Shpërthen gripi i shpendëve në Gjirokastër. Vatra eshte konstatuar në fshatin Valare, ku 20 pula janë groposur nga ana e Sektorit Veterinar. Dyshimet e para janë ngritur nga e zonja e shtëpisë, Shefiko Graçi, e cila u shpreh se ngordhja e shpendëve ka ardhur brenda pak orëve.
“Vajtën 3-4 dite erdhën ata drejtori e të gjithë morën një pulë e çuan për analiza. Vajta t’i hapja në sabah, në darke i ushqyem me misër e grurë, në sabah i gjeta 10 të ngordhura. I flas veterinerit dhe më tha që pulat do t’i groposim. Po na thanë sëmurë, 10 i varrosën të gjalla, 10 të ngordhura”.
Krenar Veliu, mjek veteriner, tha se groposja e shpendëve është kryer pas marrjes së përgjigjes së analizave që u kryen në ISUV.
“Dërguam për analizë në ISUV një pulë të shtunën, ka ardhur përgjigjja se në fermë pulat janë prekur nga gripi i shpendëve.”
Kjo situatë është regjistruar fundjavën që lamë pas. Ndërsa në gjithë zonën sipas veterinerëve është bërë karantinimi i shpendëve të oborrit./kb