Nga Mero Baze
Brenda një viti, Berisha jo vetëm që nuk arriti të bashkojë opozitën dhe të marrë monopolin e saj, por e copëzoi atë, duke krijuar një spektër të gjerë opozitar që e refuzon atë…
Në fillim të vitit që po mbyllet, nisi përpjekja më “serioze”, siç u paraqit, për bashkimin e opozitës, e cila vazhdonte të mbetej e ndarë mes Berishës dhe Bashës. Grupi i deputetëve të Bashës, që deri në shtatorin e një viti më parë ishin ende formalisht me të, u shkëputën në bllok prej tij, por ende nuk ishin bërë bashkë me Berishën.
Për ta bërë të besueshëm gjithë operacionin e tyre, apo atë që Gazmend Bardhi e quajti më vonë “bashkim në diversitet”, u desh të bëhej një artificë, që në fakt nuk kishte asgjë të vërtetë brenda saj. Në fund të janarit, në ato udhëtimet që Fatmir Mediu organizon tek “Mëngjesi i Lutjeve” në SHBA, kishte marrë me vete Gazmend Bardhin dhe Damian Gjiknurin. Edhe pse nuk i pranuan në sallën ku bëhej ceremonia, i lanë në hollin e një hoteli për ta ndjekur online. Ata pinë disa kafe me kongresmenë dhe senatorë, dhe erdhën në Shqipëri me dy lajme.
Lajmi i parë ishte që dhe përfaqësuesi i PS kishte pranuar para “amerikanëve” që Berisha ishte faktori kryesor i ndarjes së opozitës, çka nuk ishte ndonjë gjë që nuk dihej. Lajmi i dytë, që thuhej nën zë, ishte që “amerikanët” (hajde gjeje kush janë), i kishin dhënë urdhër Bardhit të shkonte tek Berisha se do merrte drejtimin e PD.
Për t’i bërë të besueshme shpikjet e tyre, Bardhi, pas kthimit nga SHBA, i bëri një vizitë poshtë dritares Berishës dhe, pas kësaj, mori drejtimin e grupit parlamentar të Berishës. Më tej, fituan gjyqin për vulën dhe logon e PD, dhe e gjitha kjo dukej si një operacion special për pushtimin e PD.
Të gjitha llogaritë ishin bërë me Berishën brenda, dhe të penduarit në grup. Por bashkimi i PD nuk u arrit. Pjesa antiberishë e PD mbeti e papërfaqësuar në parlament, ndërkohë që Alibeaj formoi një parti të re dhe Basha pretendon të garojë me një parti që e quan PD euroatlantike.
Krahas këtyre, katër parti të reja të krijuara filluan të forcojnë organizimin në opinionin publik, ndërsa partia e Ilir Metës po shkonte drejt degradimit, bashkë me rënimin mendor të kryetarit të saj.
Arrestimi i Metës dhe lirimi i Berishës nga burgu e komplikuan edhe më tej skemën. Lirimi i Berishës zhduku pritshmëritë e të penduarve të tij, duke e zhbërë praktikisht Bardhin si kryetar grupi dhe duke rikthyer pushtetin e Berishës brenda PD. Partia e Ilir Metës, e mbetur pa kryetar dhe me shumë rivalë të tjerë të vegjël, përpiqet të bëjë të fortin me PD.
Partitë e reja të krijuara janë të gjitha opozitare, por që nuk pranojnë Berishën. Ndërkohë, Dashamir Shehi, i vetmi nga partitë e vogla të vjetra, është gjithashtu kundër tij. Vetëm dy kryetarë partish të vjetra, Agron Duka dhe Fatmir Mediu, janë duke kërkuar pazare pa refuzuar Berishën.
Në fund të vitit, të gjithë ata që deshën t’i “hidhnin” Berishës për t’u paraqitur si shpëtimtarë të tij, me kthimin e tyre në PD, tani janë të asgjësuar politikisht brenda PD. Të tjerët jashtë PD janë të gjithë kundër Berishës.
Brenda një viti, Berisha jo vetëm që nuk arriti të bashkojë opozitën dhe të marrë monopolin e saj, por e copëzoi atë, duke krijuar një spektër të gjerë opozitar që e refuzon atë. Humbja e parë e tij e madhe këtë vit është humbja e monopolit të opozitës. Për humbjen e radhës, dihet dita./ S,M