Ish- kryeministri Sali Berisha premtoi protesta që do të fillonin në muajin janar. Por pas masës së sigurisë “arrest shtëpie”, Berisha organizoi protestat më të vogla që ka patur deri më sot, atë poshtë ballkonit të tij. Dje, eksponetët kryesor të kësaj force poltike u ngritën nga një tryezë, ku propozuan protesta masive që pritet që të ndodhin, por ende nuk ka asnjë datë. Por a do të jenë këto protesta frutdhënëse? Tre muaj më parë, protesta i udhëhiqte Berisha, ndërsa sot në krye të protestave do të jetë Flamur Noka, Luçiano Boçi dhe Gazmend Bardhi. Pra nëse do të ketë protesta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ato do të jenë pa liderin historik Sali Berisha. Noka tha se rrugica e “shpresës” është poshtë ballkonit të Berishës, e cila nuk të lë asnjë shpresë për të rrëzuar qeverinë. Rithemelimi bëri dje një organizim të ri jo vetëm për të menaxhuar aksionin politik por edhe për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Mbledhja e Kryesisë
Në mbledhjen e Kryesisë, grupi i Rithemelimit ka diskutuar rreth mënyrave sesi mund të përshkallëzohet aksioni opozitar që ata kanë nisur, por edhe rreth vendimit për të mbajtur në arrest shtepie Sali Berisheen dhe peerjashtimin e 19 deputeteeve demokratë nga Sekretariati i Etikës. Në një deklaratë për gazetarët, Flamur Noka konfirmoi se zyra e organizimit do të forcohet me katër koordinator, ndërsa shtoi se drejtues politik për Tiranën do të jetë Belind Këlliçi. I pyetur nëse kanë një datë konkrete për nisjen e protestave, Noka tha se ende nuk ka, por, siç u shpreh ai, demokratët e kanë një vend tashmë ku protestojnë: Në rrugicën e shpresës. Teksa bëri të ditur se PD do të ristrukturohet dhe do të ringrihet, Noka paralajmëroi se protesta dhe mosbindje civile do të ketë në të gjitha qarqet e vendit. Sa i përket bashkëpunimit më Partinë e Lirisë, Flamur Noka u shpreh: “Kolegët e PL janë pjesë e jona në këtë përballje, kudo, jo vetëm në parlament. Jemi në bisdeme me gjithë aleatët për të krijuar një federatë, front opozitar.” Për çështje ditësh, sipas Nokës, do të informohemi për një bashkim tërësor të opozitës.
Koordinatorët e rinj
Gazmir Spahia, Klevis Balliu, Aurel Bylykbashi dhe Arben Qiriako janë emrat e katër koordinatorëve të grupit të Rithemelimit për organizimin e partisë. Mësohet se katër koordinatorët janë miratuar në mbledhjen e djeshme të Kryesisë dhe do të kenë për detyrë të organizojnë qytetarët në terren por edhe për protestat. Ideja e koordinatoreve u miratua në mbledhjen e Kryesisë në dhjetor kur u vendos edhe ndarja e Shqipërisë në katër rajoni, veri, jug, Tiranë dhe Shqipëri e mesme.
Gazment Bardhi në Kongresin Amerikan, takim me kongresmenin Pete Sessions
Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha është shpallur “non grada” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndërkohë zëvendësuesi i tij ka flutuaruar për të marrë pjesë në Kongresin Amerikan. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë ditës së djeshme ai është takuar me kongresmenin republikan Pete Sessions. Bardhi është shprehur se partneriteti strategjik me SHBA do të jetë i tillë përjetësisht dhe se Shqipëria është me fat që ka aleat Shtetet e Bashkuara. “Në Kongresin Amerikan kisha kënaqësinë të takoja Kongresmenin Republikan Pete Sessions, me të cilin ndamë çështje me interes për Shqipërinë dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve tona. Shqipëria është me fat që ka aleat Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo do të vazhdojë të mbetet e pacënuar përjetësisht. Pavarësisht problemeve me të cilat Shqipëria përballet gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë korrupsionin, mungesën e shtetit ligjor apo demokracisë funksionale, SHBA ka qenë gjithmonë prezent për të na ndihmuar në rrugtimin tonë për një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar”, shkruan Bardhi.
Transparency International: Shqipëria përmirësim në hetimin e korrupsionit në nivelet e larta falë SPAK
Shqipëria u vlerësua në vitin 2023 me një pikë më shumë se vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve, sipas organizatës Transparency International. Të martën kjo organizatë publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë. Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni. Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut. “Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport. Transparency International thotë se vendimi për krijimin e një ministrie të re ngarkuar me luftën kundër korrupsionit shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit. “Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet më tej në raportin e Transparency International. Këtë vit, sipas organizatës shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik. Në vitin 2022 Shqipëria ishte radhitur në vendin e 101. Që nga viti 2012, Shqipëria është përmirësuar me 4 pikë. Transparency International thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie kanë nivele të larta korrupsioni.
“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të mund të ndëshkojnë shkeljet dhe të mbajnë nën mbikqyrje qeveritë. Kur drejtësia blihet ose ndaj saj ndërhyhet politikisht, janë njerëzit që vuajnë pasojat. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht tek insitutcionet që respektojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin dhe të garantojnë pavarësinë e tyre. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, shprehet në publikimin e raportit kreu i Transparency International, François Valerian./kb