Bizneset e vogla dhe të mesme, do të përfitojnë nga një mjedis më i drejtë biznesi dhe konkurrues, si dhe do të kenë më shumë mundësi për hyrje në treg. Kjo është një ndër objektivat që synojnë të arrijnë ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës, hedhur për konsultim publik, përpos përafrimit të legjislacionit me atë të BE.
Referuar relacionit që shoqëron draftin, ndërhyrjet e parashikuara synojnë të kenë një impakt pozitiv për tregjet, bizneset dhe konsumatorët. Për konsumatorët, këto ndryshime pritet të sjellin përfitime në formën e çmimeve më të ulëta, cilësisë më të lartë të produkteve dhe shërbimeve, si dhe aksesit më të madh në tregje më të diversifikuara dhe më të ndershme. Efektet e pritshme të këtij projektligji përfshijnë gjithashtu nxitjen e inovacionit dhe përmirësimin e efikasitetit në ekonomi, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e sektorëve të rinj dhe për përmirësimin e performancës së ndërmarrjeve ekzistuese.
Nga ana institucionale, Autoriteti i Konkurrencës do të fuqizohet me mjete dhe mekanizma më të avancuar për të siguruar zbatimin efektiv të ligjit, përfshirë rritjen e kapaciteteve të tij për të ndërvepruar me bazat e të dhënave të institucioneve të tjera ligjzbatuese, si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Doganave, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Qendra Kombëtare e Biznesit. Kjo do të mundësojë një mbikëqyrje më të mirë të tregut dhe parandalimin e praktikave të dëmshme për konkurrencën.
Në aspektin shoqëror, ndryshimet ligjore të propozuara synojnë të ndikojnë të ndikojnë në rritjen e besimit publik në konkurrencën e lirë dhe efektive, si dhe promovimin e një mjedis më të drejtë dhe transparent në treg. Qëllimi është nxitja e investimeve, përmirësimin i performancës ekonomike dhe cilësisë së jetesës në shoqëri./ S,M