarit, kjo arritje është padyshim maja e të gjitha majave të sportit shqiptar. Kombëtarja jonë ka bindur me lojë, me rezultate duke arritur vendin e parë në grup dhe kjo është padyshim plotësisht e gjitha për meritë, pa asnjë kalkulim matematikor, apo si rezultat i ndonjë fitoreje në tavolinë. Me gjasa do të jemi në vend të parë në grup dhe kjo arritje bëhet akoma më me vlerë. Por fitorja më e madhe këtë herë është se ai topi i vogël i rrumbullakët ka bërë bashkë si kurrë më parë një komb të tërë. Nuk ka shqiptar, në Shqipëri po se po, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Malin e Zi, Çamëri, Evropë, SHBA, Australi e deri Zelandë e Re që të mos ketë ndjekur qoftë edhe një ndeshje në këto eleminatore. Dhe nëse e krahasojmë me arritjen e vitit 2016, vërehen disa diferenca që tregojnë se kjo aktualja është kombëtare shumë më cilësore në shumë aspekte. Përse është kjo?

Së pari, kombëtarja e futbollit për herë të parë është përfaqësuesja e të gjithë trojeve. Vërtetë në kombëtaren e vitit 2016 ne kishim edhe disa futbollistë nga Kosova. Madje Lorik Cana i lindur në Prishtinë, jo vetëm ishte kapiten i ekipit, por ishte futbollisti kryesor i saj. Por këtë herë kombëtarja ka në përbërje të saj disa lorikë. Përfaqësimi aktual është shumë më i gjerë dhe përfshin pothuaje nga të gjithë trojet shqiptare. Ngjan sikur selektimi i futbollistëve të jetë bërë duke patur përpara një hartë të Shqipërisë etnike se sa të dhëna për futbollistët. Kështu, portieri Etrit Berisha është nga Prishtina, Elseid Hysaj është nga Shkodra, Berat Gjimshiti nga Lugina e Preshevës, Mario Mitaj nga Malësia e Madhe, Arlind Ajeti nga Llapi, Ardian Ismajli nga Podujeva, Enea Mihaj nga Pogradeci, Klaus Gjasula nga Tirana, Ylber Ramadani nga Shtimja, Kristian Asllani nga Elbasani, Kejdi Bare nga Fieri, Nedim Bajrami nga Tetova, Qazim Laçi nga Peshkopia, Taulant Seferi nga Kumanova, Jasir Asani nga Shkupi, Myrto Uzuni nga Berati, Sokol Cikalleshi nga Kavaja, Ernest Muçi nga Tirana, Arbnor Muja nga Mitrovica. Përfaqësim më të saktë me shpërndarje gjeografike nga të gjitha trojet nuk ka patur kurrë kombëtarja shqiptare në futboll, por as edhe në asnjë sport gjithashtu. Prandaj këtë ekip mund ta quajmë kombëtarja e shqiptarëve dhe jo kombëtarja e Shqipërisë. Dhe kjo i jep një dimension shumë herë më të madh këtij ekipi.

Së dyti, pika më e fortë e ekipit aktual kombëtar është kompaktësia në grup dhe fryma po në grup. Edhe në kombëtaren e vitit 2016 ekipi kishte pothuajse këtë cilësi kryesore. Por kombëtarja aktuale është shumë shumë herë më lartë në këtë drejtim. Në ekip nuk ka grupe, nuk ka klane dhe nuk ka dasi. Futbollistët komunikojnë shumë me njëri-tjetrin, veçanërisht në fushën e lojës, kur janë me, apo pa top, kur gabojnë, apo kur shënojnë. Dhe kur i shikon në stadium kupton qartë harmoninë mes tyre. Një futbollist si Jasir Asani nga Shkupi dhe një futbollist si Sokol Cikalleshi nga Kavaja, shkojnë po aq mirë me ekipin sikur kanë lindur në të njëjtën lagje dhe janë rritur bashkë.

Së treti, kombëtarja aktuale ndryshon nga përbërja e kombëtares së vitit 2016 sepse një nga pikat e saj më të forta ka stolin e rezervave. Në kombëtaren që ishte pjesë e Evropianit kishte futbollistë të mirë, por mungesa e një futbollisti titullar në një ndeshje ishte problem serioz për trajnerin Gianni De Biasi. Futbollistë në stolin e rezervave ishin shumë më poshtë në krahasim me titullarët dhe ky ishte ndër problemet kryesore të asaj kohe. Të gjithë e kujtojmë sot që mjaftonte të mungonte Lorik Cana dhe të gjithë bindeshim se ndeshjen do ta humbnim. Ndërsa me akipin aktual futbollistët që vijnë nga stoli kanë pak ose aspak diferenca. Ky ekip ka patur momente që kanë munguar në një ndeshje edhe 5 apo 6 titullarë dhe nuk është ndjerë mungesa e askujt.

Së katërti, pjesa e stafit aktual trajnues është shumë herë më cilësore se ajo e vitit 2016. Është e vërtetë që Gianni De Biasi ka një meritë të jashtëzakonshme në atë kualifikim të parë. Pa dyshim që ai ishte një trajner i mirë dhe një psikolog i madh. Pasi iu dha pasaporta shqiptare, italianit ishim gati t’i bënim një shtatore në Tiranë. Por na dukej se ai sukses do të mbetej aty dhe kombëtarja do të kthehej sërish në identitetin e viteve ‘90-të. Por u nxituam dhe gabuam. Cilësia e brazilianit Sylvio Mendes Campos Junior, ose siç njihet, Sylvinho dhe e bashkëpunëtorëve të tij është shumë herë më e lartë se e De Biasi-t. Trajneri nga Sao Paolo ka arritur ta ngrejë shumë më lart stekën e De Biasi-t. Një ndihmë e jashtëzakonshme e tij kanë qenë edhe ndihmësat Pablo Zabaleta nga Argjentina dhe Doriva nga Brazili duke krijuar një staf vërtetë me vlera të larta profesionale. Koncepti i lojës që ai ka përcjellë te futbollistët nuk ka mjaftuar vetëm në stacionimin e autobusit në zonën e mbrojtjes dhe me shpresë për ndonjë kundërsulm me shanse goli. Ekipi i Sylvinho-s është sulmues me lojë, me koncept por edhe me rezultate gati të pabesueshme. Ndërkaq, fakti që Sylvinho jeton në Shqipëri dhe nuk është trajner me kohë të pjesshme, ka ndihmën e vet në këtë sukses. Krijimi i një mentaliteti fitues te futbollistët erdhi pikërisht nga arkitekti Sylvinho, i cili pas ndeshjes në Moldavi tha: Kur beson dhe punon fort, ëndrra bëhet realitet.

Lexo edhe :  25 vite Kushtetutë/ Begaj: Kemi bërë hapa përpara në reformën në drejtësi

Së pesti, kombëtarja aktuale është shumë më cilësore në lojë, por veçanërisht edhe me rezultative. Nuk ishte parë e dëgjuar që Shqipëria të arrinte 6 ndeshje rradhazi pa humbje, brenda dhe jashtë fushës. Dhe me gjasë do të bëhen 7 me fitoren e mundshme sot me Ishujt Faroe. Nuk ishte parë që Shqipëria të mundte rresht, Poloninë 2-0, Çekinë 3-0, Bullgarinë 2-0 dhe të barazonte në Çeki 1-1, në Moldavi 1-1. Një rezultat kaq i pastër si ai 3-0 me Çekinë, në eleminatoret e vitit 2016, ekipi e arriti vetëm në tavolinë me Serbinë pas vendimit të KAS në Lozanë. E pra, kjo ka një domethënie shumë shumë të madhe.

Së gjashti, futbollisti i 12-në fushë, tifozët, kanë qenë dhe mbetet një nga faktorët kryesorë në arritjen e këtij rezutati. Krijimi i një atmosfere feste në stadium duke i mbështetur futbollistët nga minuta e parë deri te e fundit ka sjellë përherë një vetëbesim te ata duke e treguar këtë në fushën e lojës. Vetëm ai që nuk ka qenë në stadium nuk e kupton këtë cilësi dhe ndikim të tifozëve. Vërtetë në fushë kanë luajtur 11 futbollistë, por kori i tifozëve që kanë mbushur si rrallë herë shkallët e stadiumit kanë ngritur peshë zemrat e futbollistëve duke ndikuar padyshim edhe në rezultat. Kanë qenë mijëra tifozë që edhe duke sakrifikuar kanë ndjekur kombëtaren në çdo ndeshje duke dhënë zemër për të arritur çdo rezultat.

Së shtati, eksperienca e fituar në 2016 këtë herë ka dhënë një tjetër produktivitet. Duhet thënë se këtë herë federata dhe veçanërisht specialistët e saj janë treguar shumë herë më shumë profesionistë. Vlera e tyre ka nisur nga mënyra se si janë përzgjedhur futbollistët që nis me grupmoshat dhe kjo ka vijuar zinxhir, zbulimi i talenteve të reja dhe ndjekja e tyre në vijimësi. Rasti më specifik është i Ivan Balliut nga Spanja që e mësoi që ishte me orgjinë shqiptare vetëm kur i trokitën në derë përfaqësuesit e FSHF. Kjo tregon se me sa seriozitet, por edhe me përkushtim është punuar për të afruar në kombëtare ata që e meritojnë pavarësisht njohjeve, lidhjeve, tarafeve.

Së teti, motivimi i futbollistëve në këtë kombëtaren aktuale ëshë shumë herë më i lartë se ai në vitin 2016. Pa mohuar asgjë nga ajo kohë, futbollistët aktualë janë më të lidhur, më të bashkuar dhe më të motivuar. Me ndonjë përjashtim, në ekip nuk ka asnjë futbollist problematik dhe që dëmton harmoninë në ekip. Si tha Klaus Gjasula kur i ati e pyeti përse luante më mirë me kombëtaren se sa në Bundesligë? Ai iu përgjigj: Babi, kur luan për Shqipërinë të bëhet mishi kokrra-kokrra. E pra këtë motivim kurrë më parë nuk e ka patur kombëtarja e Shqipërisë.

Së nënti, kjo kombëtare po tregon se yjet e mëdhenj janë të vlefshëm derisa bëhen pjesë integrale e skuadrës. Ndryshe, ata nuk i vlejnë ekipit. Vendimi i trajnerit Sylvinho për të mos e thirrur Armando Brojën në ekip u tregoi të gjithëve se ai është vërtetë një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, por kjo nuk vlen nëse ai shfaq teka dhe cilësi jo bashkuese me ekipin. Vetëpërkëdheljet dhe dhënia rëndësi aftësive vetjake janë përjashtuar nga kjo kombëtare. Sigurisht që është luks për ne që të mos përfshijmë në ekip një talent si Broja, por mbi të gjitha ai duhet të ulet me këmbë në tokë dhe duhet të jetë i përulur ndaj punës dhe ekipit. Ndryshe i dëmtuari në këtë rast do të jetë vetëm ai dhe jo kombëtarja e Shqipërisë.

Së dhjeti, infrastruktura ka ndikuar jashtëzakonisht në suksesin e këtyrë eleminatoreve. Të gjithëve na kujtohet Lorik Cana kur në një intervistë në vitin 2014 tha: Ju kërkoni të kualifikohemi në Evropian? Mirë, por ne nuk kemi qoftë edhe një stadium të vetëm. A e kuptoni se çfarë po kërkoni? Dhe ai kishte shumë të drejtë. Sot kjo i përket të shkuarës. Stadiumi “Air Albania” por edhe stadiumet e tjera si ai në Elbasan dhe në Shkodër janë impiante që e kanë bërë futbollin shqiptar shumë më cilësor. Për të vijuar edhe te fusha e stërvitjes së kombëtares që nuk kanë të krahasuar me ato të vitit 2016./kb

 

 

Të fundit

Arsenal shkatërron Lensin në “Emirates”, francezët të pafuqishëm përballë “Topçinjve”

Arsenali fiton me rezultat tenistik 6-0 ndaj Lensit në kuadër të xhiros së pestë në Ligën e Kampionëve në...

Champions League/ Napoli i pafuqishëm ndaj Real Madrid, Inter “ringjallet” ndaj Benficas

Inter ia del të shmangë humbjen në Lisbonë përballë Benficës edhe pse pjesën e parë e mbyllën me rezultatin 0-3. Zikaltërit reaguan në fraksionin...

Pengesa e Elon Musk për të qenë lider botëror, vetvetja

Nga BRIAN FUNG, CNN – Elon Musk është kthyer në një lojtar gjithnjë e më të rëndësishëm në çështjet globale. Themeluesi i SpaceX ka qenë...

Djali i themeluesit të Hamasit bën thirrje për vrasjen e liderëve të grupit

Djali i themeluesit të Hamasit bën thirrje për vrasjen e liderëve të grupit, përfshirë babanë e tij Në një video prej më shumë se...

Kryevepra që u kthye në meme

“The Laughing Valier”, piktura e vitit 1624 është ekspozuar së fundmi në Galerinë Kombëtare të Londrës. “Kur hyra brenda dhe e pashë, mbeta i shtangur”,...

Lajme të tjera

Web TV