Amerikanët janë të vendosur që t’i japin edhe një mandat tjetër kreut të SPAK, Altin Dumanit dhe grupit të prokurorëve. Dumani pikëtohet sërish për drejtimin e SPAK, ndonëse ligji aktual i reformës në drejtësi e ndalon.
Nevojiten ndryshime ligjore që kërkon votat e mazhorancës dhe opozitës, por të dyja palët, si PS ashtu edhe PD ende nuk kanë qëndrim. A do të bëhet sikurse e kërkon SHBA?
Në ceremoninë e organizuar për 5-vjetorin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof, përcolli një mesazh të qartë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ai kërkoi që prokurorëve aktualë të SPAK t’u jepet mundësia për të aplikuar për mandate të tjera pas përfundimit të mandatit të tyre. “Pavarësia e SPAK mbetet vendimtare. Për të siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejohen të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual.
Dështimi për ta realizuar këtë rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare. Rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohuritë e tyre institucionale,” tha Kasanof.
Në fjalën e tij, ai garantoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për reformën në drejtësi dhe për punën e SPAK, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm detyrë e këtij institucioni, por e të gjitha institucioneve shqiptare.
“Institucionet e tjera shqiptare duhet të tregojnë guxim e të veprojnë me pavarësi dhe integritet. Lufta kundër korrupsionit është detyrë e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht se ku punojnë apo kë njohin,” shtoi ai.