Instituti i Studimeve Politike ka bërë së fundmi publike disa të dhëna interesante për politikën shqiptare, por edhe për Kushtetutën e Shqipërisë.
ISP ka publikuar listën me emrat e politikanëve dhe funksionarëve të lartë, që janë hetuar për korrupsion apo shpërdorim detyre.
I pari në listë është ish-kryeministri Fatos Nano, i cili në vitin 1993 u dënua me 12 vjet burg për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Por pas 5 vitesh, në 1998 Nano fitoi pafajësinë.
Ilir Meta, një nga politikanët që vijon të jetë në skenë prej 3 dekadash, në vitin 2011 u akuzua për dy vepra penale, atë të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Por çështja për Metën në atë kohë shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila rrëzoi vendimin dhe e shpalli të pafajshëm.
Por të hetuar rezulton dhe ish-ministri Fatmir Mediu, i cili është akuzuar në vitet 2007 dhe 2008 për të njëjtat vepra penale, abuzim me detyrën dhe korrupsion. Për atë në atë kohë çështja u pezullua, pasi kaloi afati. Për të njëjtën arsye është pezulluar dënimi edhe për Nikollaq Neranxin në vitin 2009, i cili akuzohej për korrupsion dhe evazion fiskal.
Tom Doshi, i cili është shpallur non grata nga SHBA, u akuzua për deklarim të rremë në vitin 2015, por çështja ndaj tij u pushua nga prokuroria. Me 6 vite burg është hetuar edhe deputeti Mark Frroku në vitin 2015 i cili u akuzua për fshehje të pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm.
Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri rezulton i hetuar dhe dënuar nga gjykata. Së fundmi, një nga çështjet më te nxehta, ajo e inceneratorëve ka vënë para përgjegjësisë disa zyrtarë të lartë. Për këtë, është nën hetim ish-deputeti Alqi Bllako dhe ish-ministri Lefter Koka. Ndërkohë që ish numri dy i qeverisë Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar për këtë çështje dhe akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Ndryshimi i Kushtetutës
Gjithashtu, Instituti i Studimeve Politike ka bërë publike të dhënat lidhur me numrin e neneve të ndryshuara në Kushtetutën e Shqipërisë.
Bëhet me dije se u ndryshua disa herë (2007, 2008, 2012, 2015, 2016, 2020 dhe 2022) dhe pritet të ndryshohet përsëri në disa dispozita. Nga të dhënat e ISP rezulton se nga 124 nene të organizimit të sistemit politik dhe qeverisës janë ndryshuar 35% e tyre nga 1998, pra më shumë se një e treta e neneve.
Sipas këtij shqyrtimi ndryshimet 2007-2022 janë bërë pa referendum, pra “kontrata sociale” është ndryshuar nga njëra palë, por Shqipëria përmbush në tërësinë e vet kornizën formale të shtetit të së drejtës.
Gjithashtu thuhet se brezat e ardhshëm do të kenë vështirësi për t’i kuptuar ndryshimet. “Kushtetuta 1998-2023? U miratua me Referendum (e para dhe e vetmja në historinë e shtetit), por opozita politike e bojkotoi procesin. U ndryshua disa herë (2007, 2008, 2012, 2015, 2016, 2020 dhe 2022) dhe pritet të ndryshohet përsëri në disa dispozita.
Parimi i politikës? Kemi një problem, le ta zgjidhim jo duke ndryshuar veten por Kushtetutën. Për pasojë, nga të dhënat e ISP rezulton se nga 124 nene të organizimit të sistemit politik dhe qeverisës janë ndryshuar 35% e tyre nga 1998, pra më shumë se një e treta e neneve.
Në aspektin formal, sipas të dhënave të stafit të Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies (ISP), rezulton se Kushtetutës i janë shtuar 10 nene dhe mbi 9000 fjalë, duke e bërë një nga Kushtetutat më me shumë ndryshime në EJL dhe më gjerë.
Kushtetuta e vitit 1998 ishte zgjidhje e nevojshme emergjence, miksim i vullnetit / interesit politik të momentit, njohurive ende të brishta të konstitucionalizmit në Shqipëri dhe konsulencës teknike nga Komisioni i Venecias.
Ajo nuk tentoi një qasje strategjike dhe afatgjatë mbi Shqipërinë e shekullit të ri, sistemin politik, sfidat dhe pritshmëritë, por ishte kryesisht një produkt afatshkurtër, gjithsesi dokumenti më i rëndësishëm prej vitit 1928. Ndërhyrjet?
Brezat e ardhshëm do të kenë vështirësi për t’i kuptuar, por ne kemi ndërhyrë në Kushtetutë për të ndryshuar numrin e anëtarëve në KQZ, pastaj për të hequr fare KQZ-në nga Kushtetuta, për të ndaluar individët me rekorde kriminale të jenë deputetë e funksionarë të lartë, për të shtyrë mandatin e KPK/KPA, për të ndaluar koalicionet paraelektorale apo problematika të tjera ditore, jo strategjike.
Ndryshimi i vetëm strategjik ishte reforma në drejtësi, – edhe ajo e pasqyruar në Kushtetutë me detaje dhe procedura të evitueshme dhe disa, të panevojshme. Gjithsesi Shqipëria ka Kushtetutë dhe ky është lajm i mirë.
Ndryshimet 2007-2022 janë bërë pa referendum, pra “kontrata sociale” është ndryshuar nga njëra palë, por Shqipëria përmbush në tërësinë e vet kornizën formale të shtetit të së drejtës. Jetësimi? Standardet reale? Është rrugë e gjatë.
Monitorimi i ISP tregon se vetë fakti që 25 vjetori i Kushtetutës u kalua me fjalime politike (edhe nga MD dhe ndonjë prej institucioneve / ekspertëve të pavarur), se parlamenti është në krizë dhe ka një debat të madh kushtetues mbi funksionet kontrolluese të parlamentit, është tregues se standardi i shtetit të së drejtës në Shqipëri mbetet i brishtë, kultura kushtetuese shumë më e brishtë, impakti kushtetues ende minor dhe sfidat për të ardhmen, të shumëfishta”, thuhet në të dhënat e ISP./ S.M