Atmosferë festive edhe në institucionin e Presidencës për festat e fundvitit.
Godina është ndriçuar sot (6 Dhjetor) për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, teksa mori pjesë në ceremoni edhe vetë kreu i shtetit Bajram Begaj, i cili ndezi dritat e pemës bashkë më fëmijët e ftuar nga e gjithë Shqipëria.
Në këtë festë, të kthyer tashmë në traditë, morën pjesë këngëtarë të vegjël, valltarë, instrumentistë, si dhe nxënës të shkollave të ndryshme të vendit, të cilët kanë marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare përgjatë vitit 2024.
“Institucioni i Presidentit të Republikës e ka kthyer në traditë kremtimin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me fëmijët, të cilët, edhe këtë vit, me emocion e gëzim, ishin protagonistë dhe spektatorë të koncertit festiv”, njofton Presidenca.
E pranishme edhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, që uroi fëmijët, duke theksuar se “fituesit e medaljeve përgjatë vitit që po lëmë pas janë shembulli i duhur për bashkëmoshatarët e tyre dhe se gjithkush ndihet krenar për ta”.
Festa vazhdoi me kërcimet e valltarëve të Qendrës Kulturore Artistike Tiranë, këngët e interpretuara nga artistët e vegjël të Liceut Artistik të Tiranës dhe zëra të rrallë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, si dhe interpretime artistike e instrumentale nga nxënës që kishin fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare në fusha të ndryshme të artit. Kurse ekipi kampion ndërkombëtar në Judo nga qyteti i Kavajës ofroi për të ftuarit një ndeshje të këtij sporti.
Festa vijoi me dhuratat simbolike që Institucioni i Presidentit të Republikës kishte përgatitur për të gjithë miqtë e vegjël./K.B