Justin Trudeau, jeta e jashtëzakonshme e “princit” që nuk i rezistoi valës populiste

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në familje e quanin “princi”: djali i një kryeministri i cili qëndroi në pushtet për pesëmbëdhjetë vjet. Që fëmijë dukej i destinuar të ndiqte gjurmët e të atit dhe ia doli, duke dhënë dorëheqjen pas një dekade si kryeministër.

Ashtu si babai i tij, Pierre, Justin Trudeau përfaqësoi një imazh të ri të Kanadasë: ishte një lider feminist, ambientalist, i hapur ndaj emigracionit dhe i vendosur të njihte (edhe pse jo mjaftueshëm, sipas kritikëve të tij) padrejtësitë që kanë vuajtur popujt indigjenë të Amerikës së Veriut, që kanë jetuar në këtë vend të madh (dy herë më i madh se Bashkimi Europian) por pak të populluar (39 milionë banorë), shumë kohë përpara kolonizimit francez dhe britanik.

Ai humbi postin për shkak të disa skandaleve, gabimeve që bëhen kur beson se je i pagabueshëm, dhe ndoshta sepse, në epokën e rrufeshme të mediave sociale, dhjetë vjet në drejtim janë shumë. Përveç kësaj, erërat kanë ndryshuar: Trudeau erdhi në pushtet mbi valën e shpresës të simbolizuar nga Barack Obama në vendin fqinj, ndërsa dorëheqja e tij u shpall vetëm disa ditë pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse kalëron dallgën e duhur, ajo të çon lart”, komenton The New York Times, “por nëse nuk zbret në kohë, përfundon duke u përplasur”.

Parabola politike

Historia e Justin Trudeau mund të fillojë të rrëfehet nga fjalimi që mbajti në ceremoninë e varrimit të babait të tij, në vitin 2000, kur 29-vjeçari Justin thoshte: “Jemi këtu për t’i thënë lamtumirë, por ky nuk është fundi.” Nga Pierre, një personazh karizmatik që kishte futur me ligj divorcin dhe abortin, dekriminalizuar homoseksualitetin dhe flirtuar me këngëtaren Barbra Streisand dhe aktoren Margot Kidder, skeptri i Trudeau kaloi te djali i tij, që u shfaq në kopertinën e Vogue si një yll i Hollivudit dhe u përshkrua si një nga politikanët më tërheqës në botë.

Në vitin 2012, si deputet i ri, ai sfidoi në një ndeshje boksi për bamirësi një deputet konservator, kampion karateje, dhe fitoi. Tre vite më vonë, arriti një triumf të madh duke fituar zgjedhjet në moshën 43-vjeçare. Formoi qeverinë e parë në historinë e Kanadasë ku gjysma e ministrave ishin gra. Kur gazetarët e pyetën përse, ai u përgjigj: “Sepse jemi në vitin 2015, dreqi ta hajë!”

Lexo edhe :  Zbulohet vullkani misterioz që “ngriu” tokën 200 vjet më parë

Lindi kështu një tjetër “Trudeaumania”, pas asaj të krijuar nga babai i tij në vitet ’60-’70. Në samitet e G7, njerëzit radhiteshin për të bërë një selfie me Justin. Ndërsa Trump, një vit më vonë, mbylli kufijtë për emigrantët, Trudeau i hapi dyert duke pranuar 25 mijë refugjatë nga Siria me këto fjalë: “Për të gjithë ata që ikin nga persekutimi, terrori dhe lufta, ju themi se në Kanada jeni të mirëpritur, cilado qoftë feja juaj. Diversiteti është forca jonë.”

Rënia politike

Megjithatë, koha ndryshon dhe “muaji i mjaltit” i Trudeau junior zgjati vetëm dy vjet. Qeveria e tij u trondit nga disa skandale, përfshirë një palë pushime luksoze të padeklaruar dhe video të vjetra ku kishte fytyrën e lyer me të zezë, një veprim i papërshtatshëm sipas standardeve aktuale politike.

Gjatë pandemisë, ai u akuzua për masa tepër kufizuese. Në zgjedhje humbi mbështetje dy herë, duke u detyruar të formojë qeveri koalicioni. Inflacioni, polemikat mbi emigracionin dhe kriza ekonomike bënë pjesën tjetër.

Në vitin 2023, bashkëshortja e tij, me të cilën ka tre fëmijë, i ktheu shpinën duke kërkuar divorc pas dy dekadash martesë. Dhe në dhjetor, e braktisi një tjetër figurë e rëndësishme, ministrja e Thesarit, Chrystia Freeland, ish-korrespondente nga Moska për Financial Times dhe autore e librave të vlerësuar mbi privatizimin e ekonomisë ruse dhe plutokracinë globale. Ajo dha dorëheqjen duke e akuzuar se nuk ishte përgatitur përballë kërcënimit të tarifave doganore nga Trump, i cili nga ana e tij e quajti Trudeau “guvernatori i 51-të i Shteteve të Bashkuara”, sikur Kanadaja të mos ishte një shtet sovran.

Nuk ka dyshim që Justin Trudeau ka bërë gabime. Megjithatë, faji i tij më i madh, sipas kritikëve, është të qenit një politikan liberal-demokrat në epokën e nacional-populizmit. Si një tjetër ikonë e frontit progresist global, neozelandezja Jacinda Ardern, edhe Trudeau tani largohet nga skena.

Ai është ende mjaft i ri për të shpresuar në një rikthim, ashtu si babai i tij. Por kohët kanë ndryshuar./K.K

Të fundit

Fluturimet direkte me Izraelin/ Rama: Lajm fantastik për forcimin e marrëdhënieve

Shqipëria dhe Izraeli do të kenë lidhje me fluturime direkte. Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin në platformën X, ku shkruan...

Miu i arave po bën kërdinë në Maliq

Sikur të mos mjaftojnë dëmet që u shkakton për çdo vit natyra, fermerët e Maliqit tani po dëmtohen edhe nga miu i arave. Dëmtimet më...

Shtatë këshillat e Charles Bukowskit për një jetë të hatashme

Keni nevojë për këshilla se si ta jetoni një jetë të mrekullueshme? Disa prej këtyre mund t’i merrni nga Charles Bukowski – autori i njohur...

“Është përgjuar për pazare elektorale”/ Majko kërkesë SHISH-it pas akuzave të Berishës

Deputeti i PS Pandeli Majko ka dërguar një shkresë në Shërbimin Informativ Shtetëror, SHISH, në lidhje me akuzat në drejtim të tij nga lideri...

Hirra, efektet e mrekullueshme për organizmin

Hirra njëkohësisht nuk përmban gluten dhe mund të përdoret edhe nga ata që janë intolerantë. Më kujtohet si tani mërzitja që pësonte nona ime,...

Lajme të tjera

Web TV