Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se i kanë kërkuar Ervin Salianjit të ngujohet, mirëpo ky i fundit ka vendosur të respektojë vendimin e gjykatës së Apelit.
Bardhi lajmëroi ndërprerjen e marrëdhënieve me shumicën socialiste.
“Qëndrimi i Grupit të PD-së është që ndaj kësaj padrejtësia nuk duhet të nënshtrohemi, qëndrimi unanim i të gjithë kolegëve është kërkesa drejtuar Salianjit të mos zbatojë vendimin politik të Edi Ramës firmosur nga tre gjyqtarë.
Vendimi unanim i të gjithë grupit të PD-së ka qenë ngujimi pa afat dhe pa ndërprerje të të gjithë anëtarëve në selinë e PD-së.
Ky ishte vendimi politik i grupit, por krahas këtij vendimin jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të Salianjit, që ka vendosur të përballet me të keqen edhe me koston e të shkuarit pa ligj dhe pa prova në burgun politik që i ka vendosur Edi Rama.
Kjo sakrificë e Salianjit duhet të shërbëje si këmbanë alarmi, se një deputet i opozitës cohet në burg pa prova si shenjë hakmarrje nga Rama dhe Xhafaj.
Me vendimin e djeshëm nuk ka rënë vetëm shteti ligjor. Nuk është goditur vetëm opozita.
Grupi i PD-së duke respektuar qëndirmin personal të Salianjit, ka vendosur që nga ky moment me burgosjen e deputetëve të opozitës nuk ka për të parut asnjë marrëdhënie normale institucionale me shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.
Mbështet thirrjen e Kryesisë për përshkallëzimin e aksionit politik”, tha Bardhi.
Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar sot në Kuvend dhe në Policinë e Tiranës urdhrin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë të gjykatës së Apelit që e dënon deputetin demokrat Ervin Salianjin me 1 vit burg, për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me dosjen ‘Babale’. Kërkesa është firmosur nga prokurorja e Tiranës Elona Alvora.
Mësohet se Salianji ka vendosur të paraqitet këtë pasdite pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Salianji do të shkojë në ambientet e Policisë në orë 16:45.
Nga ana tjetër, mbështetësit e PD kanë njoftuar organizimin e një proteste para Drejtorisë së Policisë së Tiranës./ S.M