Momente të tensionuara jashtë bursës së Nju Jorkut në SHBA, ku mbi 500 aktivistë hebrenj dhe grupe aleate organizuan një protestë për të kërkuar fundin e mbështetjes së SHBA për luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza.
Kështu raporton gazeta “Times of Israel”, duke cituar burime të agjencisë amerikane. 206 demonstrues u arrestuan, shumë prej të cilëve janë anëtarë të grupeve aktiviste si “Zëri Hebre për Paqe”.
“(Qindra) hebrenj dhe miq po mbyllin bursën e Nju Jorkut për të kërkuar që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë armatosjen e Izraelit”, thonë ata.
Ndërtesa ikonë e bursës pranë Wall Street në Manhattan, ishte dhe vendi i tyre i protestës.
Asnjëri prej tyre nuk hyri brenda, por kaluan një gardh sigurie policore të vendosur jashtë ndërtesës kryesore në Broad Street.
Disa nga të pranishmit brohoritën parulla kundër sulmeve izraelite në Liban, për t’iu kundërvënë militantëve të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani. Kishte gjithashtu një numër shumë më të vogël të kundër-protestuesve pro-izraelit që mbanin flamuj izraelitë, në vendngjarje./e.t