Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) i bën thirrje urgjente Presidentit të Republikës të shpallë sa më parë Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, në ushtrim të drejtë të kompetencave dhe përgjegjësive të tij, për të mos vënë nën stres procesin përgatitor dhe atë ligjzbatues për Zgjedhjet Parlamentare 2025.
Në një deklaratë të publikuar ditën e djeshme, KRIIK thekson se data 10 dhjetor 2024 është afati i fundit ligjor i përcaktuar nga Kodi Zgjedhor për nxjerrjen e Dekretit të Presidentit të Republikës për të shpalluar datën e Zgjedhjeve për Kuvendin të pranverës 2025, pasi mandati i Kuvendit aktual mbaron më datën 10 shtator 2025.
KRIIK vlerëson deklarimin dhe qasjen e Presidentit të Republikës se caktimi i datës së zgjedhjeve nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, sikurse edhe mesazhet e tjera të shprehura në mesazhin e publikuar prej tij mw 25 nwntor, pas përfundimit të procesit të konsultimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Ai e konsideron këtë qëndrim të Presidentit Begaj si një qasje pozitive proaktive, të cilin KRIIK e mbështeti dhe e nxiti të çohej më tej në bashkëbisedimin e frytshëm që zhvilloi me të dhe stafin e tij, më datë 11 nëntor 2025, duke vënë theksin, ndër të tjera, tek nevoja për një interesim të vazhdueshëm të Institucionit të Presidentit në zbatimin e ligjit prej institucioneve shtetërore të ngarkuara me detyra lidhur me procesin zgjedhor, në përmbushje edhe të gërmës “h” të nenit 92 të Kushtetutës.
KRIIK i kujton Presidentit se në këtë takim, ndër të tjera, i theksoi nevojën e dekretimit sa më parë të datës së zgjedhjeve, pasi një sërë procesesh, mekanizmash dhe afatesh lidhen me datën e shpalljes së Dekretit.
Duke parë se deri më tani nuk është marrë asnjë hap në këtë drejtim, nëpërmjet kësaj deklarate, KRIIK shpreh rezervat e tij lidhur me këtë vonesë të shpalljes së dekretit mbi datën e zgjedhjeve parlamentare 2025. “Kjo vonesë, megjithëse jo në shkelje të ligjit, konstatohet e pakuptimtë, ndërkohë që po sjell një sërë efektesh dhe pasojash jo-pozitive lidhur me cilësinë e procesit të ardhshëm zgjedhor dhe respektimin e kuadrit ligjor.
Vonesa e deritanishme apo edhe e mëtejshme e mosshpalljes së Dekretit po çon, së pari, në zhbërjen e tërë procesit konsultues me partitë politike, duke limituar natyrshëm dhe logjikisht datat e zgjedhjeve në dispozicion, e duke u limituar vetëm në datën e fundit të periudhës zgjedhore, që është data 11 maj 2025, datë e kontestuar publikisht prej partive opozitare.
Shpallja e vonuar e Dekretit po fut në “stres test” tërë përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor, proces i cili parashikon miratimin e një volumi të tërë aktesh, ndërkohë që edhe zbatimi i tyre me korrektësi kërkon kohën e nevojshme në dispozicion, pa folur këtu për ngarkesën që mbart aplikimi për herë të parë i votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë.”
Në deklaratë vihet në dukje se neni 27 i Kodit Zgjedhor në pikën 1 të tij përcakton se miratimi i Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, duhet të bëhet jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, pra jo më vonë se data 10 dhjetor 2024. Ky vendim nuk mund të merret pa u caktuar më parë me Dekret data e zgjedhjeve, dekret i cili i hap rrugë tërë miratimit të akteve rregullatore nënligjore të nevojshme për përgatitjen dhe realizimin e procesit zgjedhor 2025.
Po ashtu, aty theksohet se ndryshimi i mundshëm i kufijve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, nëse Presidenti do të shpallë një nga tre datat e para të periudhës zgjedhore, do të bëhej nga Komisioni Rregullator në shkelje të Kodit Zgjedhor, pasi neni 27 pika 5 e tij përcakton se ky vendim duhet të merret jo më vonë se 5 muaj para datës së zgjedhjeve.
Gjithashtu, në deklaratë sillet fakti i caktimit të monitoruesve, që do të vëzhgojnë respektimin e detyrimeve të subjekteve zgjedhore për fushatën zgjedhore, duke përfshirë respektimin e ndalimeve dhe kufizimeve të formave të caktuara të fushatës dhe shpërdorimit të burimeve shtetërore, i parashikuar të bëhet jo më vonë se gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve, sipas nenit 92/4 të Kodit Zgjedhor, i cili është tashmë në shkelje të ligjit.
Edhe nëse datë zgjedhjesh do të shpallej data e fundit, pra 11 maj 2025, ky proces duhet të kishte përfunduar përpara datës 11 nëntor 2024. Në përfundim të deklaratës KRIIK ngre shqetësimin mbi ndikimin që do të ketë vonesa e dekretimit të datës në përgatitjen e listës së zgjedhësve.
“Sillet në vëmendje, gjithashtu, se kjo vonesë e shpalljes së dekretit, lë shumë pak kohë për procesin e verifikimit dhe pastrimit të listave të zgjedhësve, duke lënë mundësi për publikimin e vetëm tre ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë, kohë e pamjaftueshme në gjykimin e KRIIK, për kontrollin dhe saktësimin e listave të zgjedhësve nisur nga problematikat e shumta të mbartura nga proceset e mëparshme zgjedhore, e sidomos ato të zgjedhjeve vendore 2023”.