‘Një Komb Një Diasporë’/ Balla takim me bashkëatdhetarë nga të gjithat trevat shqiptare në Augsburg: Mbi 35 klasa në gjuhën shqipe në Landin e Bavarisë
Ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Balla njëheresh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën mori pjesë në një takim me bashkëatdhetarë nga të gjithat trevat shqiptare në Augsburg, Gjermani.
Në fjalën e tij ministri Balla theksoi se janë mbi 35 klasa në gjuhën shqipe vetëm në Landin e Bavarisë në Gjermani.
“Është kënaqësi e veçantë të bëhemi të gjithë bashkë ‘Një Komb Një Diasporë’. Faleminderit për ftesën në këtë qendër të rëndësishme kulturore, e cila promovon vlerat më të mira të kombit Shqiptar, promovon gjuhën shqipe, promovon letërsinë shqipe dhe pse jo dhe mbështet edhe djemtë dhe vajzat që duan të merren me sport.
Unë e them shpesh, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera për shëmbull që kombëtarja e futbollit e Shqipërisë është shembulli më i bukur, sesi djem nga të gjitha viset Shqiptare bëhen bashkë për të ngritur lart flamurin tonë kombëtar, kështu që më pëlqen shumë që në këtë qendër që jemi sot, tek e cila djemtë dhe vajzat, fëmijët mësojnë gjuhën shqipe të mblidhemi dhe të lexohen poezi në gjuhën shqipe dhe të promovohet gjuha jonë e bukur shqipe. Isha dy ditë më parë në konsullata tona po që janë në një godinë konsullata e përgjithshme Republikës së Shqipërisë dhe konsullata e Përgjithshme Republikës së Kosovës.
Dua të falenderojë të dy Konsujt për përkujdesjen që bëjnë për pjesëmarrjen e tyre në sa më shumë aktivitete. Edhe prezenca sot këtu është shumë domethënëse kemi shqiptarë Shqipërisë, Kosovës të Maqedonisë së Veriut dhe nga Presheva dhe kjo është diçka shumë e bukur që ajo që na mbledh është dashuria për kombin, dashuria për flamurin, dashuria për gjuhën shqipe . Unë dua të ju garantoj në emër të Qeverisë Shqiptare që ne do të vazhdojnë të bëjmë gjithçka që duhet për ti mbështetur këto qendra kulturore, për të mbështetur klasat e mësimit të gjuhës shqipe, sepse na duhet ta ruajmë brez pas brezi mësimin e gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët Shqipëtarë”, theksoi ministri Balla.
/E.T