Këngëtari i njohur Alban Skënderaj u përzgjodh në nëntor të vitit 2024 nga UNICEF si Ambasadori i Parë Kombëtar për Fëmijët në Shqipëri.
Në një rrëfim për jetën personale, karrieren dhe projektet, artisti u ndal dhe te roli i ri që ka marrë si Ambasador i UNICEF në Shqipëri.
Këngëtari u shpreh se ky ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm për të, teksa shton se është kënaqësi e madhe bashkëpunimi me UNICEF.
“UNICEF ka shumë vite në Shqipëri që nga viti 1991 ose 1992 më duket dhe nuk kanë pasur kurrë një ambasador Kombëtar dhe kuptohet që ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm. Me thënë të vërtetën unë gjithmonë kam dashur që të bëj diçka sa mundem, sa ma lejon koha, mundësia dhe familja. Gjithmonë dua dhe kam bërë diçka jo me kamera, po ku kam mundur kam dhënë një dorë, diku me prezencë, diku me një ndihmë. Unë dua të jem në kontakt vazhdimisht që të bëj sado pak mirë dhe duke qenë tani si ambassador i UNICEF është pak më kollaj për mua sepse gjithçka është më e strukturuar dhe ndërtuar për të dhënë maksimumin. Ne jemi shumë aktivë dhe do të jemi në vazhdim duke dhënë ndihma të ndryshme dhe sidomos ajo që është prioritet i UNICEF, fëmijët. Bota bëhet më e mirë kur fillon dhe ndihmon fëmijët”, tha Alban Skënderaj/ S,M