Kalendari sapo ka shënuar ditën e parë të tetorit, por krocierat në portin e Durrësit vazhdojnë të sjellin turistë të huaj.
Megjithëse muajt e vjeshtës konsiderohen si sezon i ulët, rreth 500 turistë amerikanë kanë mbërritur në qytetin bregdetar me kroçierën “Seven Seas Voyager”. Pavarësisht se jemi në tetor, kjo nuk do të jetë kroçiera e fundit e këtij viti.
Krahas siteve arkeologjike dhe historike të qytetit 3000-vjeçar, turistët do të vizitojnë edhe destinacione të tjera të turizmit kulturor si Kruja, Tirana, Berati etj.
Në ndryshim nga viti i kaluar, numri i kroçierave që këtë vit kanë ndaluar në portin më të madh në vend ka qenë më i vogël.
Sipas kapitanerisë së portit, kjo ka ndodhur për shkak se prenotimet janë bërë në periudhën e pandemisë, kur shumëkush hezitonte të merrte pjesë në udhëtime në grup.
Sipas të njëjtave burime,, në vitin 2025 parashikohet një rritje me 20% e numrit të krocierave turistike.
Në 8 muajt e parë të këtij viti, 450 jahte dhe megajahte e kanë vizituar portin e Durrësit, duke i sjellë arkës së shtetit të ardhura rekord nga taksa e karburantit.
Më shumë se 1 miliardë lekë të reja janë mbledhur nga janari në gusht, ndërkohë që deri në fund të vitit shifra pritet të rritet edhe më tej, pasi superjahtet e pasanikëve botërorë e vizitojnë Durrësin për t’u furnizuar me naftë pa akcizë. S.B