Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin për politika të pakoordinuara që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë pozitën e Kosovës. Ai theksoi se vendi ndodhet nën sanksione nga BE dhe SHBA dhe është përjashtuar nga iniciativa ndërkombëtare si “Defender 2023”.
Haradinaj e quajti axhendën e Kurtit në përputhje me interesat e Serbisë dhe Rusisë. Gjithashtu, ai kritikoi prishjen e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, duke përfshirë SHBA-në.
Në Prishtinë u mbajt seanca e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës, një ngjarje që synonte të forconte marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këtë takim morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe figura të tjera të rëndësishme nga të dyja anët e kufirit.
Përveç mesazheve për bashkëpunim, mbledhja u shoqërua edhe me kritika të ashpra, ku qëndrimi i kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tërhoqi vëmendjen. Haradinaj e cilësoi situatën e sigurisë në Kosovë si jashtëzakonisht delikate, duke përmendur sulmet terroriste në veri të vendit.
Ai akuzoi kryeministrin Kurti për dështime në politikat e brendshme dhe të jashtme, duke i quajtur ato të pakoordinuara dhe të rrezikshme për interesat e Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Haradinaj ngriti shqetësime të shumta për mënyrën se si po drejtohet vendi dhe për raportet e prishura me aleatët ndërkombëtarë. “Ky takim është mes vëllezërve dhe motrave, dhe në një forum të tillë nuk mund të fshihet e vërteta.
Sot, siguria e Kosovës është më e brishtë se kurrë. Kemi përjetuar sulme nga grupe terroriste të armatosura. Për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës, Serbia është perceptuar si viktimë, ndërsa Kosova është vënë nën presion të madh nga partnerët strategjikë. Sot, BE dhe SHBA kanë vendosur sanksione ndaj vendit tonë, duke na trajtuar njësoj si Korenë e Veriut,” tha Haradinaj.
Ai vijoi duke kritikuar mungesën e koordinimit me aleatët strategjikë dhe përjashtimin e Kosovës nga iniciativa të rëndësishme ndërkombëtare, si stërvitja ushtarake “Defender 2023”. Haradinaj e akuzoi Kurtin se ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet me SHBA-në, duke përmendur një deklaratë të kryeministrit, ku ai e kishte quajtur Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, naiv.
“Ne nuk kemi qenë kurrë më të izoluar. Marrëdhëniet tona me SHBA-në dhe BE-në janë në pikën më të ulët historike. Një kryeministër që e quan naiv Sekretarin Amerikan të Shtetit, nuk përfaqëson interesat e Kosovës.
Veprimet e tij janë në përputhje me axhendën e Serbisë dhe Rusisë. Marrëdhëniet tona me Shqipërinë gjatë katër viteve të fundit kanë qenë pothuajse të ngrira, dhe të gjithë e dimë se kush është përgjegjësi,” përfundoi Haradinaj, duke bërë thirrje për ndihmë nga Shqipëria për integrimin e Kosovës në NATO.