Bashkë me reformën e pensioneve, deri në fund të këtij muaji do të ketë edhe një vendim për shpërndarjen e bonusit vjetor për pensionistët e të gjitha llojeve.
Përpos shumës, e cila është thënë vazhdimisht që do të jetë më e lartë se ajo e viteve të shkuara (5 mijë lekë), në tryezën e diskutimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore është sjellë propozimi për diferencimin e përfitimeve midis pensionstëve. Më konkretisht, bëhet fjalë për të dhënë më shumë tek ata që kanë pensione më të ulëta dhe anasjellas.
Kjo ndarje synon të mbështesë kryesisht pensionistët që trajtohen me pensione të ulëta, të cilët janë kryesisht pensione rurale apo pensione të pjesshme, për shkak se nuk kanë shumë vite pune. Edhe vetë reforma, e cila po punohet me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore këtë synon të nxisë në vetvete, të rrisë përfitimet e atyre që marrin më pak dhe të zbusë diferencat midis pensioneve urbane me ato rurale.
Referuar statistikave zyrtare të ISSH-së, në fund të vitit 2023 në skemën e pensioneve rezultonin rreth 705 mijë qytetarë, përkatësisht 608,581 pensione urbane dhe 96,418 pensione rurale. Ndër pensionet urbane, 503,747 janë për pleqëri, 60,956 për invaliditet dhe 43,878 janë pensione familjare. Të dhënat më të fundit për vitin 2024 tregojnë se numri ka arritur në 720 mijë.
Me indeksimin e fundit të bërë në muajin tetor, pensioni social arrin në 9710 lekë në muaj, ndërsa pensionet plota të pleqërisë dhe invaliditeti nuk do të jenë më pak se 17.900 lekë. Në të njëjtën masë do të nisin dhe pensionet e parakohshme. Përfitues të indeksimit do të jenë edhe ata pensionistë që dalin në pensin gjatë muajit tetor 2024.
KU DO GJENDEN PARATE
Qeveria ka ndarë veç rreth 7.8 miliardë lekë ose rreth 78 milionë dollarë që do të jepen për pensionistët, ku përfshihet edhe fondi për bonusin apo shpërblimin, që ndahet me rastin e festave të fundvitit. Konkretisht, janë rreth 4.1 miliardë lekë që do të përdoren për indeksimin dhe 3.7 miliardë të tjera që do të shkojnë për bonusin. Shuma e fundit është e njëjtë me fondin e përvitshëm nga i cili pensionistët nuk kanë marrë më shumë se pesë mijë lekë.
Për këtë, po bëhen kalkulimet e nevojshme për të përllogaritur një shumë totale dhe shtesën që do të derdhet nga buxheti i shtetit për shpërblimin vjetor. Skema se si do të funksionojë dhënia e shpërblimit këtë vit do të bëhet publike deri në fundin e këtij muaji. Ndryshime në dhënien e bonusit dhe të indeksimit pritet të ketë edhe për vitin 2025, ku sipas informacioneve pritet që indeksimi të bëhet në muajin prill 2025 dhe të jetë në shifrat 3.5% deri në 3.7%, aq sa planifikohet të jetë indeksi i çmimeve të shportës. Sa i takon fondit të pensioneve për tri vitet e ardhshme, për vitin 2025 janë parashikuar të shpenzohen 7.9 miliardë lekë, ose 126 milionë lekë më tepër.
Për vitin 2026 janë planifikuar rreth 8.3 miliardë lekë dhe pas tri vitesh, pra, në 2027-ën, fondi i dedikuar për rritjen e pensioneve do të jetë 8.8 miliardë lekë, duke njohur një rritje me gati 13 për qind. Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë para në xhepat e pensionistëve, për vetë faktin që fondi vjetor është i lidhur më së shumti me rritjen e numrit të personave që dalin në pension. Aktualisht, janë rreth 700 mijë të moshuar në skemë, por në 2027-ën numri i tyre pritet të jetë më i lartë. Në këto kushte, edhe fondi që shkon në adresë të pensionistëve parashikohet të vijë në rritje.
PENSIONET QE PERFITOJNE BONUS
Pensionet e pleqërisë
Pensionet e kooperativave
Pensionet sociale
Pensionet e invalidëve të luftës
Pensionet e caktuara me dekret
Pensionet e caktuara nga sigurimet shoqërore
Pensione suplementare
Pensionet e familjeve të pilotëve që humbin jetën
Pensionet e oficerëve
Pensionet e minatorëve
Pensionet e atyre që kanë punuar nën tokë
Pensionet e ushatarkëve
Pensionet e akademikëve
Pensionet e personave që kryejnë funksione kushtetuese
Pensionet e invalidëve
Pensione të veçanta
Pensionet për fëmijët në përkujdesje të shtetit/ S,M