Temperaturat e larta dëmtojnë bujqësinë dhe pemtarinë, ja çfarë ndodh nëse ftohet moti

Lushnje, specialistët këshillojnë fermerët për të pasur prodhim të bollshëm

Java nisi me shi, por reshjet kanë munguar prej disa javësh. Temperaturat mbeten të larta krahasuar me normalet e stinës. Kjo ka dhënë efekte në bujqësi dhe pemtari. Sythet kanë çelur si pasojë e motit të ngrohtë, por specialistët e bujqësisë i druhen uljes së temperaturave.

Nëse do të ketë mot të ftohtë, atëherë do të ketë edhe dëme në të mbjella dhe te frutorët.

Ferdinat Shahi (Drejtor i Bujqësisë në Lushnje): Këto luhatje bëjnë që të aktivizohen sythet e bimëve tek pemët frutore të cilat bëjnë lëvizjen e lëngjeve. Pastaj një rënie e temperaturave bën shkatërrimin e sytheve që janë gjysmë të çelur.

Specialistët e bujqësisë janë në kontakt të vazhdueshëm me fermerët për t’i këshilluar në këtë situatë.

Kadri Gaxho (specialist bujqësie): Ne kemi një planifikim dhe njëkohësisht koordinohemi me ta për problemet që atyre u dalin në terren.

Ferdinat Shani (Drejtor i Bujqësisë në Lushnje): Këshilla kryesore tani janë spërkatjet dimërore që bëhen në të gjithë fruti-kulturën.

Probleme në bujqësi nga moti ka patur edhe në vitet e kaluara. Vitin që lamë pas për shkak të luhatjes së temperaturave pati dëme e për pasojë ulje të prodhimit./O.S