Prokuroria e Posaçme ditën e mërkurë pritet t’i komunikojë akuzat ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi për aferën “Partizani”. Sekretari i Pargjithshëm i PD-së Flamur Noka u ka kërkuar strukturave të organizohen në një protestë para SPAK. Çfarë pritet të ndodhë dhe “ndryshimi i targetit” të protestave nga kryeministria në SPAK.
Partia Demokratike do të protesojë ditën e mërmkurë përpara derës së SPAK. Edhe pse kreu i PD-së Sali Berisha bashkë me drejtuesit e tjerë premtuan protesta në rrugë kundër kryeministrit Rama dhe qeverisjes së tij, protestën e parë do e bëjnë ndryshe. Proteste kundër arrestit shtëpiak për Sali Berishën, kreun e Partisë Demokratike. Dje, Sekretari i Përgjithshëm në PD, Flamur Noka ju ka dërguar një mesazh anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së, që i kërkon mobilizimin për një protestë të fuqishme. Protesta pritet të organizohet para godinës së SPAK të mërkurën në orën 2:00. “Të dashur miq. Ditën e Mërkurë në ora 2:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”, thuhet në mesazhin që Flamur Noka ua drejton anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.
Berisha në SPAK
Prokuroria e Posaçme është drejt fundit për të mbyllur hetimet që ka të bëjë me aferën e Partizanit, ku të pandehur janë ish kryeministri Sali Berisha dhe dhëndërri i tij, Jamarbër Malltezi. Berisha do të paraqitet në SPAK të mërkurën e shtatorit në orën 2:00 përballë dy prokurorëve të çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët do t’i komunikojnë edhe akuzën. Burime pranë ish-kryeministrit bëjnë me dije se Berisha dhe avokatët janë njohur me fletëthirrjen dhe se do paraqitet në SPAK. Por, menjëherë sapo mori fletëthirrjen, ish-kryeministri mobilizoi militantët për t’i ushtruar presion drejtësisë dhe u bëri thirrje për protestë në orën 2:00, kohë kur Berisha pritet të mbërrijë në SPAK. Fletëthirrja i ka mbërritur edhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, i cili po ashtu ndodhet në masën arrest shtëpie. Ai do të paraqitet në SPAK dy orë pas vjehrrit, rreth orës 4:00, për t’u njohur me akuzën. Siç e do procedura, Berisha dhe Malltezi do duhet të shoqërohen nga avokatët, ndërsa për shkak të masës arrest në shtëpi do duhet edhe që oficerët e policisë t’i shoqërojnë nga banesa drejt godinës së SPAK. Nuk bëhen me dije akuzat që SPAK do i komunikojë Berishës dhe dhëndrit të tij. Aktualisht, të dy janë persona në hetim nga SPAK, Berisha për veprën penale Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Malltezi për “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Nuk përjashtohet mundësia që gjatë hetimeve SPAK të ketë ndryshuar akuzën, ose të rëndojë pozitën e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij, duke pasur parasysh që ndaj familjes Berisha dhe Malltezit ka nisur edhe një hetim i hollësishëm pasuror, ku janë venë nën sekuestro preventive edhe 25 pasuri. Ky hetim u bë shkak për zgjatjen disa herë të hetimeve ku afati për zgjatjen e fundit është 2 tetori. Kjo është hera e dytë që Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë thirrur në SPAK. Herën e parë ata u thirrën për të marrë ne pyetje në cilësinë e personave nën hetim, ndërsa të mërkurën do të paraqiten për t‘u marrë të pandehur zyrtarisht.
Berisha këkroi ndryshimin e masës
Në 9 prill 2024, Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për të ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në njeri të lirë. Ajo vendosi të lërë në fuqi masën ndaj Berishës, atë të arrestit shtëpiak. Berisha ndodhet prej 8 muajsh në arrest shtëpie për çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani” gjatë kohës kur ai ishte në detyrën e kryeministrit. Me relator gjyqtarin Sokol Binaj, Gjykata e Lartë la në fuqi këtë të martë vendimin e Gjykatës së Posaçme duke e lënë të pandryshueshme masën për Berishën të marrë që në 30 dhjetor 2023./ S.M