Në prag të zgjedhjeve të 2025, Kryeministri Edi Rama ka filluar një plan të ri për forcimin e strukturave të PS-së dhe angazhimin e diasporës shqiptare. Pavarësisht mobilizimeve të opozitës, ai ka vendosur të riorganizojë partitë dhe të fokusohet në diaspora, duke zhvilluar një platformë për të rritur pjesëmarrjen e shqiptarëve jashtë vendit në procesin zgjedhor. Strukturat e PS-së do të kenë 3 javë kohë për të regjistruar diasporën.
Ndërsa opozita e udhëhequr nga Sali Berisha vijon të mobilizojë mbështetësit e saj në protesta për të ushtruar presion mbi qeverinë, Kryeministri Edi Rama ka intensifikuar përpjekjet për të garantuar mbështetje më të madhe, veçanërisht nga diaspora, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2025. Përpjekjet e tij për të siguruar një avantazh politik janë duke u fokusuar në riorganizimin e partisë dhe përpjekjet për të angazhuar shqiptarët jashtë vendit. Në një vendim të fundit të Kryesisë së Partisë Socialiste, Blendi Klosi është emëruar drejtues politik i qarkut të Dibrës, duke zëvendësuar Blendi Gonxhën, që deri më tani mbante këtë pozicion. Ky ndryshim lidhet ngushtë me nevojën e forcimit të strukturave të partisë, duke synuar më shumë angazhim për zgjedhjet që priten të zhvillohen pas katër muajsh. Klosi do të drejtojë përpjekjet për të siguruar fitore për PS-në në Dibër, një qark i rëndësishëm për përfaqësimin politik të mazhorancës. Por ndërkohë që ndryshimet në nivel lokal janë bërë, Rama ka vendosur një plan të gjerë për të angazhuar diasporën, një hap i rëndësishëm për të maksimizuar mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë me dije se Rama ka zhvilluar takime me përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Londër dhe Greqi, për të diskutuar mundësitë e angazhimit të emigrantëve në zgjedhje dhe për të lehtësuar procedurat e votimit për ta. Një nga planet kryesore të Ramës është krijimi i një databaze për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, e cila do të mundësojë një lidhje direkte me ata që kanë të drejtë vote. Ky projekt ka marrë një afat të caktuar prej tre javësh, dhe do të koordinohet nga Sekretariati Organizativ i PS-së në bashkëpunim me drejtuesit politikë në qarqe. Rama ka kërkuar që kjo platformë të jetë gati brenda afatit të caktuar, duke synuar kështu një rritje të pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e 2025. Në këtë periudhë, kur zgjedhjet janë më afër se kurrë, Partia Socialiste po përpiqet të forcojë mbështetje përmes strukturave të brendshme dhe të jashtme, ndërsa opozita po përpiqet të përdorë protesta dhe mobilizime në rrugë për të sjellë në vëmendje shqetësimet e qytetarëve ndaj politikave të qeverisë.
Reagimi i Berishës
Kreu i opozitës, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përdorimin e Blendi Klosit si një “kukull” në lojërat politike, duke e dërguar në Dibër për të mbuluar skandale të tjera. Sipas Berishës, Rama ka vendosur ta transferojë Klosin në këtë zonë për ta “internuar”, duke e cilësuar atë si një “kumarxhi të sëmurë”, i njohur për borxhet e tij të mëdha dhe lidhjet me bixhozin. Berisha ka theksuar se Blendi Klosi është i njohur si një nga bixhozxhinjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, duke shtuar se ky transferim është një lëvizje për ta larguar atë nga vëmendja publike, por që, sipas tij, ai nuk do të gjejë asnjë mbështetje në Dibrën e Peshkopisë, pasi qytetarët e atij rajoni nuk e duan dhe e shohin si një personazh të diskredituar. Ish-kryeministri ka folur gjithashtu për dërgimin e Pirro Vengut në Dibrë, një tjetër emër të akuzuar nga Berisha për lidhje me krimin. Vengu, sipas tij, është një “bashkautor në krime të rënda me drogën”, dhe një “ushtar i bandave” të Lubi Ballukut. Berisha ka shtuar se Vengu është i lidhur ngushtë me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, të cilin ai e ka cilësuar si një figurë të diskredituar në sytë e qytetarëve të Vlorës. Berisha gjithashtu ka bërë të ditur se do të publikojë në ditët në vijim emrat e stafit elektoral të Edi Ramës në Shkodër, duke paralajmëruar se këto figura janë të lidhura me krimin dhe se Rama nuk do ta gëzojë mandatin e ardhshëm. Ai ka përfunduar duke thënë se Rama është duke udhëhequr vendin drejt një situate të përkeqësuar dhe se do të marrë fund në duar të padrinove dhe bosëve të organizatave kriminale.