Nga Dritan Hila
Ka dy ditë që platformat sociale janë të përmbytura nga spotet elektorale të mbështetësve të Kamala Harris edhe në vende si Shqipëria, aq pak ndikuese në këto zgjedhje. Bill Klinton që ecën rrugëve të Filadelfias dhe kërkon votë për Kamalën; Barack Obama dhe bashkëshortja në mitingje elektorale që shpjegojnë regresin që do pësojnë reformat sociale të demokratëve nëse vjen Trump; aktorë të famshëm si Harrison Ford, Robert De Niro, Arnold Shvarceneger (ky një republikan) që bëjnë spote elektorale kundër Trumpit; aktore si Ashley Judd që bëjnë mitingje sensibilizimi kundër seksizmit të Trump e deri tek “Republikanët kundër Trump”, të gjithë janë në një përpjekje të ethshme. Krahas tyre edhe ish figura, gjeneralë, këshilltarë e deri tek John Bolton i cili para tetë vitesh ishte i frikshëm në izolacionizmin dhe antieuropeizmin e tij, thonë që rikthimi i Trump do të jetë fatkeqësi.
Atëherë çfarë i tremb këta njerëz?
Ajo që tremb më shumë është qasja antiestablishment e Donald Trump e cila nuk dallohet fare nga qasja anarkike antishtet. I braktisur edhe nga bashkëpunëtorët e tij të kohës presidenciale, ai mbart me vete një mllef i cili e rrezikon shumë paqen sociale në Amerikë por edhe institucionet amerikane. Qenia e tij një personazh kontrovers por edhe i tillë që gjithçka e merr për personale, rrezikon që në rast zgjedhje t’i humbasë shumë energji SHBA në luftëra të brendshme, ndërkohë që jashtë kufijve, fuqi të reja emergjente po kërcënojnë primatin amerikan.
Etja e tij për protagonizëm ku në mandatin e shkuar takoi me pompozitet një personazh operetash si Kim Jong Un, apo deklaratat për marrëdhënien me Putin, janë vetëm dy tregues të naivitetit të tij në politikën e jashtme, dhunti e pafalshme kjo për hiperfuqinë e botës. E ca më tepër në një BE të molepsur nga lider autoritarë dhe me politika centrifugale, rrezikon një shthurje të rendit 80 vjeçar të pasluftës.
Trumpi tremb sepse rrezikon fitoren duke kërcënuar Amerikën me skenarë apokaliptikë të populizmit. Me përkrahje në amerikanët e bardhë në atë që quhet Amerika e thellë; në shtresat e popullsisë që paguajnë taksa por pak marrin mbrapsht; duke shfrytëzuar rënien e besueshmërisë së medias tradicionale dhe rritjen e ndikimit të rrjeteve sociale dhe lajmeve të tyre të përmbytura nga fake; rritjen e alergjisë popullore për elitat që tashmë janë shkëputur nga masat, kjo është nga fushatat që bën risi dhe Trump po di ta kalërojë.
Si do jetë një botë me Trump në komandë, kjo është vështirë të përkthehet, pasi një Trump 2 nuk do të ngjajë më të parin. As ajo që quhet Deep State nuk do jetë në gjendje të frenojë, madje ka fjalë se sektorë të tij po flirtojnë me Trump.
Dhe në fund si do të jetë fati i Shqipërisë?
Kjo është më e thjeshtë të parashikohet. Me një Trump që do fokusohet në Amerikë dhe alergjik ndaj politikës së jashtme, do ketë një liri veprimi për faktorët lokalë, që në emra të përveçëm do të thotë një Ramë më të qetë nga vëzhgimi amerikan. Sa i takon opozitës, ajo do vazhdojë të përkëdhelë edhe për ca kohë halucinacionin se Trump është me të, ndërkohë që Rama ka dy vjet që ka mbyllur marrëveshjet me familjen e tij.
Një opozitë më inteligjente do investohej tek reformimi i saj dhe investimi tek demokratët që janë edhe më të ndjeshëm ndaj standardeve demokratike. Por kur do të vrasësh veten askush nuk të ndalon. Kjo opozitë ka vite që në vend të qëllojë kundërshtarin, harxhon fishekët duke gjuajtur këmbët e veta./e.t