Trafiku i kokainës po përjeton një zgjerim të paprecedentë më parë dhe pas këtij fenomeni qëndron e ashtuquajtura “mafia shqiptare”. Kokaina, e fshehur nëpër kontejnerë mes frutash, tonit apo dhe lëngjeve, kërkon rrugë për t’u futur në Europë. Dhe një prej tyre është Spanja!
“Vetëm gjashtë vjet më parë, lëvizja e 850 kilogramëve në një dërgesë shënoi rekord. Askush nuk guxoi të rrezikonte më shumë. Por në vetëm dy muajt e parë të vitit 2024, Policia e Ekuadorit sekuestroi 50 ton kokainë, një sasi që zakonisht nuk arrihej deri në qershor. Shqiptarët po mbushin botën dhe veçanërisht Evropën me kokainë,”-thotë Alberto Morales, kreu i Brigadës Qendrore të Narkotikëve të Udyco Central. Këto të dhëna konfirmohen edhe nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin, por edhe nga vetë kryeprokurorja Rosana Morán.
Në të gjithë këtë treg, Spanja zë një vend të rëndësishëm jo vetëm si një portë për në Evropë, por edhe si një pikë takimi mes kriminelëve.
“Shumë takime mbahen këtu midis latinoamerikanëve dhe evropianëve. Levanti, Katalonja dhe Valencias; këto janë vendet ku i gjejmë më shumë shqiptarët,“-shton Morales.
Klanet shqiptare janë të pranishme në të gjithë botën, por tani po zgjerohen edhe në Afrikën e Jugut, Azi dhe Australi – megjithëse ngritja e tyre ka qenë graduale. Morales dhe ekipi i tij, në fakt, nuk i kanë hasur në punën e tyre deri në vitin 2018. Po atë vit, Policia Kombëtare zbuloi me habi, pas kapjes së disa shqiptarëve me rekorde për vrasje dhe krime të tjera, se nuk kishin lidhje vetëm me grabitjet me dhunë. Aftësia e tyre më e madhe ishte lëvizja e sasive të mëdha të drogës.
“Ishte një kombësi që ne nuk e kishim të pranishme në fushën tonë të kompetencës: narkotikët. Ne shtuam hetuam, numri i të arrestuarve u rrit dhe më pas filluam të shkëmbejmë informacione me Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Holandën, Kolumbinë, Ekuadorin…,“-shpjegoi Morales.
“I kapëm me një milion e gjysmë euro para të gatshme për të paguar transportin e drogës”, kujton, duke kërkuar ruajtjen e anonimitetit të tij një komandant i lartë i Seksionit IV të Brigadës Qendrore të Narkotikëve, i cili heton dhe ndjek trafikun e kokainës. Paratë ishin në valixhe dhe agjentët nuk e ngrinin dot për shkak të peshës së parave. Gjatë marrjes në pyetje, personat që kapëm na befasuan nga arroganca e tyre. Ata pranuan me lehtësi se paratë i kishin marrë duke grabitur anije. Pikërisht atëherë kuptuam kapacitetin e tyre, sasinë e parave që kishin dhe që po konvertoheshin në trafik droge. Ata prodhojnë edhe marijuanë.
Emri i shqiptarëve shfaqet, në fakt, gjithnjë e më shpesh i lidhur edhe me heroinën , marihuanën, drogat sintetike, armët, prostitucionin, pastrimin e parave, grabitjet…
Mafia shqiptare – në realitet, ëshhtë një grup organizatash të grupuara sipas klaneve – prandaj është grupi kriminal me rritjen më të shpejtë në vitet e fundit.
“Ata janë kudo; ata shkojnë kudo që shohin një mundësi biznesi. Ata nuk ‘këndojnë’ (flasin para efektivëve), nuk tregojnë kurrë. Kjo sepse që nga fëmijëria u mësojnë se besnikëria ndaj klanit është e panegociueshme. Është diçka që i dallon nga grupet e tjera mafioze,“- thotë Morales.
Besnikëria, fleksibiliteti, shpejtësia e mobilizimit, mizoria dhe maturia; këto janë karakteristika që i atribuohen asaj që Morales dhe ekipi prej 25 policësh të Seksionit IV e quajnë ‘Karteli Ballkanik’, tashmë përgjegjës edhe për rritjen e ekonomisë shqiptare. Ndryshe nga mafiet si Camorra italiane, Cosa Nostra apo ‘Ndrangheta, apo kartele si ato të Medellín, Cali apo Sinaloa, kjo është një organizatë e përhapur, me shumë degë dhe është pothuajse e padepërtueshme.
“Ata nuk janë grupe me një udhëheqje dhe të vendosur në një vend. Në fakt, termi ‘kartel ballkanik’ është më shumë një referencë për një origjinë të përbashkët sesa për një kartel në vetëvete. Drejtuesit e grupeve janë të vendosur kryesisht në Dubai. Nga atje drejtojnë gjithçka,“- shpjegon Alberto Morales.
Ata bazohen në fise dhe në Kanun që vendos rreptë rregullat për pronën, marrëdhëniet shoqërore, nderin dhe hakmarrjen.
Falë këtij “ligji”, besnikëria është një vlerë mes anëtarëve të këtyre grupeve saj që nuk i lejon tradhtitë dhe për rrjedhojë as zbulimin e ngjarjeve për Policinë.
“Ata nuk flasin kurrë, preferojnë të shkojnë në burg. Është pjesë e edukimit që marrin që fëmijë, ku besnikëria ndaj klanit është e panegociueshme. Është diçka që i dallon ata nga mafiet e tjera, si ato latine, anëtarët e të cilëve nuk ngurrojnë që t’ju tregojnë jetën, madje nuk e kanë për gjë t’ju rrëfejnë edhe sekretet e mamave të tyre,”- thotë kreu i Brigadës Qendrore të Narkotikëve.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit në Shqipëri, këto grupe lulëzuan falë aktiviteteve të tyre në tregun e zi.
Mbyllja e rrugës së drogës nga Azia në Evropë u shërbeu atyre mundësinë për të gjetur zona të tjera ku mund të “furnizoheshin”. Fillimisht u futën në treg për të ndihmuar trafikantë të tjerë të drogës, më pas e morën vetë në dorëzim biznesin.
Në vitin 2018, Policia arriti të deshifrojë komunikimet e tyre në platforma si Encrochat, Anom, Sky Ecc… dhe metodat e tyre të dhunshme u zbuluan nga autoritetetet. Bëhet fjalë për tortura, prerje koke, varrime të gjalla…
“Nuk bëjnë kërcënime kot. Ata e kuptuan se eliminimi i ndërmjetësve do të rriste fitimet e tyre,” shpjegon Morales. Dhe prandaj hapën ‘degë’ në Ekuador dhe Kolumbi. Ata e blenë drogën direkt nga kolumbianët dhe, nëpërmjet kompanive të eksportit të ushqimit, filluan të kujdeseshin vetë për gjithçka tjetër. Me të mbërritur në Valencia, vlera e kilogramit të kokainës që vjen nga Guayaquil është dhjetëfishuar.
“Imagjinoni sa para fitoni nëse dërgoni 10 ton. Ata (shqiptarët) e bëjnë “aq mirë” këtë punë sa sot janë të vetmit që kanë kapacitet për të bërë këto dërgesa të mëdha.”
Përgjegjësia dhe efikasiteti janë pika të tjera të forta të shqiptarëve. Dihet se në Amerikën Latine ata vetë udhëtojnë në xhungël për të mbikëqyrur prodhimin e kokainës në laboratorë. Ata janë të përhapur në vende të ndryshme dhe, kur nevojiten në një vend, ata udhëtojnë, mbarojnë “punë” dhe shpërndahen përsëri. Pra, montohen dhe çmontohen sipas kërkesës.
“Kjo është mënyra e tyre për të shmangur vëmendjen.”
E pakapshme dhe e matur
Grupet gjithashtu e ndryshojnë shpeshvendndodhjen e tyre.
“Ti zbulon një zonë me dhjetë shqiptarë dhe, pas një muaji, kur mbarojnë një “punë”, ata largohen dhe dhjetë të tjerë vijnë, gjë që është një vështirësi e shtuar për t’i identifikuar dhe ndjekur”, shpjegon ai. Përveç kësaj, ata lëvizin shpejt dhe në të gjithë vendin, duke përdorur apartamentet Airbnb si bazë operacionesh për të mos lënë gjurmë, dhe duke paguar me para në dorë dhe me dokumentacion fals.
E gjithë kjo përpikmëri dhe diskrecion e bën të lehtë që ata të vendosen në një vend, të blejnë kompani, të hapin ‘zyrat’ e tyre dhe të nisin nga puna.
Zgjerimi dhe diversifikimi është i natyrshëm por kreu i Brigadës Qendrore të Narkotikëve është i shqetësuar për shfaqjen e një elementi të ri.
“Ka disa kohë që kundër tyre nuk ka asnjë operacion nga i cili nuk gjejmë armë,”- paralajmëron ai. Sipas tij, kjo do të thotë se grupet po përgatiten për një përplasje…dhe do të jetë e madhe./e.t