Deputetët e opozitës që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha vijuan edhe dje me hedhje tymuesesh, fkaladanë dhe përmbysje të karrigeve. Në “vendin e ngjarjes” shkuan punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të grumbulluar “provat”. Nuk përjashtohet mundësia e nisjes së procedimeve penale nga SPAK.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka shkuar dje në Parlament për të mbledhur prova për karriget që hodhi opozita dhe për flakadanët që ndezi Flamur Noka përpara foltores së Kuvendit. Menjëherë pas mbarimit të seancës plenare, punonjësit e BKH-së këqyrën nga afër sallën e seancave plenare në Kuvend. Është hera e dytë që “ekipi” i BKH-së që varet nga SPAK shkon në Parlament për të sekuestruar dhe fiksuar “provat materiale” që në të ardhmen mund të shërbejnë për nisjen e procedimeve penale për deputetët e opozitës që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha. Prej një muaji senacat Parlamentare janë kthyer në përplasje të fortë mes deputetëve dhe punonjësve të Gardës së Republikës. Opozita kërkon ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për disda çështje, por kjo e drejtë kushtetuese i është mohuar nga mazhoranca e cila së fundmi ka kaluar projekt-ligjin që kufizon “objektin e hetimit”. Berisha dhe mbështetësit e tij e konsiderojnë një shkelje të rëndë kushtetuese dhe kanë reaguar duke prishur punimet në çdo seancë Parlamentare.
Përplasja
Para nisjes së seancës plenare deputetët e opozitës u konfrontuan me punonjësit e Gardës, ku shkak u bë dhe kontrolli i çantave të deputetëve. Gjatë seancës, e cila zgjati pothuajse 17 minuta, u hodhën tymuese dhe iu vu flaka fasoletave nga deputeti Flamur Noka. Gjithashtu, ky i fundit tentoi t’i vendoste flakën karrigeve të vendosura grumbull në mes të sallës, por u ndalua nga Garda. Pasi hodhi tymuese, Noka u përjashtua nga Kuvendi, por refuzoi të dilte deri në momentin e mbylljes së seancës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërsa salla u “pushtua” nga tymi shumëngjyrëshe. Deputetët e opozitës u konfliktuan edhe me gardistët, teksa në derën e Kuvendit ligjvënëse iu kontrolluan edhe çantat, pasi nëpërmjet tyre kanë arritur të fusin tymueset në sallë. Pasi kaosit në sallë, Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën si persona që po bën grusht shteti me institucionet shqiptare, duke i marrë nën kontroll. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi i ka cilësuar komuniste ndryshimet ligjore të propozuar nga socialistja Ermonela Felaj. Sot pritet që grupi parlamentar i PS të nënshkruajë kërkesën për përjashtimin e një grupi të deputetëve të opozitës. Mbetet për tu parë kjo nismë e PS, ku pritet të merren dhe masat ndëshkimore. Karrige të përmbysura aty ku duhet të jetë foltorja, prezencë e shtuar e Gardës së Republikës, tymuese dhe zërat e deputetëve të mazhorancës në sfond. Është ky skenari që u përsëritet sërish në Kuvendin e Shqipërisë, teksa opozita është zotuar që ta vijojë paralizimin e jetës parlamentare deri në respektimin, siç janë shprehur ata, e të drejtave të tyre kushtetuese. Teksa deputetët e grupit të Rithemelimit qëndronin në këmbë duke ndezur tymuese dhe transmetuar live në rrjetet e tyre sociale, ligjvënësit socialistë vijuan të marrin fjalën e tyre nga vendi, duke mos kursyer edhe kritikat për sjelljen e kolegëve të tyre. Ndër të tjerë, Flamur Noka të cilit kryeparlamentarja Lindita Nikolla i komunikoi përjashtimin, u vuri flakën një sërë letrash që mbante në dorë. E gjetur përballë kësaj situate, kryetarja e Parlamentit njoftoi mbylljen e seancës, vetëm disa minuta pasi kishte nisur./kb