Nga Ben Andoni
Po faktet! Cila është e vërteta? Cili ka të drejtë? Këto janë pyetje, që shpesh i bëjnë në dilema shqiptarët, gjendur para akrobacive dhe veprimeve shpesh të kamufluara të pushtetit të tyre demokratik, që jo pak herë ka qenë i padrejtë me ta. Me sa duket, shqiptari i thjeshtë i bën këto pyetje ngaqë është dorëzuar mes një turme, që nuk reagon. Nuk kontrollojmë më për faktet, ashtu si sot, protagonistët e vërtetë të 8 Dhjetorit duhet të habiten me të drejtë pë r rrjedhën ku shkoi demokracia jonë. Së fundmi, “8 Dhjetori” u mor nga PD-ja për të ngritur një narrativë, që tashmë nga ana institucionale i jep “një të drejtë” dhe identifikon fillesat e saj, por kurrsesi monopolin për të. Në një nga sythet e librit të tij “Mbi tiraninë”, Timothy Snyder shprehet se: “Është aftësia juaj për të dalluar faktet që ju bën Ju një individ dhe është besimi ynë i përbashkët në diturinë e përgjithshme që na bën ne shoqëri”. Këtu nis dhe abstragimi tij interesant, që do të thotë se: individi që investigon dhe kërkon duhet vlerësuar sepse është një shtetas, ndaj lideri përballë tij, që nuk e pëlqen ka premisa të rrëshqasë në padrejtësi.
Rëndom, sot, ne nuk pyesim më dhe nuk i drejtohemi më të shkuarës sonë. Sot, komunistët fanatikë, ata që e dërrmuan regjimin me ngurtësinë e tyre, sot janë shndërruar në demokratë të ashpër, që po prishin demokracinë e ëndërruar.