“Emilia Pérez” – me regji të Jacques Audiard – ka fituar çmimin për filmin më të mirë evropian të vitit, njoftoi Akademia Evropiane e Filmit në një ceremoni të zhvilluar në qytetin zviceran, Lucerni.
Jacques Audiard është një regjisor, producent dhe skenarist francez. Gjatë karrierës së tij, ai ka marrë vlerësime të shumta duke përfshirë dy çmime në Akademinë Britanike të Filmit, 11 çmime “Cesar” dhe katër çmime në Festivalin e Filmit në Kanë.
Filmi tregon historinë e një bosi karteli meksikan i cili i nënshtrohet ndryshimit të gjinisë dhe kërkon shpengimin për krimet e së kaluarës.
“Emilia Pérez”, një ndërthurje e zhanreve dhe stileve të ndryshme, gjithashtu mori vlerësime për skenarin dhe regjinë e tij.
Aktorja spanjolle, Karla Sofía Gascón u nderua me çmimin për aktoren më të mirë për portretizimin e personazhit kryesor në “Emilia Pérez”.
Filmi mori gjithashtu trofeun e montazhit më të mirë, i cili u shpall përpara shfaqjes gala.
“European Film Awards” – Çmimet e Filmit Evropian këtë vit ofruan një gamë të gjerë kandidatësh – pasi kategoria për filmin më të mirë evropian përfshinte jo vetëm filma artistikë, por edhe dokumentarë dhe filma të animuar. Si rezultat, në garë ishin 15 tituj, krahasuar me pesë siç ndodh zakonisht.
Çmimi për aktorin më të mirë evropian iu dha Abou Sangare për interpretimin e tij në “Souleymane’s Story” me regji të Boris Lojkine, një fitore surprizë.
Çmimin për dokumentarin më të mirë e fitoi “No Other Land”, i realizuar nga një ekip palestinezo-izraelit që fokusohet në dëbimin e palestinezëve nga fshatrat në Masafer Yatta, në jug të Hebronit në Bregun Perëndimor.
Regjisori gjerman Wim Wenders, 79 vjeç, u nderua me çmimin për arritje në karrierë, ndërsa aktorja italo-amerikane Isabella Rossellini mori çmimin e mirënjohjes për kontributin e saj në ndikimin global të kinemasë evropiane.
Çmimet e Filmit Evropian konsiderohen si një nga nderimet më prestigjioze në industri.
Rreth 5 000 anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit votuan për fituesit në një sërë kategorish, si çmimet e Akademisë në SHBA./E.T