Vetëm dy muaj nga kalimi i kompetencave të Komisionerit Publik te SPAK, vështirësitë në transferimin institucional dhe mungesa e strukturës organike rrezikojnë vijimësinë e procesit të vetingut në Shqipëri.
Ndërsa po afrohet data e 31 dhjetorit 2024, kur Komisioneri Publik duhet të përfundojë mandatin e tij, procesi i transferimit të kompetencave te Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është ende i paqartë. Duke nisur nga 1 janari 2025, SPAK, konkretisht Altin Dumani, pritet të marrë përsipër rolin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një detyrë e cila deri më tani ishte në juridiksionin e Komisionerit Publik. Por tranzicioni i këtij procesi, që ka qenë një shtyllë kyçe në reformën në drejtësi, është i mbushur me sfida të mëdha logjistike dhe institucionale. Mbetet ende e paqartë se si do të kryhet kjo kalim kompetencash, duke rrezikuar vazhdimësinë dhe integritetin e procesit të vetingut, për shkak të mungesës së një strukture të qartë organike dhe mbështetjes financiare për periudhën tranzitore.
Brenda katër muajve të fundit, Komisioneri Publik i është drejtuar dy herë Komisionit të Ligjeve me kërkesën për miratimin e një strukture të re prej 16 personash që do të mundësonte tranzicionin e funksioneve për një periudhë gjashtëmujore. Në një shkresë dërguar më 14 qershor 2024, si dhe një tjetër më 24 tetor 2024, komisionerët Florian Ballhysa dhe Irena Nino kanë kërkuar miratimin e kësaj strukture, duke paralajmëruar për një ngërç institucional nëse nuk merren masa të menjëhershme. Megjithatë, deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e Komisionit të Ligjeve, duke ngritur shqetësime të thella mbi vijimësinë e procesit të vetingut. Sipas dokumenteve zyrtare, janë më shumë se 41 ankime që presin të shqyrtohen nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që nga janari 2025.
Buxheti
Situata përkeqësohet më tej nga fakti se projekt-buxheti për vitin 2025 nuk ka parashikuar burime të mjaftueshme për periudhën e tranzicionit. Ministria e Financave ka propozuar që stafi i Komisionerit Publik të transferohet në varësi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe SPAK-ut për vetëm tre muaj. Kjo bie ndesh me kërkesën e Komisionerit Publik për një periudhë tranzitore gjashtëmujore, duke shkaktuar konfuzion të mëtejshëm dhe duke ngritur pikëpyetje për statusin e personelit aktual të këtyre institucioneve. Deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Gazment Bardhi, kanë ngritur shqetësime të mëdha mbi këtë propozim, duke vënë në pikëpyetje vijimësinë e funksionimit të stafit teknik dhe ligjor, si dhe mënyrën e trajtimit të dosjeve në proces. Bardhi ka paralajmëruar se nëse nuk përfundohet procesi i transferimit brenda tre muajve të propozuar, atëherë mund të mbeten dosje të papërfunduara, duke dështuar në përmbushjen e mandatit kushtetues. Nga ana tjetër, SPAK ka kërkuar buxhetimin e 10 këshilltarëve të rinj për të përballuar ngarkesën e shtuar të punës, ndërkohë që prokurori Alfred Shehu ka sugjeruar një amendament në nenin 12 të projekt-buxhetit, për të lejuar që stafi i transferuar të trajtohet me të njëjtat kushte financiare si më parë. Përfaqësuesit e qeverisë, nga ana tjetër, kanë theksuar nevojën për fleksibilitet në numrin e punonjësve dhe fondet e alokuara për institucionet e reja. Megjithatë, sugjerimi i tyre për një periudhë tranzicioni vetëm tre mujore mbetet një çështje e hapur për debat. Me përfundimin e mandatit të institucioneve të vetingut më 31 dhjetor 2024, rreth 100 punonjës të këtyre strukturave përballen me rrezikun e papunësisë. Ky është një shqetësim i madh, duke marrë parasysh se ky proces ka qenë një prej reformave më të rëndësishme të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të dhe Bashkimin Europian. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, pranoi se ka mospërputhje në formulimin e nenit 12 të projekt-buxhetit dhe sugjeroi riformulimin e tij për të siguruar një transferim të qetë të funksioneve dhe personelit nga një institucion në tjetrin. Ndërsa Shqipëria po përballet me këtë tranzicion të ndërlikuar institucional, është thelbësore që Parlamenti dhe institucionet përkatëse të ndërhyjnë me vendime të shpejta dhe të qarta. Pa një plan të qartë të zbatueshëm, rrezikohet jo vetëm vazhdimësia e procesit të vetingut, por edhe besimi i publikut në reformën e drejtësisë. Ajo që kërkohet tani është një koordinim i fortë mes qeverisë, Parlamentit dhe partnerëve ndërkombëtarë për të siguruar që procesi i vetingut të përmbyllet me sukses dhe pa ndërprerje. Pa një zgjidhje të shpejtë, Shqipëria mund të përballet me një krizë të re në sistemin e saj të drejtësisë, duke vënë në rrezik arritjet e deritanishme të reformës.