Kadri Tarelli
Erdha të bashkohemi, t’i mbrojmë këto troje qoftë dhe me gjakun tonë. Të lidhemi në mes veti!. Të mos na ndajnë intrigat, të bashkohemi si një trup i vetëm të bëjmë vepra dhe jo fjalë.
Bajram Sali Gashi. “Hero i Kosovës”, “Dëshmor i atdheut”
Copëza përjetimesh
Ngjarje madhore në historinë e Kombit Shqiptar. Më, 14 – 22, vjeshta e tretë, 1908, në Manastir u mblodh “Kongresi i Alfabetit të gjuhës Shqipe”. Me vonesë vlerësimi i kësaj dite historike, nga shteti ynë, që qëllimisht heshti për afro një shekull. Kjo ngjarje, mund të vlerësohet si e barazvlefshme me ngjarjet e mëdha mbarëkombëtare, siç janë, “Besëlidhja e Lezhës”, 1444, “Lidhja shqiptare e Prizrendit” 1878, dhe shpallja e “Mëvetësisë”, më: 28, të vjeshtës së tretë, 1912, dhe Pavarësia e Dardanisë, më: 17 Shkurt, 2008,etj.
Dijetarët atdhetarë shqiptarë, prej kohësh kishin pritur këtë ditë, që të uleshin dhe të kuvenduar së bashku, për fatet e kombit, në kushtet e vështira historike që kalonte Perandoria Osmane dhe Ballkani, në tërësi të konflikteve dhe lakmisë për territore. Ndaj, ky kuvend burrash hapi udhën e mbrojtjes dhe mëvetësisë së kombit, të shkrimit e këndimit të gjuhës shqipe, çeljen e shkollave në mbarë vendin, ndërgjegjësimin e shqiptarëve, duke bashkuar penën dhe pushkën për liri e pavarësi. Ky Kongres solli Mëvetësinë e Shqipërisë dhe një shekull më pas,çlirimin dhe Pavarësinë e Dardanisë.
Tekstet e historisë, tashmë janë të plota mbi këtë ngjarje madhore, kështu që cilido në shkollë dhe jashtë saj, mund të këndojë gjerë e gjatë, e të njohë me hollësi sikanë rrjedhur ato ngjarje. Ndërsa unë po shënoj disa copëza kujtimesh të veçanta, të përjetuara në kohë të ndryshme, që i bëjnë jehonë përjetësie Kongresit të shkronjave shqipe dhe shkrimit të gjuhës sonë të shenjtë.
Janë copëza shkrimesh e veprimesh, nga individë dhe personalitete të ndryshëm, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, janë përpjekur dhe përpiqen ta jetësojnë këtë ngjarje madhore.
Si fillim, dua të theksoj se, pikërisht, më: 22, nëntor 2024, u mblodhëm në Manastir, në mjediset e Bibliotekës së Librit shqip, për të festuat një-vjetorin e krijimit të saj. Nuk di si ta përshkruaj atë gëzim dhe krenari që ndjehej te të gjithë të pranishmit, të ardhur nga Shkodra, Dardania, Tirana, Lushnja, Devolli, Korça, Greqia, Italia, SHBA, etj. Nuk e mendoja se do të ishim aq shumë të ardhur posaçërisht. Ndërsa nga Durrësi u bëmë pjesë e festës: Lindita Gera Rushiti, Kadri Tarelli, Agron Rushiti, Indrit Hamiti.
Unë dhurova një sasi librash dhe një përmbledhje të disa shkrimeve të mia, lidhur me Manastirin dhe Kongresin e shkronjave shqipe. Ndërsa Lindita Gera Rushiti dhuroi pamjen: “Hartën e Shqipërisë, me të gjitha pjesët e shkëputura”, punuar artistikisht bukur, me gurrëza nga miniera e Trepçes në Dardani.
Përshkrimi i kësaj ngjarjeje madhore meriton një shkrim të zgjeruar, më vete.Ndërkohë më duhet të shpreh ato pak fjalë, të shkëputura nga shkrimi i gjatë i përgatitur për shtyp. Natyrisht për t’i lënë më shumë vend veprimtarisë dhe gazmendit të fëmijëve nga Manastiri, Tirana, Shkodra, Lushnja, etj.
– Disa vjet më parë, në një shkrim kushtuar kësaj dite të madhe, të festimeve në shkollat e Durrësit, me rastin e 100-vjetorit të “Kongresit të shkronjave”, unë shkrova artikullin me titull: “Një javë me vlera edukative”. Kushtuar 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, që “Pagëzoi” Alfabetin e gjuhës shqipe. Ku me të tjerave theksoj. – “Delegatët, mund t’i quajmë pa frikë heronj, pse jo edhe shenjtorë. Të gjithë pjesëmarrësit në atë tubim të mençurish, askush nuk i urdhëroi, e askush nuk i pagoi. Ishte veç një thirrje e shpirtit të kombit të robëruar, të sfilitur nga pushtimi i gjatë, dhe i rrënuar nga skamja dhe padituria. Ishte zëri i mëmëdheut që kërkonte liri, dritë, mëvetësi, kulturë, dije, shkolla e libra. Ishte ky zë që kumboi fuqishëm, dhe ata u mblodhën”. K. Tarelli. Gazeta “Mësuesi”. Tiranë më: 26. 11. 2008.
Po shënoj një ndodhi, që më pëlqen ta përmend kudo, kur bie fjala për “Kongresin e Alfabetit”. Para 12 vitesh, nëntor 2012, u ndodha në qytetin Legnano, pranë Milanos, në Itali, në festimet e 100-vjetorit të Mëvetësisë nga mërgimtarët e atjeshëm, ku m’u kërkua të flas për këtë ditë të shënuar për mbarë kombin. Në darkën e shtruar me atë rast, u njoha me Dom Antonion, prift katolik, njohës i përkryer i gjuhës shqipe, aq sa edhe meshën për shqiptarët e kryente në gjuhën shqipe.Ai mes të tjerash, më thotë: – “Ata që ideuan dhe krijuan alfabetin shqip, ishin burra të ditur, mendje mprehtë dhe atdhetarë të zot, sepse krijuan alfabetin e veçantë, që nuk e ka asnjë vend tjetër. Pavarësisht se germat janë latine, por ju kini 36 shkronja, që s’i ka asnjë gjuhë tjetër, duke bërë bashkimin e bashkëtingëlloreve, dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, zh, xh. Një ide gjeniale, që nuk le shteg të flasësh dhe të gabosh në drejtshkrim. Duket si e vështirë për ta mësuar e shkruar gjuhën shqipe, por kur fillon e kupton sa lehtësi ka shkrimi i saj”.
Jeta është e çuditshme, mbase nuk është rastësi që edhe Hytbi Tarelli, mërgimtar në Toronot, Kanada, artist i daltës dhe penelit, e përkujton ngjarjen e madhe, duke krijuarbasoreliefin “Kongresi i Manastirit”, që përdoret gjerësisht në letrat shqipe, nga të gjithë ata studiues dhe shkrues në studimet dhe shkrimet e tyre, kushtuar kësaj dite të shënuar. Mund ta gjenilehtësisht në internet.1.
Po sjell në kujtesë edhe një ndodhi të vogël në dukje: Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësis së Shqipërisë, në Bukuresht të Rumanisë, mbahej një veprimtari kushtuar nderimit të shkrimtares Vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj. Në fund iu dha fjalaz. Fitim Haxhiraj, (Bashkëshorti), i cili theksoi: – Gjuha shqipe është e shenjtë! Është gjuhë që flasin Perënditë! Më sillni një tabelë dhe ndërtoni një pentagram. – E sollën dhe shënuan pesë vizat e tij. – Shkruani shtatë nota muzikore: do, re, mi, fa, etj. Vendosni pranë çdo note, shtatë zanoret e gjuhës shqipe, a, e, ë, i, o, u, y. Më thoni, cila gjuhë e botës i ka shtatë tingujt muzikor….., veç gjuhës, e dalë nga dheu dhe e bekuar nga qielli, siç është gjuha shqipe……!?
Janë të freskëta ndjesitë e ndodhur pak kohë më parë, që më ngacmojnë të mos hesht:
Si sot një vit, më: 22, të vjeshtës së tretë, 2023, një grup shkrimtarësh nga Durrësi, Kadri Tarelli, Merita Kuçi Thartori, dhe veprimtarja e palodhur, mësuese Lindita Gera Rushiti,vrapuam drejt Manastirit, në qytetin e shenjtë të Alfabetit shqip, së bashku me plot shtetarë e atdhetarë, të ftuar nga trojet mbarë shqiptare, ku festuam edhe përurimin e “Bibliotekës së librit shqip”. Janë mbresa që nuk shlyhen nga mendja dhe shpirti, që më shtyjnë të flas e të shtoj:
Ishte nisma dhe qëndresa e pashembullt e studentes Emira Selimi, për të hapur në Manastir, pas 115 vjetësh të Kongresit, këtë Bibliotekë, ku librat do këndohen në shqip, dhe librat do të flasin shqip. E gjitha në shenjë nderimi për të gjithë ata që u munduan, që vuajtën e shkrinë mall e pasuri, disa dhanë edhe jetën për këtë gjuhë të shenjtë, mbetur martirë për t’u kujtuar në përjetësi e shenjtëri.
Kështu lavdërimet dhe përgëzimet i takojnë “Heroinës” sonë Emira Selimi, shqiptare nga trojet Arbërore në Maqedoninë e Veriut, e cila me veprën e saj na kujtoi, se shqiptarizmi nuk është shuar në mendjen dhe shpirtin e shqiptarit, pavarësisht se ku ndodhet, ku jeton e mbijeton, në trojet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, apo në mërgim. Shembulli i saj është i pashembullt, ndaj meriton të çmohet e të vlerësohet shqiptarishtsi simbol qëndrese dhe guximi.
Sot i bëj pyetje vetes dhe të gjithë shqiptarëve, mësuesve e prindërve kudo që janë: A ka model më të bukur bukurie, guximi, durimi, mençurie e atdhedashurie, për t’u marrë si shembull edukimi, për brezin e ri….!? Pyetje që lind vetiu, që mos kujtohemi vetëm kur përkujtohen këto data të shënuara.
Ishte znj.Lindita Gera-Rushitit, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Abedin Dino, Në qytetin e Durrësit, që i’u përgjigj thirrjes së Emira Selimit, duke u bërë nismëtare dhe organizatore, për grumbullimin e librave në qytetin e Durrësit, si dhuratë për bibliotekën e librit shqip në Manastir.Pjesë e kësaj lëvizjeje u bëmë edhe ne bashkë me shumë shkrimtarë dhe qytetarë durrsak, duke dhuruar libra nga botimet tona, ashtu edhe nga bibliotekat personale e familjare.
I solla këto pak shembuj, për të thënë, se kësaj ngjarje kaq të madhe, siç është Kongresi i Manastirit, në ditët e sotme po i kushtohet vëmendje, veçanërisht nga mësuesit dhe nxënësit e shkollave. Pikërisht aty ku mësohet dhe edukohet brezi i ri me ndjenja atdhetarie, si një thirrje për ta ruajtur e mbrojtur gjuhën shqipe, këtë gjuhë,dhuratë bekuar nga Perëndia dhe amanet i trashëguar nga Shqiptaria.
Në udhën e festimeve që u bënë në shkollat e Durrësit, edhe unë kam qenë i nderuar të marr pjesë në këto veprimtari të vyera edukimi, për njohjen e historisë sonë kombëtare, siç ndodhi në shkollën jopublike “Mihal Ikonomi”, në Durrës.
Çuditërisht, kënaqësiadhe krenaria shkojnë bashkë, kur flitet për histori dhe atdhetari.
Urime dhe suksese librit që po këndon shqip! Ditë më të mira presim, për komb dhe shqiptari!
Edhe një herë, mirënjohje studente Emira Selimi! Vepra jote meriton një monument mençurie, guximi, trimërie, fisnikërie dhe Shqiptarie. Të rinj e të reja nga raca shqiptare le të ndjekin shembullin tënd. Nuk ka më bukur!
Vitin që shkoi premtova: Mirë u takofshim në 120-vjetorin e Kongresit të Alfabeti Shqip!
Guxoj të shpresoj, se do ta mbaj fjalën.