Nga Lorenc Vangjeli
SPAK dje i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”. Kuvendi nga ana e tij do nis procedurat referuar kërkesës, ndërsa Berisha ka akuzuar sërish Ramën për asgjesimin e opozitës. Si i shihni zhvillimet dhe a do ti përgjigjet Berisha urdhërit për “arrest shtëpie”?
Ky është zhvillimi formal i një procesi që nuk ka të bëjë me çështjen konkrete në të cilën është përfshirë zoti Berisha. Eshtë shumë më shumë se kaq.
Eshtë momenti që pa asnjë dallim dhe për askënd, mali i akuzave që artikulohen pafund për gjithkënd të kenë fatin e fjalëve në erë.
Ato duhet të çertifikohen nga gjykata. Dhe kur drejtësia troket edhe në derën e Sali Berishës, njeriut pa portretin e të cilit nuk mund të kuptohet fytyra e vrazhdë e tranzicionit shqiptar, gjithkush duhet ta mbajë veshin tek dera e shtëpisë së tij se mos dëgjon hapa që i afrohen asaj. Nuk është fati i lig, por një mundësi e madhe që Berisha të ketë këtë duel me drejtësinë. Ndryshe nga çdo herë tjetër në fushën e saj.
Aty ku urdhëron sistemi të qërohen hesapet me çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq. Do të kishte qenë shumë më mirë nëse që në krye të herës Berisha të kishte pranuar të dorëzonte pasaportën dhe të shkonte t’i tregonte gjeneralitetet oficerit të policisë gjyqësore, siç u kërkua nga SPAK dhe u konfirmua nga gjykata. Sali Berisha dhe gjithkush tjetër është i pafuqishëm ta ndalojë një rrjedhë të tillë.
Edhe me rezervat e tij vetjake ndaj pjesës formale të procesit, qortimi i masës së deri tanishme është punë avokatësh, ai duhej të sillej politikisht dhe të ndeshej për pafajësinë e tij sipas rregullave të lojës. Por në dilemën e tij, në blofin që bëri, ku asnjë palë nuk mund të kthehej mbrapsht, sistemi i drejtësisë nuk kishte asnjë shans të tërhiqej.
Ndoshta do të ishte më e udhës që të kërkohej procedimi i tij në ndjekje në gjendje të lirë, por sa kohë ndodhi ndryshe, politika dhe argumentat e Berishës nuk kishin asnjë vlerë të verifikoheshin jashtë hallkave të sistemit.
Nga ana tjetër, për paradoks, vendimi i fundit i Altin Dumanit, më shumë sesa vetë Berishën, ka trembur një pjesë të socialistëve vulnerabël ndaj drejtësisë. Shpresa e tyre ishte që nga kjo përplasje, të thyhej SPAK-u. Fatmirësisht, pavarësisht empative vetjake, kjo gjë nuk ndodhi.
Në Kongresin e PS-së, ajo që u vu re ishte një panel i gjatë me folësa që si kryefjalë kishin “arritjet e Ramës” dhe më pas fjala e kryeministrit. Nuk pati asnjë lëvizje në qeveri apo strukturat e partisë, ndonëse shumë nga të pranioshmit prisnin ndonjë surprizë, për mirë ose për keq. Si duhet lexuar kongresi i PS-së?
Ka të paktën tre ngjarje në maxhorancë, të cilat menduan se do të ndryshonin botën e mpirë të qeverisjes, PS-së dhe administratës së saj. Asambletë e gushtit dhe të shtatorit dhe kongresi i jashtëzakonshëm i dhjetorit, pararendja e tyre u zhgënjye nga mënyra që kishte zgjedhur Rama për të reaguar.
Në rastin e parë u ndëshkua sekretariati i partisë, sekretari i përgjithshëm i saj Damian Gjiknuri, ndonëse ishte pjesë drejtuese e kupolës së partisë që sapo kishte dalë fituese nga zgjedhjet e majit duke përgënjeshtruar bindjen që kali fitues nuk lihet në stallë. Në rastin e dytë, ndryshimet në qeveri u panë qartë që ishin të përkohshme sepse një pjesë e kabinetit është formuar si me lojtarë stoli dhe të tjerë mund ta kenë të pamundur realisht më pas, që të jenë pjesë e tij. Pavarësisht emrave të ndryshëm, identikitet e atyre që ikën dhe atyre që erdhën nuk ndryshonin në thelb nga njëri-tjetri.
Dhe në rastin e tretë, më shumë akoma, i vetmi vendim i kongresit të jashtëzakonshëm ishte thirrja e një kongresi të zakonshëm në pranverën e vitit të ardhshëm. Në pamje të parë duket se Rama po diktohet nga rrjedha e ngjarjeve, por në të vërtetë, njeriu më i informuar në Shqipëri, që normalisht është kryeministri, diku vendosi të verë fasho në një plagë që ka nevojë për kirurgji e diku tjetër e la kirurgjinë për më vonë dhe në dispozicion të mjeteve të tjera që ai ka në dispozicion.
Për momentin, ngjan se krejt ndryshe nga sa thonë kritikët e tij dhe krejtësisht ndryshe nga motivet që e paragjykojnë, ka një përshtatje në bashkëjetesën e re të tre pushteteve, me bashkëqeverisje në distancë mes kryeministrit dhe drejtuesit të SPAK-ut, mes Ramës dhe Dumanit. Vendimet e të parit ndikohen nga hetimet e të dytit.
Në mbledhjet e të hënës së grupit parlamentar të PS-së, Rama përmendi dhe togfjalëshin drithërues për deputetët e tij: Zgjedhje të parakohshme. Llogaritë e tij që e nxjerrin fitues edhe të mandatit të katërt radhazi, cënohen vetëm në një pikë: në frikën që skena politike mund të ketë një “LSI” të re. Në kuptimin që qeverisja mund të kushtëzohet nga një pakicë bllokuese që do t’i diktonte Ramës shumëçka.
Një pakicë që Perëndimi e ka refuzuar tani dhe do ta refuzonte prerë dhe pa apelim edhe nesër. Ndoshta shpejt kjo pengesë do të bjerë dhe mund të dëgjohet më shpesh togfjalëshi që mpin socialistët e parlamentit.
Në anën vizuale në Kongresin e PS-së, në pjesëm më të dukshme ishte logo: “PS 2030”… Kjo ishte mënyrë për të demoralizuar edhe më shumë kundërshtarët politik që kjo mazhorancë do vijojë edhe përtej dy mandateve, apo vërtetë Rama mendon se pushtetin do e vijojë edhe për dy mandate tjera radhazi?
Shqipëria është vendi të papriturave. Shansi i Ramës, por jo i shoqërisë shqiptare është që për t’u realizuar një gjë e tillë, Rama nuk ka nevojë të fitojë, por thjesht të presë që të humbasin kundërshtarët e tij. dhe me këtë skenë politike në të djathtë, me këtë konfigurim të saj, nuk ka asnjë shans që ata të riciklohen në pushtet.
Pragmatizmi i hershëm tiranas që thoshte: “Qorr për qorr, qorrin e kam në oborr!”, e kushtëzon dhe inkurajon votuesin shqiptar, qoftë atë besnikun e majtë, qoftë indiferentin që të mos vënë re asnjë mëkat të Ramës në dilemë për ta rivotuar. Ai gjithashtu dekurajon elektoratin e djathtë të mpirë humbje pas humbjesh. Vjen një moment që edhe vetë humbja bëhet ves dhe nuk bie më në sy.
Duket se Rama është më i fortë se kurrë, me një maxhorancë të stabilizuar në Parlament, një qeveri që e kontrollon tërësisht, pushtet lokal gjithashtu dhe opozitë të shkërmoqur. Përderisa kundërshtarët politik nuk e rrezikojnë, kush mund ta “rrezikojë” Ramën, ku edhe brenda partisë nuk ka asnjë zë kundër, ose një lobim të brendshëm në PS që kërkon “vendin e Ramës”?
“Rama është më i fortë se kurrë?”, kjo është gënjeshtra më e madhe tek e cila besojnë njerëzit e dobët në përgjithësi, tifozët dhe fanatikët që e mbështesin dhe kundërshtarët që kërkojnë të ngushëllohen pikërisht nga kjo gënjeshtër qesharake. Është e vërtetë që në parti dhe në qeveri nuk ka asnjë fije bari që mund t’i bëjë hije kryeministrit.
Eshtë e vërtetë që vullneti i tij ka vlerën e ligjit për socialistët dhe shqiptarët në përgjithësi. Eshtë po kaq e vërtetë që autoriteti i tij është i padiskutueshëm në parti, qeveri dhe grupin e tij parlamentar, por këto nuk janë të mjafta për ta bërë atë më të fortë se kurrë. Një tjetër pushtet, ai i drejtësisë, është larg, shumë larg në segmente domethënëse të tij nga kontrolli i kryeministrit.
Ai kontrollon dhe balancon pikërisht këtë pushtet të Ramës mbi gjithçka tjetër. Dhe madje, edhe do të ndikojë dhe do të diktojë disa nga qëndrimet e tij në të ardhmen. Shqipëria e sotme ka dy pamje. Nëse në dhjetorin e vitit 1990 u përmbys një sistem politik, sot është duke u përmbysur një mendësi anarkike e traumatike.
Dhe pak nga pak, pavarësisht se krahasimi çalon jo pak, po afrohet me kohë tjetër dhe me mjete krejt të tjera – me mjete të ligjshme dhe të së drejtës – Shqipëria e 1945-ës e tatimeve të jashtëzakonshme të luftës. Për ironi të fatit atë që bënë dje komunistët e Hoxhës, sot po nisin ta bëjnë prokurorët dhe gjykatësit. Ata që mbështeten nga armiqtë e djeshëm të Hoxhës komunist, angloamerikanët.
Në fjalimin mbi 90 minuta, kryeministri u ndal gjatë tek drejtësia e re. Vijon të theksojë se ajo u krijua nga PS dhe jo nga SHBA. A është e vërtetë kjo? Po deklarata: “Jemi Republika e Shqipërisë dhe jo republika e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, si duhet lexuar?
Eshtë një pohim që ju ngjan letrave të bixhozit që kanë simetri poshtë e lart me të njëjtën figurë. Fjalia më e saktë do të ishte jo pohuese, por mohuese: pa PS-së dhe pa amerikanët kjo reformë nuk do të ishte bërë kurrë!
Një shumicë dërmuese mëkatarësh të veshur me pushtetin e djeshëm dhe të sotëm janë në pikëpyetje ekzistenciale. Dje mendonin se ishin të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm, sot kanë frikë se mund të ndëshkohen edhe nga perceptimi që i provon si mëkatarë, por nuk ju jep të drejtën e parashkrimit të fajësisë.
Të dalë nga komunizmi me një palë pantallona të vetme, sot shumë nga ta nuk kujtojnë dot adresat e pronave të tyre dhe emrat e bankave apo dyshekëve ku fshehin paratë e zeza. Ata sot e dinë se çfarë kanë bërë, por nuk e dinë se kur ju vjen radha. Në Ballkan zakonisht mesi i artë nuk i pëlqen askujt dhe nga skaji kriminal i djeshëm i pandëshkueshmërisë, rrezikohet të shkohet në skajin tjetër të ndëshkimit me perceptim.
Një prokuror dhe një gjykatës e ka gati të pamundur të dëgjojnë zërin e profesionit që edhe kur i këshillon të japin pafajësi, firmos për burg sepse ndryshe vihet nën presionin e të gjithëve si i korruptuar.
“Fute brenda që të jesh brenda për vete”, është një aksiomë po aq e rrezikshme sa praktika e djeshme që plaste në burg të dobtin dhe i falej xhepit të të fortit. Nëse politika, media apo dhe opinioni publik e kanë të lehtë të krijojnë perceptime për fajtorë të mundshëm, drejtësia vepron me mjete dhe mekanizma krejt të ndryshëm.
Ajo duhet ta provojë fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Fatkeqësisht, këtë mendësi edhe në sistemin e drejtësisë e kanë vetëm një grusht njerëzish. Dhe shpresat për më mirë kanë vetëm pak emra të përveçëm ku të falen.