Nga Mero Baze
Në përpjekje për të frikësuar gazetarët dhe prokurorët që janë marrë me dosjen e Sali Berishës, dhe ai, dhe e bija e vet, janë hedhur në sulm publik të frikësojnë gazetarët që zbardhin dosjen dhe të kërcënojnë njerëzit që kanë punuar për dosjen.
Gjatë emisioneve të djeshme të censuruara në studio televizive, Berisha dhe e bija e tij e justifikonin sulmin ndaj gazetarëve se ata “janë pengje” të SPAK dhe më tej sidomos e bija ,përmendi dhe emra ekspertësh që janë marrë me dosje.
Njërin e kërcënoi hapur duke i thënë se ka dhe djalin që i punon në BKH, pra e konsideronte peng meqë i biri punonte në BKH. Tjetrin e lidhi me një degë banke në Devoll dhe tha se dhe ai ka ca halle.
Interesante ishte se përballë kishte Fatos Lubonjën, që e kishte kërkuar me ngulm ta kishte në studio, pasi kishte përjashtuar Klodiana Lalën.
Në fakt, një nga faktet më mbresëlënës në dosje është dëshmia e vajzës së Fatos Lubonjës, e punësuar në Agjencinë e Kthimit të Pronave përmes Argitës, e cila dëshmon se dosjet e kthimit të pronës të 5 familjeve u janë dhënë të parat për t’u trajtuar për rreth dy muaj nga inicimi i procedurës respektive nga drejtoresha e asaj kohe, Dhurata Hoxha.
D.m.th e bija e Sali Berishës, që akuzon gazetarët që janë “pengje” të SPAK, thërret në studio një gazetar që është peng i saj dhe që ka përdorur vajzën e tij për kthimin e pronës.
Për atë është normale që të shantazhojë ekspertë, të sulmojë Bolinon me emër, të kërcënojë një ekspert duke trilluar se ai ka probleme, të thotë se një tjetër ka djalin në BKH, dhe të gjitha këto t’ia thotë në sy Fatos Lubonjës, vajzën e të cilit e ka përdorur në këtë proces dhe e ka pas punësuar vet në Agjencinë e Kthimit të Pronave.
Në fakt, siç thotë populli, gjen e bën. Ai që nuk duhet të pranonte të ishte në studio ishte Fatos Lubonja, por ai me sa duket nuk ka fuqi të çlirohet nga “pengmarrja” e Berishëve.
Pas kësaj, çdo justifikim i Berishëve për shantazhet ndaj gazetarëve apo ekspertëve që i konsiderojnë pengje të SPAK është argument qesharak, kur ata vet këtë luftë po e bëjnë me pengjet dhe viktimat e tyre.
SPAK nuk ka nevojë të përdorë pengje për të hetuar familjen Berisha. Të vetme pengje që ai mund të marrë janë brenda familjes Berisha apo ish- pronarëve që kanë përfituar, dhe për këtë nuk vë bast që nuk i ka gjetur.
Por këta që shanatazhojnë çdo ditë njerëz që nuk i kanë nën kontroll dhe poshtërojnë ata që kanë përdorur për të vjedhur, së paku duhet të heshtin. Se ndoshta çdo fjalë që nuk thonë e kanë në favor, kaq shumë pis sa janë bërë./ S.M