Në Sarandë janë sekuestruar 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.
Si rezultat policia kë vënë në pranga 61-vjeçarin që u kap duke i shitur.
Njoftimi i policisë:
U kap në flagrancë duke shitur celularë dhe aksesorë të kontrabanduar, arrestohet 61-vjeçari.
Sekuestrohen 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.
Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës së mallrave, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë ka goditur një rast të shitjes së mallrave të kontrabanduara. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi:
B. Ç., 61 vjeç, banues në Finiq, për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.
Ky shtetas u kap në lagjen nr. 2, Sarandë, duke shitur celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 134 aparatë celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme./K.K