Disa ditë më parë në internet ka qarkulluar një klip viral i aktores Saoirse Ronan që me mirësjellje u kujton panelistëve të saj burra në ‘Graham Norton Show’ se si gratë parapërgatiten vazhdimisht për sulme që mund t’i vijnë nga rruga.
Nisur nga ndërhyrja e saj, ja 5 nga aktivitetet më të shpeshta që gratë kanë thënë se nuk mund t’i bëjnë në qetësi, pa u shqetësuar se mund të sulmohen verbalisht apo fizikisht prej dikujt tjetër:
1. Të shkojnë për një shëtitje ose të vrapojnë vetëm
Ecja dhe vrapimi mund të jenë ndër aktivitetet më të preferuara të dikujt për t’u bërë. Në një studim të bërë, gratë janë shprehur se kurrë nuk e shijojnë një shëtitje të vetme pa skenarët e tmerrshëm se mund të bien viktimë e një përdhunuesi. ‘Kjo nuk është të jesh dramatike, është të jesh grua,’ shprehen ato. Ato nuk i imagjinojnë gjërat. Studimi tregon se një në pesë gra është ngacmuar seksualisht së paku një herë në jetë.
2. Të vendosin kufjet
Gratë bëjnë vlerësime të vazhdueshme të rrezikut gjatë gjithë ditës së tyre, duke vënë në pikëpyetje nëse është e sigurt të ecin në shtëpi me kufjet e tyre në veshë. Plus, fatkeqësitë që janë një shqetësim për burrat, si humbja në këmbë në një qytet të panjohur, janë një rrezik më i madh nëse je grua.
3. Të kursejnë para për taksi
Për shkak se gratë duhet të mendojnë për sigurinë e tyre më shumë se burrat, ato shpenzojnë më shumë para për ta ruajtur atë. Shpesh do të dëshironin të mund të ecnin deri në shtëpi, por është më e sigurt të përdorin një mjet transporti, apo taksi në mënyrë që të afërmit e tyre të mos shqetësohen. Siguria nuk duhet të jetë luks, ajo është një domosdoshmëri.
4. Të marrin rrugën më të shpejtë për në shtëpi
Mbërritja në shtëpi, ditën apo natën, nuk ka të bëjë kurrë me rrugët më të shpejta. Gratë duhet të zgjedhin rrugë të ndriçuara mirë dhe me shumë lëvizje njerëzish. Zakonisht do të shmangin parqet dhe nuk mendojnë se mund të rrezikojnë të dalin në një tualet publik nëse janë vetëm. Nëse kanë veshur taka të larta, do të marrin me vete dhe këpucë të sheshta, në mënyrë që të jenë më pak të spikatura gjatë rrugës për në shtëpi.
5. Të lënë pijet e tyre në tavolina
Ndonjëherë grave dhe vajzave u duhet t’i kërkojnë një gruaje tjetër të hedhin një sy herë pas here në pijen e tyre, në rast se nuk ndodhen pranë saj. Të gjithë i dimë rastet kur gratë janë droguar në mënyrë të tillë.
Por siguria nuk është një lojë me shumën zero dhe kjo nuk ka të bëjë me gratë që fajësojnë burrat. Bëhet fjalë për njerëz të mirë të të gjitha gjinive që pranojnë se dhuna me bazë gjinore (dhe burrat sulmohen kryesisht nga burra të tjerë, që të mos harrojmë) është një problem serioz shoqëror që duhet të trajtohet në të gjitha nivelet.
Hapi i parë i çdo burri që e konsideron veten aleat të grave është t’i besojë gratë kur shprehin frikën ose shqetësimin për sigurinë e tyre. Edhe nëse një grua nuk është sulmuar, ngacmuar ose abuzuar vetë, dikush i afërt pranë saj e ka përjetuar diçka të tillë. Statistikat janë të vërteta dhe ato janë të tmerrshme. Mos sugjeroni se gratë “duhet të qetësohen”. Ato nuk i sajojnë gjithë këto situata./E.Ç