Media më e njohur në shtetin helen shkruan se Rama kërkon të rivendosë marrëdhëniet me Greqinë duke detyruar Jorgo Goron të japë dorëheqje. Kjo sipas saj pritet të ndodh para ndërrimit të viteve.
Shefi i qeverisë Edi Rama duket se ka ndryshuar qëndrim ndaj shtetit helen pas arrestimit të të zgjedhurit me votë në Himarë Fredi Belerit. Të paktën kështu shkruan mediat greke. Në të thuhet se Rama do të lëshojë Jorgo Goron duke i kërkuar atij dorëheqjen. Gjithçka që mund të ndodhë, do të ndodh para vitit të ri. Nuk dihet se pse është marrë ky vendim dhe nëse Shqipëria vërtetë ka rrezikuar për statusin në Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama ka qenë i prerë në respektimin e vendimit të Gjykatës për rastin Beleri, por ai ka vendosur sipas zërave mediatik në Greqi se ai do e “dorëzojë” Goron. Nuk dihet se sa e vërtetë është kjo dhe nëse vendimi vjen për dorëheqjen nga Rama apo vet Goro, ose kjo mund të jetë një lojë e cila po shitet në politikën greke për të testuar shefin e qeverisë. Nëse ikën Goro sipas medias greke në vend të tij do të emërohet si i përkohshëm një që i përket pakicës greke.
Media greke
“Kathimerini” shkruan se “synimi i qeverisë shqiptare është që të emërojë një kryebashkiak të përkohshëm para vitit të ri”. “Qeveria shqiptare po punon aktualisht për krijimin e një kuadri ligjor që do të mundësonte emërimin e një kryetari të përkohshëm bashkie, në përputhje me arsyetimin e paraqitur në deklaratën e fundit të kryeministrit Edi Rama. Synimi është të sigurohet që kryebashkiaku i përkohshëm, që pritet të jetë anëtar i pakicës kombëtare greke, të zgjidhet përpara vitit të ri. Kjo lëvizje strategjike e Ramës perceptohet në Tiranë si një katalizator potencial për rivendosjen e një ekuilibri të ekuilibruar në marrëdhëniet greko-shqiptare”, shkruan e përditshmja greke Kathimerini. Gazeta shkruan se Beleri është një i pafajshëm që u arrestua në prag të fitores. “Beleri, një grek etnik, është burgosur në pritje të gjyqit që nga maji me akuza për blerje votash pas arrestimit të tij në prag të zgjedhjeve komunale të cilat ai fitoi kundër kandidatit socialist Jorgo Goro. Në një postim në rrjetet sociale, ku pranon krizën në bashkinë e Himarës, kryeministri Edi Rama e kishte etiketuar Belerin si “kryetar i zgjedhur” dhe Goron “kandidatin e mundur pa legjitimitet”, thuhet më tej në shkrimin e gazetës greke.
Reagimi i Belerit
Fredi Beleri ka reaguar pas lajmeve për dorëheqjen e Jorgo Goros nga Bashkia e Himarës. Në një postim të bërë në ‘Facebook’, Beleri thotë se Rama hodhi dy hapa shumë të rëndësishëm drejt realitetit. Sipas tij, kryeministri 7 muaj pas zgjedhjeve mësoi se qytetarët e Himarës e zgjodhën atë për kryetar komune dhe së dyti e dërguan në shtëpi kryetarin e mëparshëm që ishte i zgjedhuri i tij.