Sot ishte dita e katërt në qelinë e Burgut të Fierit e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit izolim për veprën penale “kallëzim i rremë”, në lidhje me dosjen “Babale” dhe që u la në fuqi nga Apeli i Tiranës më 26 Shtator.
Salianji u burgos pasditen e të premtes (27 Shtator) teksa u dorëzua në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe më pas u transportua drejt Fierit.
Por ajo që bie në sy është fakti se ai vijon të publikojë mesazhe në rrjetin social, profilin personal në Facebook.
Sipas rregullores së Burgjeve, mjetet e komunikimit masiv, pra përfshi rrjetet sociale, janë të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit. Në konferencën për shtyp që dha para dorëzimit, Salianji bëri edhe një ironi-batutë me gazetarët kur e pyetën se “si do e drejtoni fushatën elektorale”. Ai u përgjigj se “do ju thërras nga dritarja” dhe më tej shtoi se ka mjete komunikimi si “shkrimi i letrave”.
Por edhe ditën e sotme, në orët e paradites, ish-deputeti i PD u pa teksa bënte postimin e radhës, ku kujtonte denoncimin e tij të shumë viteve më parë, në lidhje me “kanabizimin e Shqipërisë”. Postimi shoqërohet me një foto, ku Salianji shfaqet pranë disa bimëve të kanabis sativa të mbjella. Mesazhi mbyllet me një hashtag për protestën e 7 tetorit që ka thirrur PD-ja.
Pyetja është se si i realizon këto postime ish-deputeti nëse nuk ka dhe nuk lejohet telefoni në qeli? Apo dikush ia menaxhon në distancë dhe ai përcjell nëpërmjet të drejtës për ndonjë telefonatë nga burgu? Nëse Salianji posedon telefon, kjo konsiderohet si një shkelje e protokollit të sigurisë në burgje dhe thyerje e masave nga i dënuari.
Postimi i plotë në Facebook:
“Mirëmëngjes miq! Sot po ju rikujtoj një foto nga denoncimet e mia në opozitë, mes kanabisit në kohën kur Shqipëria ishte kthyer në Republikën e Narkotrafikut!
‼️Ky ishte fillimi i fundit të shtetit ligjor në Shqipëri. Kanabizimi i Shqipërisë ishte projekti më fatkeq, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë sot!
Mos e ulni kokën! Reagoni! Mos e pranoni të keqen!”