Kreu i PD zyrtare Lulzim Basha ka nisur riorganizimin e degëve si parapritë për zgjedhjet e ardhshme Parlamentare. Ndonëse me mbështetës të pakët, kreu i PD-së po kap “boshllëkun” e lënë nga Berisha, ndërsa tenton që të shfaqet tek të djathtët si “lider i vetëm” që mund të mposhtë mazhorancën e Ramës. Basha: “Vijmë para shqiptarëve me një kulturë të re politike”.
Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha është në opozitë prej 10 viteve, ku për gati një vit e gjysëm ka qenë inekzistent, por ai e sheh veten si liderin e ndryshimit të Shqipërisë dhe jetës së shqiptarëve. Basha në një takim me demokratët për riorganizimin e e degëve e cilësi veten si aletranativë që do t’u rikthejë shpresën qytetarëve në vend. Kreu i PD zyrtare ka nisur riorganizimin e degëve dhe nga Patosi deklaroi se si me grupin e tij programor do të ngjallin besimin e domosdoshëm për të mundur socialistët, të cilët vitin që vjen do kërkojnë mandatin e katërt qeverisës: “Vijmë para shqiptarëve me një kulturë të re politike. Ka dritë shprese për shqiptarët që duan ndryshim”.
Gjatë takimit që pati në kuadër të Kuvendit Zgjedhor në degën e PD në qytetin e Fier, Basha u shpreh se ky “Kuvend është shprehja e gjallë dhe e vërtet që demokratët e Fierit kanë bërë në këto 2 vite të vështira të PD”. Basha tha se do të ndërtojnë së bashku Shqipërinë e shqiptarëve, teksa shtoi se kjo parti mund të zgjidhë problemet dhe të japë përgjigje pyetjeve të shumicës. “Në programin tonë qeverisës, një pikë e rëndësishme është që në 4 vjeçarin e parë të qeverisjes tonë, ish të përndjekurit politik do jenë në qendër të vëmendjes. Zotimi ynë ndaj ish pronarëve do të bëhet realitet.
Shlyerja brenda një kohe 10 vjeçare të ish pronarëve. Aty ku 7501 njeh zaptuesin, pronarët real do zë shpërblehen me vlerën e tregut. Pronarët dhe të përndjekurit përbëjnë gjysmën e popullsisë. Kaosi me titujt e pronës kanë qenë instrumentet e korrupsionit të qeveritarëve. Me anë të reformës për pronat, PD do të mundësojë në dy vitet e para zgjidhjen e pasigurisë për pronën. Problemi kryesor që kanë shqiptarët sot është ekonomia, papunësia, rritja e kostove të jetesës, shëndetësia, arsimi. Dua t’u them se PD shumë shpejt do të paraqesë një program që do t’i përgjigjet demagogjisë me fakte, t’i përgjigjemi kotësisë me program, me projekte konkrete për hallet e sipërmarrjes, pensionistëve, arsimtarëve, të rinjve”, tha Basha mes të tjerash. Ai tha para demokratëve se do të angazhojë ekipin e tij për të sjellë një kulturë të re në politikë.
“Sot me vendimmarrjen tonë, do të nxjerrim ekipin që do të angazhojë PD në një kulturë të re politike. Për t’i bindur qytetarët që duan ndryshimin se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve, është Partia Demokratike. Jam i bindur që në këtë proces do të drejtoheni jo nga interesa të vogla. Se nëse do të ishte kështu, sot nuk do të ishit në këtë sallë. Me të njëjtin besim që mbajtët PD gjallë, jam i bindur se me këtë frymë do t’i drejtoheni edhe qytetarëve që kërkojnë zgjidhje”, tha ai.
Reforma Zgjedhore
Lulzim Basha tha se PD e ka kthyer vizionin në realitet. Por, për të mundur Edi Ramën, fillimisht Basha ka nevojë që në Parlament të gjejë dakordësinë me mazhorancën për të ndryshuar sistemin zgjedhor: “Shqipëria një zonë elektorale, votimi e numërimi elektronik dhe vota për diasporën”. “Pyetja e parë kryesore që shqiptarët kanë, është: kush është platforma për ta bërë këtë.
PD vizionin e saj e ka kthyer në realitet në parlamentin shqiptar, me propozimin për reformën zgjedhore. Listat e hapura, kush ka më shumë vota të shkojë në parlament. Barazia e votës, që votat efierakëve të peshojnë njësoj me kuksianët, dibranët, korçarët, etj. Votimi elektronik që do të zgjidh vonesat e proceseve të numërimit. Dhe e fundit vota e diasporës, që në vitet e fundit është rritur tej mase për shkak të largimeve masive dhe që ka peshën e saj. Cili propozim nuk është i mirë? Ndaj duhet ta imponojmë në debatin publik këto propozime jetike dhe që pakica që është në pushtet të ulet e t’i marrë parasysh.
Ta vëmë me shpatulla pas murit, duan apo nuk duan listat e hapura, duan apo nuk duan barazinë e votës, duan apo nuk duan votimin elektronik, duan apo nuk duan votën e diasporës”, tha kreu i PD. Ndërsa 2-vjeçarin e luftës brenda demokratëve dhe tërheqjes së tij nga daljet publike, Lulzim Basha e sheh si një periudhë të zezë të së djathtës në Shqipëri. Një pikë të përbashkët gjen për Ramën dhe Berishën: lufta ndaj SPAK. Ai vetë garanton demokratët që me të në krye, mbështetja ndaj Prokorurisë së Posaçme do të jetë e pakushtëzuar.