Policët italianë janë duke mbajtur radhë për të qenë pjesë e grupit të organeve ligjzbatuese që do të punojnë në kampin për azilkërkuesit në Shqipëri. Kështu shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, në një artikull të sajin.
Sipas gazetës italiane, për shkak se piku i “sezonit” të lundrimeve të refugjatëve të paligjshëm në Mesdhe ka kaluar, nga 13 milionë eurot e ndara për mirëmbajtjen e kampit për tre muajt e parë, janë shpenzuar vetëm 1,5 milionë.
Gazeta italiane raporton se nuk ka më asnjë datë të saktë se kur do të hapet kampi. Fillimisht punimet janë shtyrë për shkak të diellit të nxehtë të verës në vendin tonë, më pas shirat dhe mungesa e kanalizimeve në Gjadër ka penguar punën.
Por pavarësisht se nuk ka një datë për hapjen e kampit dhe qendrës së përpunimit të kërkesave për azil, “La Repubblica” shkruan se policët, karabinierët, dhe oficerët e tjerë të agjencive italiane po mbajnë radhë për të fituar një vend pune për në Shqipëri. Deri tani raportohet se janë me mijëra kërkesat për të bërë të paktën një tur.
Për shërbimet e tyre, ata do të fitojnë 100 euro në ditë neto, si dhe fjetje dhe ushqim falas. Për momentin struktura është bosh, por edhe në rast se dikush prej azilkërkuesve do të përfundojë në burgun e vogël të ndërtuar për ço rast, raporti është 3 roje për 1 të burgosur. Për krahasim, në burgjet italiane raporti është i kundërti, 1 roje për 3 të burgosur./e.t