Trajtimi i infertilitetit në klinika private është e vetmja rrugë për t’u bërë prindër për shumë çifte në Shqipëri. Megjithatë, ky trajtim vjen me një faturë të kripur financiare dhe emocionale.
Për Albanën dëshira për t’u bërë nënë ishte më e madhe se çdo gjë tjetër. Gruaja nga qyteti i Durrësi iu nënshtrua për vite me radhë cikleve të trajtimit të infertilitetit në klinika private në Shqipëri.
“Në vitet e para e kam përjetuar keq emocionalisht çdo tentativë të pasuksesshme”, tha ajo, ndërsa shtoi se më vonë të merr rutina edhe pse shanset pakësohen. “Duket si një proces varësie nga droga”, shpjegoi Albana. “Ti kursen para për të bërë edhe një cikël tjetër fertilizimi, me shpresën së këtë herë do të jesh me fat”, shtoi ajo.
Çdo vit në Shqipëri qindra çifte i drejtohen klinikave dhe spitaleve private që ofrojnë fertilizim “in-vitro” me dëshirën për t’u bërë prindër. Të dhënat e mbledhura nga Faktoje.al nëpërmjet një ankete online tregojnë se vetëm një pjesë e tyre janë të suksesshme, ndërkohë që kostot financiare mund të shkojnë në dhjetëra mijëra euro.
“Kushton shtrenjtë dhe nuk ka garanci”, tha ajo. “Përpos pagesës së spitalit apo klinikës për çdo proces, do të blesh edhe ilaçet dhe injeksionet stimuluese”, shpjegoi Albana.
Sipas INSTAT, mosha mesatare e popullsisë në vend u rrit në 38.8 vjeç në vitin 2023. Sipas mjekëve, një numër në rritje çiftesh presin deri në të 30-tat ose më vonë për bërë fëmijë, duke i dhënë përparësi zhvillimit të karrierës profesionale. Si rezultat, shumë gra përballen me vështirësi për të ngelur shtatzënë dhe një risk më të madh për aborte.
“Ne eksperiencën tonë të përditshme klinike kemi gjithmonë e më shumë raste ku çiftet, e sidomos gruaja, janë në moshë të avancuar”, shprehet Marsel Haxhia, embriolog klinik i certifikuar, ndërsa shtoi se infertiliteti prek afërsisht një në gjashtë çifte në moshë riprodhuese.
Fekondimi in-vitro është një nga teknikat më të suksesshme të riprodhimit të asistuar dhe ofrohet gjerësisht nga spitalet dhe klinikat private në Shqipëri.
Të dhënat e mbledhura nga Faktoje.al nëpërmjet anketës në platformën “Engaged Community Reporting” (ECR) nga gra dhe disa raste burra – bashkëshortet e të cilëve i janë nënshtruar procesit të fertilizimit – tregon se 64% e tyre e kanë realizuar trajtimin në Shqipëri, një tregues i zhvillimit të kësaj fushe në vendin tonë.
Nga përgjigjet që u morën nëpërmjet anketës mbi 71% e grave që i ishin nënshtruar trajtimit me fekondim in-vitro ishin të moshës 35-45 vjeç dhe 25% ishin mbi 45 vjeç. Sipas përgjigjeve, më shumë se gjysma e të anketuarve (54%) i ishin nënshtruar një, dy ose tre cikleve fekondimi. 25% e të anketuarve raportuan se kishin shpenzuar 4-6 mijë euro për fekondimin, 18% kanë shpenzuar 8-15 mijë euro, 29% mbi 15 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër nuk ndau të dhëna.
Mjeku Marsel Haxhia i tha Faktoje.al se procedurat e fertilizimit in-vitro kanë një kosto prej 4 deri 5 mijë euro për cikël, bashkë me të gjitha medikamentet që duhen.
“Procedura e fertilizimit in-vitro nuk ka një numër të caktuar që mund të bëhet, por ajo që është e rëndësishme është të kuptohet nga çifti që pas 2-3 IVF të dështuara duhet të ketë një arsye që duhet të kuptohet se pse nuk ndodh”, tha ai.
“Fertilizimi in-vitro është një procedurë që kërkon kushte mjaft të kujdesshme që bëjnë të mundur krijim të embrioneve në laborator dhe si e tillë ka një kosto”, shpjegoi Haxhia.
Për Lulin, procedura e fertilizimit in-vitro rezultoi me sukses. Gruaja solli në jetë binjakë në vitin 2020, pas një procedure të dështuar. 42-vjeçarja tregon se kostoja e fertilizimit in-vitro për dy procedurat dhe mjekimet shkoi 15 mijë euro.
“Vendosëm të bëjmë in-vitro për shkak të rezultatit të analizave, sasi e limituar e rezervës vezore dhe infertilitet mashkullor”, tha ajo, ndërsa shtoi ajo dhe bashkëshorti iu nënshtruam trajtimit dhe terapia e parë u krye mes periudhës 2017-2018, ndërsa terapia e dytë në fillim të 2019-s.
“Të dyja procedurat janë kryer në Shqipëri dhe në dy vende të ndryshme”, shpjegoi Luli, ndërsa shtoi se procedura e dytë rezultoi me sukses. “U futën dy embrione, të dy jetuan dhe në janar të vitit 2020 solla në jetë 2 fëmijë të shëndetshëm”, rrëfen nëna e binjakëve.
Embriologu klinik Marsel Haxhia shprehet se suksesi në fertilizimin in-vitro është maksimumi deri në 70%.
“Përqindja e suksesit në fertilizimin in-vitro ndryshon nga 15-70% dhe këto shifra flasin qartë për ndryshimin që ndodh në varësi të shumë faktorëve që e përcaktojnë këtë sukses”, tha ai.
“Secili çift ka një përqindje të suksesit, i cili është ngushtësisht i lidhur me problemin e tyre, por duhet thënë edhe në varësi të ekipit që punon”, shtoi Haxhia.
Mjekët shpjegojnë se fertilizimi in-vitro është një teknikë e Teknikave të Riprodhimit të Asistuar dhe përfshin marrjen e vezëve nga vezoret e gruas dhe bashkimin e tyre me spermatozoidet e bashkëshortit jashtë trupit.
Ndërsa infertiliteti përkufizohet si dështimi për të konceptuar (pavarësisht shkaqeve) pas 1 viti marrëdhëniesh të pambrojtura kur gruaja është me pak se 35 vjeçe dhe pas 6 muajve kur gruaja është mbi 35 vjeçe.
Anisa Ajdini, specialiste e obstetrikës dhe gjinekologjisë për trajtimin e infertilitetit, tregoi në një intervistë për Faktoje.al se problemi i infertilitetit është një problem në çift. Pra, nuk është vetëm gruaja infertile, siç aludohet në shumë raste.
Anisa Ajdini, specialiste e obstetrikës dhe gjinekologjisë
“Është shumë e rëndësishme që të vlerësojmë edhe mashkullin. Pasi bëhet mbledhja e të gjitha të dhënave si laboratorike, si ato që pamë me ekografi, mund t’i sugjerojmë pacientit teknika të ndryshme, duke filluar nga më të thjeshtat, kontakt seksual i programuar, deri te procedurat e fertilizimit in-vitro”, argumentoi mjekja.
Ajo shtoi se sot ka një rritje të numrit të çifteve që bëjnë fertilizim in-vitro dhe, për fat të keq, ka rënë edhe mosha e grave që nuk arrijnë të kenë shtatzëni në rrugë natyrale.
“Më përpara, in-vitro bënin çiftet që ishin mbi moshën 35 vjeç për shkak të uljes natyrore të numrit të vezëve, cilësisë së vezëve dhe, për këtë arsye, bëhej in-vitro”, tha ajo.
“Tani shohim mosha që 25 vjeçe që kanë probleme me infertilitetin”, shtoi Ajdini.
Por sa shanse ka që fëmijët e konceptuar me in-vitro të lindin me probleme?
“Shoh shumë njerëz që janë të shqetësuar për shëndetin e fëmijës. Realisht, duhet të kuptojmë që bëhet fjalë për materialin gjenetik të çiftit. Pra, atë shtatzëni që do të ndodhte në trupin e femrës, ne po e bëjmë jashtë. Është po e njëjta vezë, po i njëjti spermatozoid dhe po e njëjta ADN që ne përdorim për fertilizimin in-vitro. Pra, shanset për të pasur një fëmijë me probleme janë aq sa ky çift të kishte një shtatzëni natyrale.”
Përpos kësaj, in-vitro ka edhe pasoja, sidomos të pacientët që kanë vuajtur nga sëmundje të rënda.
“Kemi edhe pacientë që vuajnë nga sëmundje të tjera. Mund të ketë pacientë që janë me histori kancer gjiri, me çrregullime të tjera hormonale, që stimulimi hormonal që ne japim, që është realisht me doza të larta mund t’ia përkeqësojë cilësinë e jetës dhe mund të na rikthejë sëmundje që kanë qenë të rrezikshme për to”, apelon specialistja.
Mjekja gjinekologe, Eglantina Dema sugjeron që specialistët fillimisht duhet të bëjnë një vlerësim të mirë të çiftit para se t’i dërgojnë për një trajtim in-vitro.
“Do të isha shumë këmbëngulëse që ne si specialistë gjinekologë të bëjmë një vlerësim të mirë të çiftit për të përjashtuar të gjithë sëmundshmëritë dhe pengesat e mundshme që çojnë në infertilitet për t’i trajtuar, që in-vitro të ngelet si alternativë e fundit”, tha ajo. “Pra, që të mos i çojmë pacientët direkt në in-vitro”, shtoi Dema.
Në muajin maj të vitit 2023, Ogerta Manastirliu, asokohe ministre e Shëndetësisë, deklaroi se brenda vitit fertilizimi in-vitro do të ofrohej falas për pacientët në maternitetin “Koço Gliozheni”. Por, edhe pse u premtua, shërbimi nuk u ofrua vitin e kaluar.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur zyrtarisht për Faktoje.al se në muajin shkurt është bërë rasti i parë i fertilizimit in-vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” dhe, sipas këtij institucioni, ky shërbim ofrohet falas për qytetarët që referohen nga mjeku i familjes.
“Fertilizimi in-vitro, një shërbim risi në shërbimin publik, si një politikë shëndetësore për çiftet me vështirësi të riprodhimit, u ngrit në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ pas një investimi në infrastrukturë, pajisje dhe kapacitete të riorganizuara njerëzore. Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ është ngritur qendra e parë kombëtare publike e teknikave të riprodhimit të asistuar”, tha ministria në një përgjigje me shkrim.
“Në muajin shkurt 2024 është kryer procedura e parë e teknikave të riprodhimit të asistuar dhe janë realizuar 10 (dhjetë) procedura”, shtoi ajo.
Mjeku Marsel Haxhia sugjeron se pacientët duhet të kenë një mbështetje nga shteti për fertilizimin in-vitro dhe më pas ata të vendosin ku duan ta kryejnë si procedurë.
“Prej shume vitesh kjo procedurë është ofruar vetëm në sektorin privat dhe vetëm vitin e fundit duket që ka një përpjekje për ta kryer në spitalin shtetëror. Mendimi im është që, duke parë veçantinë e procedurës dhe se sa delikate është ajo, duhet pacientëve t’i mbulohet sikur një pjesë e saj dhe pacienti mund ta kryejë aty ku zgjedh vetë ta bëjë. Kjo është një skemë që funksionon në shumë vende të botës dhe, madje, në vendet fqinjë me ne që kanë një forcë ekonomike të ngjashme”, sugjeron embriologu Haxhia.
Anisa Ajdini, specialiste e obstetrikës dhe gjinekologjisë për trajtimin e infertilitetit, tha se në spitalet shtetërore ka një listë kriteresh që pacientët të marrin këtë shërbim.
“In-vitro u bë kohë që po diskutohet nëse do realizohet apo jo në spitalet publike dhe, mesa di, është në fillesat e veta. Besoj se ata do shpallin një listë kriteresh për pacientët që pranohen, siç është në Evropë”, tha ajo.
Gjinekologia Eglantina Dema tregon se ka pasur edhe raste kur çiftet kanë shitur shtëpinë për të kryer fekondimin in-vitro, pasi procedura është e kushtueshme.
“Në Shqipëri nuk mbulohen nga sigurimet këto pagesat e in-vitros dhe janë totalisht private dhe personale dhe pasi çifti ka provuar disa here, ajo kthehet në një obsesion që ata duan ta realizojnë me patjetër dhe kanë arritur të shesin edhe shtëpinë për të realizuar këtë si procedurë”, tregoi mjekja.
Së fundmi Ministria e Shëndetësisë ka hartuar projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” që ka si qellim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të individëve. Mirëpo, pavarësisht se fertilizimi in-vitro është pjesë e tij, projektligji nuk përcakton si do të mbështeten çiftet që nuk arrijnë të bëjnë fëmijë.
Kjo konfirmohet edhe nga Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, e cila thotë se projektligji nuk siguron asgjë në lidhje me shërbimin e fertilizimit in-vitro në spitalet dhe klinikat shtetërore.
“Është një ligj i hartuar si për shërbimet publike shtetërore, ashtu edhe ato private, por pa një fokus të veçantë në shërbimet shtetërore dhe falas”, tha ajo për Faktoje.al.
Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë
Gjergji theksoi se në Shqipëri mungojnë shifrat për sa i përket çifteve që kanë probleme me konceptimin e një shtatzënie, por nisur nga shifrat e vendeve të rajonit, mendohet se bëhet fjalë për 22% të popullatës riprodhuese.
Marrë nga Faktoje.al / S.M