Në fjalën e tij në Qytetin Studenti, lideri i opozitës Sali Berisha ka sjellë në vëmendjen takimin me liderin e dhjetorit Azem Hajdari dhe presidentin e asaj kohe Ramiz Alia. 34 vite më pas, Berisha rrëfeu bisedën mes Azem Hajdarit dhe diktatorit Alia, kur ky i fundit e pyeti mbi arsyet e protestës.
“Duke kuptuar se, beteja me studentët, është beteja më e vështirë për të alarmoi diktatorin, i ftoi ata në mesnatë t’i presë në një sallë të universitetit. Azem Hajdari me një grup syresh u paraqitën në takim. Për çfarë po protestoni, i pyeti, Ramiz Alia? Nuk po protestojmë për një gotë çaj, z.President, iu përgjigj, Azem Hajdari. Po protestojmë për fatet e lirisë”.
Berisha foli për dhunën që regjimi i kohës ushtroi mbi studentët dhe përfshirjen e tij mes tyre.
“U nda nga takimi se diktatori do të vinte t’i takonte, në këtë sallë që sot e kanë mbyllur për ju, diktatorët e rinj. Por, siç ishte, i pabesë dhe i frikësuar gjer në palcë, i kishte nxjerrë në dërgatës së studentëve pusi, i kishte vendosur pusi sambistët, me në krye ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, dhe mbi ta u vërsulën si shtazë, me shkopinj dhe mjete tjera, në mënyrë që këta të mos mendonin më të protestonin. Këta të dorëzoheshin. Por unë u them ju, se ata qenë të pamposhtur. I pamposhtur është vetëm ai që, pasi rrëzohet, ngrihet. Më datën 9, ora 8 të mëngjesit, ata bashkohen me vendimin solemn për t’i pushtuar regjimit sheshin e pushtetit, sheshin qendror të Tiranës. Dhe nisen drejt tij. Pata fatin e madh që, së bashku me shkrimtarin e njohur, Besnik Mustafaj dhe kinoastin, Kujtim Çashku, të mësojmë se ishin nisur drejt qytetit dhe u nisëm drejt tyre. U gjetëm përballë tyre në rrugën e Elbasanit, segmentin midis Liceut Artistik, dhe sot, rezidencës së ambasadorit italian. Ishim shumë afër, pak metra. Azem Hajdari, ngrihej mbi supet e tyre me thirrjet: Poshtë Dinastia! Poshtë diktatura! Liri demokraci! Ndërkohë, ata djem dhe vajza ishin të rrethuar nga forca sambiste, polici, gardë, ushtri. Shumë e shumë herë më numerikë, se sa ishin ata”.
Duke theksuar se studentët e asaj kohe ndanë epoka me lëvizjen e tyre, Berisha tha se trima si ata nuk kishte.
“U vërsulën brenda pak minutave me tërbim, me egërsi të paparë kundër tyre. U vërsulën, i godisnin dhe humbnin ndjenjat, i kapnin prej këmbësh dhe i flaknin në kamione për t’i larguar nga sheshi, nga rruga. E pastruan brenda, të themi 5, 6 apo 10 minutash. Me Besnikun, i them, të shkojmë se mos ka të plagosur. Dhe u nisëm drejt konvikteve. Takojmë një grup, po me Azemin, të tronditur, me hematoma, të mavijosur, por të pamposhtur, përsëri. Më kërkuan, a mund të na përfaqësosh? Jo, u thashë, unë përfaqësoj Sali Berishën, por unë ju mbështes ju. Por unë, ju mbështes ju, dhe ju mbështes fort. Atëherë më kërkojnë, jemi të plagosur shumë, dhe kishim merak se, po keqtrajtoheshim në spitale. Jo, i thashë unë, nuk do të keqtrajtoheni, me atë merrem, jam mjek, pedagog. Kemi të burgosur. Për ata nuk kam ç’tju them, nuk njoh në aparatin e burgjeve. Më thonë: ne ora 3:30, do zbresim në shesh, pasi ishin bërë copë e pikë. Dhe ta dinë ata, se në atë shesh gjë mbi tokë nuk do të lëmë. Trima si ata nuk kishte. E vërteta ishte se, ky ishte ultimatumi i parë që Ramiz Alia kishte marrë në jetën e tij dhe diktatura, dhe diktatura kishte marrë në jetën e tij nga protestuesit. Nuk dua të bëj këtu historinë e tyre, por ata ndanë epoka me lëvizjen e tyre. Ndarjen e epokave rrallë i takon njerëzve t’i përjetojnë. Ata vërshuan në mbarë vendin dhe mbollën kudo pemën e pluralizmit, themeluan PD. Organizuan grevën epike të urisë, po në këtë qytetet në atë ndërtesë që sot e bllokon diktatura. 730 e studentëve u ngujuan për të çliruar shqiptarët nga kurthi më i keq që ata kishin përjetuar në të gjitha kohërat, kurthi i Enver Hoxhës, dhe fituan!”/E.T