Mehmet Shehu, pikëpyetjet mbi vdekjen e një kryeministri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Ai vazhdon të mbetet kryeministri më jetëgjatë i 112 viteve shtet shqiptar. Drejtoi ekzekutivin me dorë të hekurt për 27 vite me radhë. Pas tij për kohëzgjatje renditet Edi Rama me 12 vjet, Enver Hoxha me 10 vjet. Adil Çarçani 9 vjet, Sali Berisha me 8 vjet, Ameksandër Meksi me 5 vjet, e të tjetër me rradhë…

…Mbi shpatullat e tij rëndojnë mëkate të shumta. Ndaj vuajtsit prej tij e cilësojnë si kriminel. Por për shumë të tjerë ai ishte gjeni e largpamës, pasi kishte njohuri të thella në fushën ushtarake, në ekonomi, industri e bujqësi. Njihte të paktën 5 gjuhë të huaja ku anglishtja shkelqente si diamant.

Ndërkohë historia e Shqipërisë në shekullin XX është e mbushur me figura komplekse e kontradiktore, si dhe ngjarje dramatike të cilat kanë lënë gjurmë të thella në fatin e vendit. Ndër ta, Mehmet Shehu, mbetet një figurë që ngjall debat dhe polemika.

Rrallë gjejmë një personalitet aq enigmatik e të debatueshëm sa ai. I njohur si një lider autoritar, por njëkohësisht i aftë dhe energjik, Shehu mishëroi epokën e tij – një kohë ndryshimesh të dhunshme dhe polarizimesh të thella. Mehmet Shehu nuk mund të shihet as si hero dhe as si tiran. Ai ishte një produkt i kohës së tij, një njeri që mishëroi si ambiciet ashtu edhe kufizimet e një sistemi që synonte të transformonte gjithçka, por që shpesh shkatërronte më shumë nga sa ndërtonte.

Kryeministri i regjimit komunist, një ndër personat më të fuqishëm të diktaturës, përfaqëson një periudhë ku autoriteti dhe represioni ishin normë, dhe ku dhuna politike shërbente si garanci për mbijetesën e sistemit.

Ngjarja e 18 dhjetorit 1981, kur Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij të dhomës së gjumit, zyrtarisht u raportua si vetëvrasje. Megjithatë, rrethanat e vdekjes, klima politike e kohës dhe roli i tij në regjimin komunist kanë nxitur dyshime të shumta. Ndaj kjo vdekje u bë një nga ngjarjet më misterioze e të debatueshme në historinë moderne shqiptare, dhe rreth saj janë ngritur disa teori konspirative. U vra apo e vranë  do të vazhdojë të mbetet një mister. Që u largua nga skena e politikës, ky është një fakt.

 

Fillimet

Mehmet Shehu u formua si ushtarak, duke pasur një karrierë të hershme në lëvizjen antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. I lindur më vitin 1913 në Çorrush të Mallakastës, u përfshi herët në lëvizjet politike. Studimet e tij për ushtarak në Itali dhe pjesëmarrja në Luftën Civile Spanjolle si pjesë e Brigadave Ndërkombëtare, – ku drejtori batanionin IV të brigadës XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi”, – treguan përkushtimin e tij ndaj ideologjisë së majtë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shqua si një prej ushtarakëve më të spikatur të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Ishte komandant i Brigadës së I Sulmuese, e më pas i Divizioni të Parë.

I shkolluar në akademi ushtarake italiane dhe sovjetike, ai solli në Shqipëri një disiplinë të hekurt dhe një botëkuptim të papajtueshëm me kundërshtarët. Pas luftës, aftësitë e tij si organizator dhe vendosmëria e bënë atë një figurë qendrore në strukturat e shtetit komunist.

 

Pozicionet

Mehmet Shehu mori poste të larta gjatë rregjimit komunist si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ministër i Brendshëm, i Mbrojtjes. Emërimi i tij si kryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë më 1954 vulosi rolin e tij si një nga arkitektët kryesorë të regjimit.

Shehu shihej si një njeri i vendosur dhe i pamëshirshëm, i cili e përdorte fuqinë me efikasitet, por shpesh edhe me ashpërsi të skajshme. Ai ishte një nga zbatuesit kryesorë të kolektivizimit të bujqësisë dhe industrializimit të vendit, procese që transformuan ekonominë shqiptare, por që lanë pas varfëri dhe represion. Politikat e tij ishin të ashpra, shpeshherë të papajtueshme me nevojat reale të popullsisë, dhe zbatimi i tyre shoqërohej nga një kontroll i hekurt mbi jetën politike dhe shoqërore. Ai konsiderohej krahu i fortë i Enver Hoxhës, duke ndjekur një linjë të prerë kundër “armiqve të brendshëm” dhe “devijimeve ideologjike”.

Shehu është i njohur për stilin e tij të drejtimit: i prerë, autoritar dhe shpeshherë brutal. Ai nuk toleronte kompromiset dhe ishte i famshëm për tonin e tij kërcënues në mbledhje dhe raportime. Në një regjim ku devotshmëria ndaj partisë dhe udhëheqësit ishte kusht për mbijetesë, Shehu ishte simbol i një ashpërsie që përkonte me vetë natyrën e sistemit totalitar.

Politikat e tij ekonomike dhe shoqërore përforcuan izolimin e vendit. Me një angazhim të plotë për kolektivizimin, industrializimin dhe luftën kundër “armikut të brendshëm,” ai mbeti një ideolog i bindur, pavarësisht nga dështimet e dukshme që këto politika prodhuan për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Ashpërsia e tij nuk kurseu as bashkëpunëtorët më të ngushtë. Përplasjet mes Shehut dhe Enver Hoxhës ishin të njohura, ndonëse për një kohë të gjatë ato mbetën nën sipërfaqe. Në fund të viteve ’70, kur regjimi përballej me kriza të brendshme dhe të jashtme, tensionet u intensifikuan. Shehu nisi të shfaqej si një figurë gjithnjë e më e izoluar.

Lexo edhe :  17 dhjetor 1920, Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve

 

Rënia

Fundi i Mehmet Shehut është një nga episodet më enigmatike të historisë së Shqipërisë. Në dhjetor 1981, ai u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë politike. Versioni zyrtar i kohës e cilësonte si vetëvrasje, por spekulimet për një eliminim politik nuk munguan kurrë. Shumë historianë argumentojnë se Mehmet Shehu u bë viktimë e një lufte për pushtet brenda regjimit, një viktimë e makinerisë që ai vetë kishte ndihmuar të krijonte.

Mehmet Shehu mbetet një figurë që ndan opinionet. Për disa, ai ishte një strateg i aftë dhe një menaxher i zoti, që kontribuoi në modernizimin e Shqipërisë. Për të tjerë, ai ishte simboli i një regjimi të ashpër dhe represiv, përgjegjës për vuajtjet e mijëra qytetarëve.

Ajo që mbetet e padiskutueshme është se Shehu ishte një figurë e fuqishme, një aktor kyç në një nga periudhat më dramatike të historisë shqiptare. Jeta dhe vdekja e tij ilustrojnë kompleksitetin dhe kontradiktat e një epoke që ende formëson kujtesën kombëtare të shqiptarëve.

 

Konspiracionet

E folur gjërësisht është se eliminim ishte i orkestruar nga Enver Hoxha dhe aparati i tij i sigurisë. Kjo teori sugjeron se vdekja e Mehmet Shehut nuk ishte vetëvrasje, por një vrasje e planifikuar. Pretendohet se Hoxha e pa Shehun si një kërcënim për pushtetin e tij absolut, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e madh të Shehut dhe pozicionin e tij në shtet.

Përkrahësit e kësaj teorie argumentojnë se akuzat ndaj Shehut si “tradhtar” dhe “agjent i shumëfishtë” ishin një justifikim i krijuar për të legjitimuar eliminimin e tij pas vdekjes.

Në favor të kësaj teorie është edhe fakti që pas vdekjes së Shehut, familja e tij u persekutua ashpër, duke u trajtuar si “armiq të popullit.”

Një tjetër teori sugjeron se Mehmet Shehu mund të jetë eliminuar nga shërbime të huaja të inteligjencës, si CIA, KGB ose agjentura të tjera, për shkak të rolit të tij kyç në regjimin komunist. Kjo teori lidhet me akuzat pas vdekjes së tij, ku ai u cilësua si agjent i disa shërbimeve të huaja. Sipas kësaj hipoteze, ai mund të jetë parë si një figurë e papërshtatshme për interesat e këtyre shërbimeve.

 

Vetëvrasja

Zyrtarisht, Shehu u vetëvra pas një mbledhjeje tensionuese në Byronë Politike, ku u kritikua ashpër për martesën e djalit të tij me një vajzë nga një familje me biografi “armike.” Sipas kësaj teorie, ai e ndjeu veten të izoluar, të tradhtuar dhe pa rrugëdalje, duke e çuar në aktin fatal. Dyshimet mbi këtë teori qëndrojnë në mungesën e një hetimi transparent dhe në faktin se një figurë aq e fuqishme sa Shehu do të ishte i ndërgjegjshëm për pasojat e vetëvrasjes në raport me familjen e tij dhe trashëgiminë politike.

Disa analistë besojnë se Shehu ishte viktimë e përplasjeve të brendshme për pushtet brenda regjimit komunist. Në këtë skenar, ai mund të jetë eliminuar nga një fraksion rival që kërkonte të dobësonte pozitën e tij dhe të forconte kontrollin e Hoxhës.

 

Arrestimet

Nga 21 të arrestuarit pas vdekjes së Mehmet Shehut, ata që kishin edhe pozitën më të lartë partiake e shtetërore nuk i shpëtuan ndëshkimit. Kështu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini u pushkatuan. Me gjithë Fiqret Shehun, bashkëshorten e ish-kryeministrit, që vdiq në burg gjithsej janë 5 të vdekur nga procesi e vitit 1982. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që mund të dinin diçka mbi vdekjen enigmatike të kryeminsitrit u eleminuan, duke e bërë edhe më të misterme të gjithë situatën.

Ndërsa teoritë konspirative mbi vdekjen e Mehmet Shehut mbeten të shumta, e vërteta mbetet e mbuluar me një perde misterioze. Zyrtarisht, Shehu u akuzua pas vdekjes si “tradhtar” dhe “agjent i shumëfishtë,” akuza që përforcuan imazhin e tij si një figurë enigmatike dhe të dyshimtë.

 

Përfundimi

Mehmet Shehu mbetet një nga figurat më të vështira për t’u vlerësuar në historiografinë shqiptare. Disa e shohin atë si një administrator efektiv dhe një njeri me vizion, ndërsa të tjerë e portretizojnë si një shtypës të pamëshirshëm, pjesë integrale e një regjimi që kufizoi liritë dhe potencialet e kombit. Figura e tij mbetet një ftesë për reflektim mbi mënyrën se si pushteti, ideologjia dhe historia ndërthuren për të formuar fatet e një kombi. Çfarëdo që të ketë ndodhur mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitit 1981, fundi i tij tragjik simbolizon ashpërsinë e brendshme dhe mosbesimin që karakterizonte regjimin komunist, ku as njerëzit më të fuqishëm nuk ishin imunë ndaj goditjeve të sistemit që vetë kishin ndërtuar.

Të fundit

“Hotelet janë 100% të rezervuar”/ Juglindja destinacioni i preferuar për të kaluar festat

Në Korçë e Pogradec operatorët turistikë bëjnë të ditur se hotelet, bujtinat e shtëpitë pritëse janë të rezervuara ne...

“Ai është e vetmja shpresë”/ Elton Ilirjani ka gjetur djalin e Parashqevi Simakut?

Një tjetër lajm i mirë për këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Parshqevi Simaku. Pasi vendosi kontakte me vëllain dhe nipërit, biznesmeni Elton Ilirjani thotë se...

Kafe apo makiato?/ Shkenca i jep fund dilemës, ja cilën duhet të zgjidhni

Kafeja është një nga pijet që konsumohet më shumë në botë dhe në vendin tonë gjithashtu. Për disa njerët kafja është e rëndë dhe zgjedhin...

Bonusi i pranverës për pensionistët, Rama: Po shihet mundësia që të jetë i përvitshëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se si rezultat i rritjes ekonomike të vendit, po shikohet mundësia që bonusi i pranverës për pensionistët të jetë...

Hapja e grupkapitullit 6/Marta Kos: Njohje e harmonizimit të Shqipërisë me politikat e BE

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Rama, Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos përgëzoi vendin tonë për hapjen e grupkapitullit të...

Lajme të tjera

Web TV