Ervis Iljazaj
Debati publik për drejtuesit politik të qarqeve të Partisë Demokratike niset nga një premisë e gabuar. Nga premisa se Berisha ka si qëllim roatacionin. E mbi këtë premisë, bëhen analiza nëse këta drejtues janë të aftë apo jo që të arrijnë objektivin e ardhjes në pushtet.
Në fakt, objektiv real i Partisë Demokratike, drejtuar nga Sali Berisha nuk është aspak rotacioni, por mbijetesa dhe kontrolli i asaj partie nga ana e tij. Duke qenë se Berisha është me inteligjenti nga të gjithë, e di fare mirë se ardhja në pushtet në kushtet ku ai ndodhet është totalisht e pamundur.
Pavarësisht se militantëve të tij i hedh si ushqim ëndrra me revolucione, me mosbindje civile apo me qeveri teknike, është fare i ndërgjegjshëm se situata në të cilët ndodhet nuk i lejon atij asnjë mundësi për të vendosur kushte ndaj pushtetit. Përkundrazi, mbijetesa e tij varet dhe nga sjellja e Edi Ramës, që për hir të së vërtetës tashmë ka një sjellje komplet ndryshe në raport me të, dhe kjo i ka dhënë një dorë të mirë konsolidimit të Berishës në krye të PD-së.
Prandaj, objektivin e tij kryesor, atë të mbijetësës politike dhe kontrollin e plotë të partisë, Berisha e ka realizuar. Ky është njëkohësisht objektivi i tij maksimal dhe i vetëm. Duam apo s’duam, ai ia doli të rikthehet në krye të PD-së, të spostojë Lulzim Bashën dhe të kthehet edhe njëherë në faktorin kryesor opozitar. Sali Berisha e fitoi betejen e tij politike. Çështja është se çfarë fitojnë demokratët dhe populli opozitar, që me një lider të tillë e kanë absolutisht të pamundur ardhjen në pushtet.
Të gjitha të tjerat janë analiza të pavlera politike dhe jo realiste. Po të shikosh listën e drejtuesve të qarqeve, ajo përbëhet nga dy komponentë. Shumica dërrmuese janë besnikë të tij, si Tritan Shehu apo Oerd Bylykbashi, të cilët janë për herë të disatë në qarqet respektive dhe ku kanë humbur zgjedhjet në mënyrë kostante. Edhe pse me disfata politike të njëpasnjëshme, kjo kategroi u emërua përsëri në krye të qarqeve, pikërisht sepse objektivi nuk është rotacioni politik.
Ndërsa kategoria e dytë, janë drejtues qarqesh të cilët tradhtuan Lulzim Bashën për ta çuar partinë te Berisha si Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj dhe Ervin Salianji. Ndërsa ky i fundit ka dhënë prova se mund të arrijë të marrë dhe suksese elektorale, dy të tjerë janë tipikisht politikanë konjukture dhe mbijetojnë falë saj.
Në këtë kuptim, lista e drejtuesve të qarqeve të Partisë Demokratike nuk përbën asnjë risi, asnjë frymë apo filozofi të re, përveçse kontributin që ka dhënë të gjithë këta drejtues për të mbajtur gjallë ekzistëncën e Sali Berishës në krye të PD-së. Prandaj Berisha, duke qenë se e ka arritur objektivin e tij, dukej i qetë në momentet që shpaloste emrat e rinj të drejtuesve politikë.
Të gjitha ata që prisnin hapje të partisë, emra të rinj, apo fytyra të reja politik në krye të qarqeve, ose janë naivë, ose nuk kuptojnë asgjë nga politika dhe momenti në të cilin ndodhet aktualisht Sali Berisha. Sali Berishës në kushtet ku ndodhet nuk i duhet një parti e hapur, që ofron njerëz të rinj apo filozofi të re. Por një parti me njerëz sa më besnikë. Dhe drejtuesit e rinj i kanë dhënë provat që janë besnikë ndaj tij.
Hapjen e partisë Berisha e ka thjesht të pamundur. Sepse betejat e tij me drejtësinë dhe me ndërkombëtarët janë aq të vështira, saqë më mirë pak njërëz dhe besnikë se sa shumë dhe të dyshimtë ndaj besnikërisë së tij. Në këtë drejtim, drejtuesit e rinj janë perfektë për objektivin e tij politik. Për rotacionin, fatkeqësisht Shqipëria duhet të presë dhe pak, pasi opozita në këto momente ka prioritete të tjera.