Asambleja Politike e Partive Popullore Evropiane (PPE) miratoi të premten një rezolutë të propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku ngriti shqetësime për gjendjen politike dhe institucionale në vend. Rezoluta adreson çështje të rëndësishme si arrestimi i liderëve të opozitës, dobësimi i institucioneve demokratike dhe përkeqësimi i klimës politike, veçanërisht përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Dokumenti thekson mungesën e një kulture të shëndetshme dialogu parlamentar dhe nënvizon rëndësinë e një opozite të lirë dhe konkurruese në funksionimin e demokracisë. Në tekst theksohet se arrestimet e liderëve opozitarë dhe kufizimet e të drejtave të tyre civile krijojnë një mjedis politik të deformuar, duke penguar pluralizmin dhe zhvillimin demokratik. Rezoluta bën thirrje për respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të reformave të Bashkimit Evropian. Ajo kërkon që autoritetet shqiptare të sigurojnë një mjedis të drejtë dhe të hapur për të gjithë aktorët politikë, si dhe të shmangin çdo lloj persekutimi dhe frikësimi ndaj opozitës. Në veçanti, PPE nënvizon nevojën për një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm, si dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbëjnë shtyllën themelore të qeverisjes demokratike, dhe administrata publike duhet të jetë plotësisht e pavarur nga ndikimet e partisë në pushtet,” thuhet në rezolutë. Miratimi i këtij dokumenti u mirëprit nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e cilësoi atë si një fitore për opozitën dhe një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të shpalosur realitetin politik shqiptar në arenën ndërkombëtare. Berisha theksoi se kjo rezolutë është një dëshmi e qartë e mbështetjes evropiane për forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe për sigurimin e një mjedisi politik të drejtë dhe të balancuar. Në Rezolutë ngrihet shqetësimi për: “Çdo persekutim politik i supozuar i liderëve të opozitës, deputetëve dhe zyrtarëve të pushtetit vendor, duke u përballur me kufizime të motivuara politikisht të të drejtave të tyre civile”. Në rezolutën e miratuar thuhet se: “Partia Popullore Evropiane (EPP) i kërkon autoriteteve shqiptare që të zbatojnë menjëherë reformat e kërkuara nga BE për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, pa ndërhyrje politike; zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbëjnë shtyllën themelore të qeverisjes demokratike, duke kërkuar garanci për pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet”. EPP do të monitorojë nga afër zhvillimet në Shqipëri, duke mbështetur partitë e saj anëtare në zgjedhjet e ardhshme dhe duke mbrojtur aspiratat e Shqipërisë për në BE. EPP rithekson mbështetjen e saj të fortë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe ndjekjen e popullit shqiptar për një të ardhme të lirë dhe demokratike.
Reagimi i Berishës
Ish kryeministri Sali Berisha ka njoftaur vet rezolutën e ardhur nga PPE. “sapo më erdhi një lajm se një rezolutë tjetër për gjendjen dramatike në Shqipëri është votuar nga asambleja politike e Partisë Popullore, e cila është mbledhur në Maltë. Tre përfaqësuesit tanë, se ne kemi tre përfaqësues kësaj radhe në asamble, zotin Oerd Bylykbashin, nënkryetarin e partisë; zonjën Albana Vokshi, anëtaren e kryesisë, kryetaren e LGD dhe nënkryetaren e gruas në PPE; Enri Çenon, sekretarin për marrëdhëniet ndërkombëtare. Zoti Bylykbashi dhe zonja Vokshi kanë mbajtur një fjalë shumë të rëndësishme që do ua përcjellin medieve dhe rezoluta është miratuar me unanimitet të plotë. Në përpjekjen tonë të pandërprerë për të paraqitur realitetin shqiptar ashtu siç është, jashtë propagandës së neveritshme të televizioneve kombtare, të katër televizioneve të klonuara nga RTSH dhe miliona e miliona euro që paguan Edi Rama brenda dhe jashtë vendit, gjithnjë e më shumë zëri i opozitës po dëgjohet dhe do dëgjohet”, tha Berisha.