Rritja e të ardhurave neto nga interesat për bankat po ngadalësohet. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin e këtij viti të ardhurat neto nga interesi arritën në 56.2 miliardë lekë, në rritje me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë historike e të ardhurave neto nga interesat deri në fund të 9-mujorit.
Megjithatë, rritja e këtij treguesi këtë vit është ngadalësuar ndjeshëm me nivelin prej 32% që regjistrohej në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo tregon se përfitimet e bankave nga cikli i rritjes së interesit e kanë arritur pikun dhe kanë hyrë në një fazë të ngadalësimit.
Në mesin e këtij viti, Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane ndryshuan kahun e politikës monetare, pas dy vitesh radhazi në rritje. Ulja e normave të interesit ka filluar të reflektohet edhe në kthimet nga asetet e sektorit bankar shqiptar, që konsistojnë kryesisht në hua, letra me vlerë të borxhit dhe vendosje në institucione financiare.
Të ardhurat bruto të bankave nga interesat vazhduan rritjen dhe për 9-mujorin arritën vlerën e 70.3 miliardë lekëve, në rritje me 15.6% krahasuar me një vit më parë. Por, ndërkohë, shpenzimet për interesa janë rritur me ritme më të larta. Ato arritën vlerën e 14.1 miliardë lekëve, 42.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo reflekton zgjerimin e depozitave bankare, por edhe rritjen e normave të interesit të tyre. Norma mesatare e interesit e depozitave me afat në lekë në muajin gusht arriti në 2.44%, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë.
Një faktor dytësor që po ndikon në rritjen e shpenzimeve për interesa është edhe përdorimi gjithnjë e më i madh nga bankat tregtare i instrumenteve të borxhit të njohura si pjesë e kapitalit rregullator. Përdorimi i këtyre instrumenteve bëhet me qëllim përmbushjen e shtesave makroprudenciale të kapitalit, si dhe kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e këtyre instrumenteve financiare në mesin e vitit 2024 arriti në 14.2 miliardë lekë, 83% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare në përgjithësi ka një përcjellje më të shpejtë në kahun e aktiveve të sektorit bankar, se sa në atë të pasiveve. Tregu primar instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikohet i pari nga lëvizjet e normës bazë të interesit. Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase. Ndërkohë, përcjellja në interesat e depozitave zakonisht është më graduale.
Në rast se ulja e normave të interesit do të vijojë, është e pritshme që rritja e të ardhurave neto nga interesat të vazhdojnë të ngadalësohet gjatë tremujorëve në vijim. Në muajin nëntor, Banka e Shqipërisë vendosi uljen e dytë të normës bazë të interesit këtë vit, nga 3% në 2.75%.
Fitimi neto i sektorit bankar për 9-mujorin 2024, sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, arriti vlerën e 27.9 miliardë lekëve, në rritje me 22.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Monitor