Përveç vizitës së Berishës në SPAK, nesër do të vendoset nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja “Partizani”…
E hëna do të jetë një ditë e ngjeshur sa i takon telasheve të Sali Berishës me drejtësinë.
Në orën 10:00 ai do të duhet të paraqitet pranë Prokurorisë së Posaçme, për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Më 3 janar, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të rikthejë masën e parë të sigurisë të kërkuar nga SPAK dhe Berisha do të duhet të paraqitet në ambient e prokurorisë të hënën e javës së parë dhe të javës së fundit në SPAK. Nesër ai pritet të paraqitet për të firmosur, teksa ka mobilizuar militantët në protestë. Degëve të Tiranës dhe rretheve afër kryeqytetit u është kërkuar të mobilizojnë mbështetësit për tu tubuar para SPAK.
Por teksa vizitat e Berishës në SPAK do të jenë tani formale, pasi në fillim dhe fund të çdo muaji do e shohim aty përditë, ka një zhvillim më të rëndësishëm ditën e nesërme.
Nesër do të vendoset nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja “Partizani”. SPAK kopsiti dosjen dhe dërgoi për gjykim Berishën, dhëndrin e tij dhe disa prej bashkëpunëtorëve, duke i akuzuar për shkelje me privatizimin e truallit, ku dikur ka qenë kompleksi sportiv “Partizani”. Për ironi të fatit, dosja është në dorë të gjyqtares Flojera Davidhi, e njëjta gjyqtare që i hoqi masën e sigurisë Berishës.
Ishte Davidhi ajo që e liroi nga arresti shtëpiak, me argumentin se tani që hetimet janë mbyllur, nuk ka më vlerë masa e sigurisë. Mbetet të shihet nesër nëse gjyqtarja do vendosë ta kalojë për gjykim dosjen, apo do ja rikthejë SPAK-ut për plotësim. / S,M